Rikthim apo Ringjallje?!…
Pas kaq vitesh heshtjeje, befas trokiti përsëri në derën e zyrës sime poeti Namik Mane. Ishte rikthyer Njeriu Namik Mane në zyrat e Misionin të Paqes që unë drejtoj. Dhe në fytyrën e tij lexohej Paqe. Nuk e di në se ishte Paqe afatgjatë, apo ajo lloj bunace, heshtje e ëmbël detare, pas së cilës fshihet stuhia?!….
Sidoqoftë më lumturoi ky rikthim i Njeriut Namik Mane, që unë me plot gojën e quaj Modelin e Mikut.
Po me Poetin Namik Mane ç’po bëhej?!… Vallë ishte ringjallur?!…
Në dorën e tij më zuri syri shkarazi një libër me një kopertinë me ngyrë të kaltër në gri ku zotëronin krahët e një pulëbardhe mbi stërkalat e dallgëve dhe, në të verdhë, si rrezet e shpresës mbi zymtësinë e stuhisë, titulli: “Album poetik”.
Dukej menjëherë që ishte një libërlidhje e sajuar me dorëshkrime në madhësinë e gjysmës së formatit zyrtar. Në krye mezi shquhej emri: Namik Mane, e zeza mbi grinë.
Poeti Namik Mane u ringjall, më kumboi papritur brendia ime, siç kumbojnë brenditë e kishave nga thirrjet e besimtarëve “Krishti u ngjall”!…
Namik Mane – Legjenda e Gjallë e Çamërisë
Një “Odise” më vete njohja ime me Njeriun dhe Poetin Namik Mane. Njohje e periudhave nga më të trazuarat, periudhë tranzicionale e ngritje-ulje-ngritjeve të shoqërisë së traumatizuar postkomuniste shqiptare me shpirt të dallgëzuar si detet e stuhishme që nuk gjejnë kurrë qetësi.
Ishte periudhë vërtet e vështirë, ajo e pas viteve 90′, kur gjysma e shqiptarëve shfrynte kundër gjysmës tjetër. Megjithatë, për kundër klimës së zymtë të jetës shqiptare të atyre viteve, unë u miqësova shumë me Namik Manen, mikun më të mirë të Bilal Xhaferrit, njeriun që i ishte gjendur atij në momentet më të rënda të jetës, kur e kishin internuar në Hamalle të Durrësit.
Po si e njohin miqtë e tij Namik Manen?…
Në vitin 1945, babai i tij, Ali Rustem Mane, la pas Koskën e Çamërisë dhe, i detyruar prej masakrave zerviste, u vendos fillimisht familjarisht në Shijak. Më vonë në vitin 1948 u vendosën në qytetin e Durrësit. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesmen Namiku i kreu në Durrës. Kreu edhe një shkollë teknike-elektrike dhe filloi punë si elektricist në ndërmarrjen ushqimore të Durrësit.
Në fillim të viteve 60-të, ai u shfaq si një poet i talentuar me vjershat e para të botuara në shtypin letrar. Shokët dhe miqtë e tij të parë ishin poetët Bilal Xhaferri, Bardhyl Agasi, Moikom Zeqo etj. Në vitin 1967 u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndërkohë po përgatitej për shtyp nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” libri i tij poetik “Lirikat e ushtarit”, të cilin ia pezulluan për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare.
Në vitin 1968 e internuan në Hamalle të Durrësit. Po atë vit përfundoi në internim, në Hamalle, edhe poeti Bilal Xhaferri. Namik Mania i shtyu ditët e vuajteve së bashku me të për gati një vit. Punuan për të realizuar edhe një vëllim të përbashkët poetik “Një siluetë në errësirë”. E përfunduan këtë libër, mirëpo nuk arritën ta botonin, sepse, në 30 gusht 1969, Bilal Xhaferri u arratis nga Shqipëria.
