Fakiri ishte ulur përballë kompjuterit në zyrën e Misionit të Paqes dhe po shtrydhte trutë për të hartuar një projekt për Paqe dhe Prosperitet për vitin 2019, një projekt që të ishte sa më mbresëlënës për Misionarët e Paqes.
Befas u hap dera si me magji dhe vetëtiu e gjithë hapësira prej një drite fosforeshente që lëshonte një siluetë sa njerëzore dhe hyjnore që qëndronte në prag të derës!…
Fakiri shtangu i drithëruar, iu duk sikur iu bënë tërë qimet e trupit shpata për vetëmbrojtje.
Çuditërisht edhe njeriu shtatëlartë me një pamje si prej engjëlli apo djalli, ishte i veshur me parzmore dhe i armatosur me thikë dhe shpatë si oficerët e legjioneve romake të Jul Çezarit.
– Nuk jam komandant legjioni, po vetë Perandori Romak, Jul Çezari, – tha hija e shndritshme duke përparuar në mes të zyrës.
Fakiri hapi gojën si peshku në cekëtinë.
Po si ia paskësh lexuar mendimin ky dreq?!…
– Dhe mos i jep shumë llapës, se nuk jam djall, po engjëll i Zotit! – saktësoi me ton imponues ajo gjëja që llamburinte si një llambë e madhe neoni me forma njerëzore.
Fakiri rrinte si guak në karrigen e vet me vështrimin e lbyrur prej asaj drite vezulluese.
– Engjëll i jetës apo i vdekjes, ky?! – guxoi të pyeste Fakiri veten me gjysmë zëri .
– Rri i qetë, Fakir, kësaj here vij si engjëll i jetës! – qeshi silueta xixëlluese me pamjen e Çezarit.
– Mor po ky, po më çmend, po më lexoka gjithë mendimet! – pickoi veten Fakiri.
– Epo veti hyjnore e engjëjve të Zotit, po e shoh se ti Fakir ende nuk më beson!… Dhe më je mbledhur një grusht si lepur në karrige, kur duhet të rezistoje si luan përballë çdo të papriture…
– Po,mor po, një llaf goje!… Pa vëre veten në vendin tim njëherë dhe të shohim se sa luan do dukesh!… Ore po as luani më i egër i xhunglës afrikane nuk i reziston dot pamjes Tuaj njëherësh sa prej Çezari me tërë atë shpatë dhe prej engjëlli vdekjeve! – mori guxim e foli Fakiri.
– Fakir të thashë se vij si engjëll i jetës!…
– Besoj se nga Ferri vjen, – mori kurajë e shpotiti si zakonisht Fakiri.
– Vij nga Parajsa, po mos e tepro, Fakir! – saktësoi hija fosforeshente, duke e theksuar pamjen e vet prej Çezari…
– E po për hajër na qoftë prania Juaj, Shkëlqesi Perandor Çezari!… Ndonjë mesazh nga Jupiteri, Zoti i Perandorisë së Romës, për mua Fakir Fukaranë?! – guxoi prapë Fakiri me pamje shpotitëse, ndërkohë që me vete po thoshte se Roma ka mbi dymijë vjet që ka ikur për lesh.
– Thua ti që ka ikur për lesh, po Roma e Lashtë jeton!… Jeton te Amerika, SHBA-të… A nuk është Amerika Perandoria që dominon, zotëron dhe drejton sot Globin si dikur Roma ime?… A nuk janë parimet bazë të Demokracisë Amerikane si ato të Romës së Lashtë që solli qytetërim kudo ku shkeli?… A nuk janë presidentët amerikanë perandorët e Botës suaj të re?… Çezarët e rinj?!…
– Në këtë pikë keni të drejtë, Çezar, na përputhen mendimet… Zoti në qiell, Amerika në Tokë, kopje moderne e Romës Suaj të Lashtë!…E qytetëruar dhe e lakmuar si vetë Parajsa në Tokë… Ëndrra ime dhe e çdo shqiptari… Unë vetë jam shqiptar në trup, në ADN, po ama me zemër amerikane!… Pa le presidentët!… Sidomos Presidendi Donald Trump!… Gjallë Ju, miku im, Çezar!… Vërtet një Çezar i Ri… Një burrë i madh shteti që e drejton Amerikën dhe Botën me zemër dhe stil Çezari!… I suksesshëm si ju, Çezar, në çdo fushë të jetës… Jemi të një mendje, Perandor, për Amerikën, por sa për Romën i kam nja dy vërejtje – u kapardis Fakiri që tashmë e kishte mbledhur veten dhe po demostronte erudicionin e vet mbi historinë e Botës.
Çezari ngrysi vetullat.
– Nja dy të vockla, ore! – e drodhi Fakiri dhe sakaq mori atë pamjen e druajtur të Lalucit të proverbës përballë Labit të sertë e gjëmëmadh.
– Shiko Fakir, ji i sinqertë me Çezarin! – tundi gishtin tregues Perandori si të kishte tundur shpatën.
– E di, Çezar!… Çezarit jepi pjesën e Çezarit… Siç themi ne sot: Luanit jepi pjesën e luanit… Po vërejtje të vockla fare, Perandor… Të vockla fare! – u struk edhe më shumë Fakiri në lëkurën e Lalucit.
– Urdhëro e fol! – tha Çezari me ton shpërfillës.
– Po ja, legjionet romake e pushtuan me luftëra botën…
– E vërtetë, por pjesën primitive, kanibale të botës!… Dhe kudo shkeli këmba e legjionarit romak, solli qytetërim… Lulëzoi kudo Roma, një Perandori e Fuqishme, me paqe dhe prosperitet, me qytetërim që edhe ju e keni zili dhe sot e kësaj dite… Ja, Butrinti juaj, një qytet i rrënuar sot, po ato rrënoja antike pasqyrojnë kulturën, madhështinë dhe magjinë e qytetërimit roman… A po mos e kam gjë gabim?! – shpotiti kësaj radhe Çezari, që mesa duket teksa fliste lexonte dhe mendimet e Fakirit.
Fakiri e vështroi një hop i mahnitur atë pamje perandorake xixa-xixa të Çezarit që të linte pështypjen sikur po mbante një fjalim imponues para Senatit të Romës, pastaj guxoi e tha:
– Po sikur nuk ndihej shumë fjala Paqe në Romën tuaj… Ndihej më shumë hapi i legjionarit…
– Po ju, a nuk mbani këtu rrotull ca gjeneralë që aspirojnë për sigurinë kombëtare?!… Me sa di i mbani për të siguruar Paqen, për të garantuar Paqen, megjithëse sikur nuk e bëjnë si duhet detyrën ndaj Misionit të Paqes… Nuk e deshifrojnë siç duhet Kodin e Misionarit të Paqes…
– Vërtet, Perandor, i mbajmë, pavarësisht mundësive të tyre… Nejse, e kishim fjalën te Perandoria juaj, Roma… Vërtet Roma e Lashtë e çoi kudo ku shkeli qytetërimin, po Ju a nuk jeni akuzuar ndërkohë si Perandor-Diktator?!…
– Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë të armiqve të mi politikë dhe të armiqve të Romës! – vetëtiu e bubulliu Çezari.
– Mbase pak, pak fare, fare pak Diktator?! – tha Fakiri duke ndërruar rolin e Labit gjëmëmadh me atë të Lalucit të urtë e të butë.
– Si shumë po e dredh, Fakir, si gjithë diplomatët! – bubulloi së qeshuri Çezari, aq sa u trimërua prapë Fakiri.
– Eee, diplomat hesapi!… Megjithatë, jeni Perandori më i Famshëm dhe më i Suksesshëm i Njerëzimit! – deklaroi Fakiri, sa i sinqertë dhe lajkatar.
– Leri lajkat, Fakir, se nuk kam ardhur të diskutojmë as për Romën e as për Çezarin! – theksoi Perandori me ton ultimativ.
– Ndonjë mesazh për mua? – u përkul Fakiri me dorë në zemër.
– Patjetër!… Sot e tutje do ta drejtosh Misionin e Paqes si Çezar, pra me mendt e mia!…
Fakiri kërceu përpjetë si ta kishin shpuar befas me shpatë.
– Jo, mor Çezar, se nuk jam aq budalla sa të pësoj fatin tënd nga dora vrastare e Brutit! – i shpëtoi llafi nga goja Fakirit…
– Edhe ti, o Fakir?! – klithi i habitur Çezari, si të ishte ngritur Bruti nga varri e ta kishte qëlluar me thikë.
– Edhe ti, o Brut?! – klithi sakaq Fakiri në të njëjtën kohë me Çezarin, si ta kishte marrë dhe ai papritur një goditje thike!…
– Dëgjo dhe mëso, Fakir!… Çezari ishte Bariu i Njerëzimit, Perandori i Madh, Udhëheqësi i popujve, Mëkëmbësi i Zotit në Tokë, njëlloj si dhe gjithë mbretërit dhe udhëheqësit e Botës Moderne!… Çezari ishte Pushteti, Perandori, ishte vetë Roma, Perandoria e Romës… Po ashtu Perandoria e Romës ishte vetë Çezari, simbolizonte Çezarin… Kanë kaluar shumë perandorë në Romë, po mbahet më shumë mend Lavdia e Romës së Çezarit… Madhështia dhe qytetërimi i Romës së Çezarit!…
– Dhe shprehja e famshme e Çezarit: “Erdha, Pashë, Fitova!”, ose në latinisht Veni, Vidi, Vici!” – e ndërpreu Fakiri entuziast për dijet e tij…
– Posi, mbahet mend dhe shprehja e famshme Çezarit: “Përça e Sundo!” – e përqeshi Çezari me humor të prishur ngaqë iu ndërpre fjala.