Pas mërgimit të Bilal Xhaferrit, poeti Namik Mane sikur u ftoh me letërsinë dhe vetëm në fillim të viteve ’90 filloi të botonte dhe vazhdon të botojë publicistikë, poezi e prozë. Namik Mane është nënkryetar i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe korrespodent i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Ishte një shans i madh për mua njohja ime me këtë njeri të rrallë. Çuditërisht Namiku, i argasur gjatë nga hallet e mëdha të jetës shqiptare, nga luftërat e heshtura dhe nga intrigat e diktaturasve në kurriz të familjes, të fisit, të miqve dhe të vetë atij, do të më gjendej sa herë pranë edhe mua, siç i ishte gjendur dikur Bilalit. Jeta e kishte mësuar Namikun të ishte i gatshëm për lloj-lloj sakrificash për shokët e miqtë. Ashtu siç kishin sakrifikuar edhe të tjerë për të në kohën diktaturase apo ai vetë për Bilal Xhaferrin…
Poeti Namik Mane, një nga legjendat e Çamërisë, Legjendë e Gjallë, kështu e cilësoj shpesh nëpër biseda me të njohurit e mi, u bë bashkudhëtari dhe përkrahësi im në kërkim të Çamërisë…
Dhe jemi ende së bashku në kërkim të saj të prirë prej idealit të shenjtë çam…
Ringjallje e “Jezusit” të Poezisë
Vetëkuptohet, tanimë Poeti Namik Mane ishte ringjallur më thoshte shpirti, po këtë gjë e tregojnë dhe dorëshkrimet në trajtën e librit të ardhshëm që kam përpara në tryezën e punës.
Zura ta shfletoj këtë vëllim. Më tërhoqi një nga nëntitujt, “Kushtime”. Më ngacmuan fjalët e autorit, i cili, midis të tjerash, shprehej: “Isha në moshë të re kur i kam shkruar disa nga këto poezi që janë pëfshirë në këtë libër. Miqtë e mi si Shefki Hysa, Mujo Buçpapaj dhe Fatmir Minguli që i lexonin shpesh më bindën t’i përfshija në libër. Janë poezi që shprehin vështrimin e vajzës së dashuruar, ndriçimin e hënës, dashurinë e nënës, dhëmbshurinë e gruas, po dhe dhimbjet dhe rebelimet e poetit, etj.
E shfletova me një frymë librin “Album Poetik” dhe u përballa sakaq me gjithë atë spektër ngjyrash të ndjenjave të botës njerëzore që Poeti i vërtetë i përjeton përmes ylberit të shpirtit të vet. Ky ylber ndjenjash shpaloset midis ëndrrave dhe zhgjëndrrave poetike, midis iluzioneve dhe diziluzioneve, arritjeve dhe dështimeve, dashurive dhe urrjetjeve, rebelimeve dhe përgjumjeve, strukjeve e mbylljeve në vetvete, faza të jetës që pasqyrojnë edhe ftohjen e frymëzimit të poetit. Dhe kjo natyrë postpoetike ngjan shumë me ato gjendjet kur vullkaneve papritur u ftohet e u ngrin llava dhe, përbindëshat gjigandë të zhurmshëm shndërrohen në xhuxhë memecë. Edhe poetët shterojnë një ditë për shumë arsye, objektive a subjektive qofshin ato, dhe poezia e tyre, bota e tyre poetike ftohet, tkurret, shurdhohet e vdes. Vdekje të tilla mund të jenë të përjetshme, ose klinike. Dhe në rastin e vdekjeve klinike të frymës poetike, shpesh ka zanafillën dhe rikthimi në jetë, ringjallja e poezisë…
Poezia e librit të Namik Manes është pasqyrë e një realiteti të ngjajshëm poetik, me dallgët, bunacat dhe stuhitë e shpirtit të vet, pse jo dhe me vdekjet klinike të frymëzimit. Pra, është një ringjallje e madhe poetike, ringjallje e “Jezusit” të Poezisë.
Namik Mane – Poeti Rebel
Më ishte bërë zakon që sa herë shkoja në shtëpinë e mikut tim, poetit Namik Mane (shoku i ngushtë i shkrimtarit Bilal Xhaferri), e përsëris me dëshirë, “Legjenda e Gjallë e Çamërisë” (kështu e quaj Namikun shpesh në biseda me kolegët e mi të letrave dhe të Misionit të Paqes), i drejtohesha bibliotekës së tij dhe, nëpër sirtare, zija e shfletoja dosjet e vjetra të mbuluara nga pluhuri dhe heshtja e kohërave, brenda të cilave struken vandakët e fletëve të daktilografuara të zverdhura ndër vitet e zymta e të vështira që kanë kaluar breza kolosësh të tillë të nëpëkëmbur nga censorët e ish-diktaturës komuniste.
Dhe sa herë shfletoja, midis atyre pergamenëve, në atë masë minerali ari të papërpunuar, gjeja perla poetike që i merrja me vete dhe i botoja në revistën “Krahu i Shqiponjës”…
Midis poezive të librit më zuri syri dhe një poemth që më kujtoi këtë lloj prirjeje time “arkeologjike” që më rrëmbente sa herë gjendesha në shtëpinë e poetit Namik Mane.
Ishte një poemth që nuk më shqitet lehtë nga mendja. Ky poemth kushtrues (i shkruar më 16. 9. 1990) ishte pasqyrë artistike e realitetit shqiptar me tranzicionin e pafund stërmundues. Dhe kishte titullin shumë domethënës: “Ju komisione që vini”!…
Është poezi sa thirrëse dhe ligjëruese, që shpreh klithmat dhe apelin e shpirtrave të martirizuar shqiptarë drejtuar përfaqësuesve të shteteve demokratike të botës së qytetëruar. U drejtohet të huajve me tonin e mençurisë popullore shqiptare, që ata të jenë më të vëmendshëm ndaj drejtuesve të postdiktaturës shqiptare, të cilët kanë instaluar pushtetin e tyre dhe i shfrytëzojnë të mirat e Shqipërisë, këtij vendi të bekuar nga Zoti, vetëm për vete njëlloj si etërit e gjyshërit e tyre.
Dhe shqiptarët e traumatizuar presin e shpresojnë për zhvillime të vërteta demokratike, në një tranzicion tejet të stërgjatur, sfilitës e stërmundues, me vështrimin sa te fytyrat e kamufluara me buzëqeshje hipokrite të udhëheqësve shqiptarë, te portretet enigmatike të komisionerëve të botës demokratike që vijnë e shkojnë, shpesh e më shpesh, në tribuna konferencash e ekrane televizionesh…
Dhe tranzicioni postkomunist zgjatet e zgjatet më torturues dhe i pashpresë për shqiptarët e thjeshtë…
Dhe poeti i rebeluar, me të drejtë zemërohet, tërbohet, ulëret e këlthet me vargje, si dje kundër Dikatorit Komunist dhe sot kundër diktatorëve neokomunistë: O Brut!/ Ringjallu tek njerëzit e sotëm/ Që thikën në kraharor/ T’i ngulësh atij.
Ja si shprehej në vitin 1971 poeti rebel Namik Mane, në periudhën kur ishte i internuar bashkë me mikun e tij poetin Bilal Xhaferri: “Në cilin kamp nuk lindi dëshira për të fluturuar/ për t’u matur me erërat”/ për t’u kacafitur me telat me gjemba,/ për të këputur hekurat e rënda?
Dhe rebelizmi gërshetohet me stoicizmin dhe madhështinë e njeriut shpirtlirë e qendrestar që nuk duron as skllavëritë e lashta e as ato moderne, varësitë nga postdiktaturat e rafinuara, dhe shpërthen në vargjet e poetit Namik Mane: Me sy të fuqishëm si Jeta/ si nje Perëndi që dorën s’lëviz/ shoh botën.
I njëjti poet di të rebelohet dhe nga pleqëria, kjo fazë kalimtare përmbyllëse e jetës: Vitet e pakura të pleqve/ I flakim tej në honin e greminave/ Dhe të shkruajmë mbi to/ Çminimin e shpirtërave.
Rebelizmi i autorit herë-herë kamuflohet edhe me pamjen e brishtë të Lule Diellit. I dhemb në shpirt skllavëria e saj e ëmbël. Dhe zëri i tij rebel përfshihet në një protestë po aq të ëmbël: Lule dielli/ E ktheve fytyrën nga dielli/ Po si s’u lodhe një ditë?… E mjera ti/ Je robinë/ E lidhur me rrezet e tij.