– Pooo, dhe kjo mbahet mend, – u ndie Fakiri nën zë.
– Mos më ndërpre më, Fakir!… Ku e lamë?!… Ah, po…
– Te Lavdia e Çezarit si Simbol i Romës dhe Roma si Simbol i Tij!…
– Pikërisht! – u ngrys Çezari me vështrimin ngultas si shpatë drejt Fakirit.
Zotëroi një hop heshtja…
– Thamë se Çezari ishte Mëkëmbësi i Zotit në Tokë, Dora e Tij Hyjnore, Pushteti Qeverisës i Zotit!… Po Bruti kush ishte?!… Një i rebeluar kundër Zotit, pra, Simbol i Djallit në Tokë!… Dihet se Kundërshtari i Parë i Zotit, Rebeli i Parë ishte Djalli, këtë e thonë dhe e pranojnë gjithë librat e shenjtë… Pra, Bruti ishte Simbol i Djallit dhe, si Simbol i së Keqes, ngriti dorën dhe goditi me thikë të Mirën, Qytetërimin, goditi Çezarin, vetë Romën!… Dhe dihet se ku përfundoi… Askushi…
– E ç’rëndësi ka fakti ku pëfundoi Bruti, nëse unë drejtoj Misionin e Paqes me Mendjen e Çezarit dhe pësoj Fatin e Tij?! – u rebelua Fakiri.
– Boll Fakir!… Boll me rolin e rebelit frikakacak!… Përvoja e njerëzimit ka treguar se nuk përsëritet kurrë historia në mënyrë tragjike!… Përsëritet thjesht komike, qesharake, kopje e shëmtuar e së kaluarës, njëlloj si lolot, kllounët që të bëjnë për të qeshur me lëvizjet e tyre pantonimike humoristike!… Mos kij frikë!… Ty, e shumta, do të të përgojojnë, ata që nuk të duan, ziliqarët e kësaj bote!… Rri i qetë!… Dhe drejtoje Misionin e Paqes me Mendjen e Artë të Çezarit!… Shndërroje Misionin në Perandori Paqeje!… Dhe vëri në punë ata gjeneralët ta sigurojnë këtë Paqe, me vepra e jo me llafe, se ndonjërit prej tyre i pëlqejnë më shumë llafet se veprat! – vetëtiu dhe bubulloi Çezari dhe sakaq u zhduk, avulloi, po aq papritmas siç dhe kishte mbirë në zyrë…
Fakiri u ngrit në këmbë, fërkoi sytë, erdhi njëherë rrotull zyrës si të ishte duke kërkuar ndonjë gjurmë të fantazmës së Çezarit, pastaj e mblodhi veten dhe vendosi:
– Pse të mos e provoj?!… Ta qeveris njëherë Misionin e Paqes me mendjen e vyer të Perandorit Çezar dhe ta bëj një Perandori Paqeje të Lavdishme si Roma e Çezarit…
Dhe ndërroi metodat e organizimit të punës sipas përvojës perandorake të Çezarit.
Dhe në krye të pak ditëve, befas kur po shetiste me disa miq në Sheshin Skënderbej, i preu rrugën Sodoma, prostituta më e madhe e Tiranës, siç thuhej nëpër legjendat urbane…
– Shiko këtu, ti Fakir, e ke shndërruar në pronë atë Misionin e Paqes, në harem thuaj, se sec mban aty rrotull, si në një oborr mbretëror ca të përdala, mikesha të ca gjeneralëve, miqve të tu, që nuk janë dhe gjeneralë që ia vlejnë për punë!… Dhe ne që sakrifikojmë në jetë nuk na përfill… A nuk janë njerëz që sakrifikojnë ata, Misionarët e Paqes?!… A nuk jam dhe unë njeri i sakrificave?!… E kam sakrifikuar jetën në shërbim të lloj-lloj burrave, u plaka duke u shërbyer atyre!… Pse të mos jem dhe unë Misionare Paqeje?!… Më takon!… Po ku dëgjon nga veshët ti?!… Mbaje mend, Fakir, o më bëj Misionare Paqeje, ose bëji vend kokës, se ta marr shpirtin!… Palo Fakir Diktatori!…
– Mooos!… Edhe ti, o Mut?! – i shpëtoi befas një klithmë Fakirit, teksa përfytyronte klithjen e Çezarit nga thika e pabesisë: “Edhe ti, o Brut?!”…
Dhe atë çast Fakiri kuptoi dhe përjetoi pësëritjen e historisë në mënyrë komike.
Dhe i jehoi atë çast, do t’i jehonte dhe shumë ditë të tjera në kokë klithja e dhimbjes së Çezarit “Edhe ti, o Brut?!”, përzier me klithmën e tij “Edhe ti, o Mut?!”…
Dr. Shefki Hysa