Poeti Namik Mane, sa i dashuruar dhe i rebeluar ndaj gjendjeve reale të jetës, ka dhe pishmanet e meraqet e tij. Ja si shprehet ai në vargje: Kam një pishman për gruan e vdekur/ Me Zotin të matesha/ dhe aq të re e të bukur/ mos ta lija të ikte.
Tronditës dhe pishmani: Çfarë desha t’i ruaja Bilalit/ i humba të gjitha.
Shumë simbolik dhe meraku i tij: Dua që vajzat e mia/ Me nipër e mbesa/ Të thonë me plot gojën: / “Baba, gjysh e stërgjysh/ Kemi patur Namikun”
Poeti dhe censura komuniste
Në këtë album poetik shoh se janë përfshirë dhe dy cikle vjershash “Lirikat e ushtarit” dhe “Mendime në karrige”, të cilat shprehin dy këndvështrime diametralisht të kundërt me njëri-tjetrin.
Prania e tyre më shtyn në mendime… Pak retrospektivë…
Ishte shtatori i vitit 1966. Pritej botimi i librit “Lirikat e Ushtarit”. Ishte një libër me hymn për jetën socialiste, një kompromis me veten i autorit për t’u pranuar nga censura komuniste. Mirëpo çuditërisht libri nuk doli në qarkullim. Pse? Ç’kishte ngjarë? Ç’duhej bërë? Ç’ishte kjo enigmë?…
Poeti Namik Mane me shqetësim trokiti në shumë dyer. Asnjë përgjigje!
Së fundi i thanë:
“Na ka ardhur një relacion nga Durrësi”…
Vetëkuptohet, pas këtij fakti, poetit Namik Mane i mbyllën dyert edhe redaksitë. Përfundimisht i hoqën të drejtën e botimit.
Si e përjetoi poeti këtë rast? Domosdo ndjeu dhimbje. Njëlloj si t’i kishin prerë gjuhën për të mos folur, për të mos u shprehur… Ishte vërtet dhimbje shokuese, por shpirti i poetit gjen fuqi dhe e mposht dhimbjen, krijon…
Namik Mane, në këtë periudhë të vështirë, shkroi vjershën “Pulëbardha” (poeti i mirënjohur Ali Podrimja e ka përmbledhur tek Antologjia poetike “Eni vjen nga Çamëria”), një ndër krijimet më të arrira. Pulëbardha, vetëkuptohet, është vetë poeti, Namiku!
Ja si shpalosen vargjet e saj:
Ka shpirtin të mbushur me ëndrra lirie,
Si ëndërr e bardhë fluturon kaltërsive.
Po befas në mjegull errësohet agimi,
Si valë e shtyn era mbi shkrepat shkëmborë.
Krak, krisi krahu, i mpiu dhembja forcat
Dhe sytë e etur në mjegull u shuan.
E ndjeu, s’mund të merrte më rrugën në qiell
Dhe vdekjen e pa mbi det pasqyruar.
Dhe më tej vazhdon:
Dy pika lot lëshoi, dy margaritarë,
E qau jetën e saj të shkurtër sa një ëndërr,
Gjithçka që kishte nisur, përgjysmë e kishte lënë…
Por së fundi Pulëbardha gjen forca, lufton me dallgët e erërat dhe duke u përpjekur thërret:
Dëgjomë, ti o det,
Kush njohu hapësirat, të vdesë nuk është e lehtë!
Dhe trupin tim të lodhur s’e ndesh me peshq të vegjël,
Me turma frikacakësh nuk mund të nis luftim,
Kopenë e peshkaqenëve që sulet e pangopur,
Do pres; do fluturoj, derisa ta shoh tek vjen…
Vërtet një gjendje brengash dhe shpresash të thyera. Por, Pulëbardha-poeti nuk di të dorëzohet.
Ishte periudhë heshtjeje ogurzezë. Gazetat dhe revistat ia kishin mbyllur përfundimisht derën. Poeti ndjente jo vetëm braktisjen e pushtetit, por dhe ftohtësinë në pjesën më të madhe të miqve dhe shokëve.
Ja se si e përjeton poeti këtë gjendje te Pulëbardha:
Dhe ndërsa fluturonte i bënte pyetje vetes:
Çudi, ky shkëmb, ky det që unë i desha shumë
Çudi, sesi këta mu kthyen në armiq!…
Megjithatë poeti gjente fuqi për të mbijetuar. Pikërisht te pena e tij….
Ishte periudha kur tashmë ai nuk kishte çfarë të humbte. Kështu që bota e tij poetike e rebeluar filloi të shpaloste hapur qëndrimet antikomuniste në krijimtari.
Dhe rezultati cikli “Mendime në karrige”. Ja se çfarë shkruan poeti në një nga vjershat më të arrira të përfshira në këtë vëllim. Lëviz populli im/ Në udhën e shtrembër që shtron komunizmi/ dhe tokën e ngurtë me gjak dhe lot e stërpik/ dhe prapë brohorit!…
Pa koment. Nuk po e zgjas më shumë, po i lë lexuesit të nderuar që ta gjykojë raportin e e krijuar mes poetit dhe censorëve të diktaturës…
I fundmi i poetëve romantiko-realistë
Namik Mane është i fundmi i poetëve romantiko realistë, që mbart në shpirtin e tij dhe në poezinë e vet hallet dhe brenga e dy shekujve të fundit të botës shqiptare.
Namik Mane, Legjenda e Gjallë e Çamërisë, që nuk harroi të këndonte edhe dhimbjet e Kosovës, krahas dhimbjeve të Trungut (Cungut) Amë -Shqipërisë, ashtu siç i këndoi botës çame, vendlindjes së tij.
Gjatë shfletimit të librit shikon se poeti nuk di vetëm të urrejë të keqen, të rebelohet a po të trishtohet ndaj saj, po dhe t’i këndojë jetës së gjallë njerëzore, gëzimeve të lindjeve, dashurive, dasmave dhe gjithçkaje të bukur të jetës shqiptare. Poezia e tij është sa “pjergull gëzimi” për të mirat e jetës dhe njëherësh edhe “pjergull lotësh” për dhimbjet, trishtimet, humbjet, torturat gjer edhe vdekjet që na sjellin demonët e së keqes.
Simfoni betoviane, hymn i jetës mbi vdekjen, janë vargjet e poezisë kushtuar Çamërisë, vendlindjes së tij: Çamëri, Çamëri,/ Pjergull me lotët e mi.
Dihet se pjergulla simbolizon begati, dhe pas “begatisë” së lotëve të dhimbjes për humbjen, buis pranvera e mallit dhe dëshira e zjarrtë për t’u ringjallur e riangazhuar për ta rifituar atë që ke humbur dhe që të takon.
Dhe poeti befas harron lotët e shpërthen te poezia Lirikë Çame: Digjet shpiri i përmalluar/ me një zjarr që s’njeh sinore.
Poet që di të ngrihet mbi trishtimin dhe të sjellë atmosferë pranverore edhe me lirikat e veta më të trishtuara, i tillë është Namiku.
Konkretisht: “Mbrëmë se nga më erdhën ca mendime të trishta,/ Por unë nuk jam poet i trishtimit,/ Përzier me erërat e ndjej veten time, / Unë një bir Çamërie. / Nuk mund të jem kaq mizor/ Sa njerëzve trishtim t’u mbjell”.
Sipas autorit e bukura fshihet jo vetëm te pranvera dhe vera, por dhe te vjeshta dhe dimri. E bukura ka zënë vend në stinët e shpirtit të tij dhe këtë bukuri ai ua përcjell me artin e vet romantiko-realist gjithë lexuesve!…
Domethënës dhe kumti i autorit në vjershën përmbyllëse të Librit “Album Poetik”. Është poezia “Për vete”, që nëpërmjet titullit të lë përshtypjen se poeti bën bilancin e fitoreve dhe humbjeve të tij artistike, duke dashur të përkëdhelë nga pak egon e tij njerëzore, siç kanë dëshirë të veprojnë shpesh gjithë artistët e mëdhenj me autoportreret, shkrimtarët me autobiografitë, etj. Po për çudi autori edhe në këtë poezi, nuk është marrë me egon e tij poetike, por shqetësohet për të tjerët, për të afërmit, miqtë e shokët, lexuesit. Ja si shprehet ai i merakosur për testamentin e tij poetik: Në fund asgjë s’do marr me vete,/ por vallë të tjerëve ç’do t’u lë/ këto brenga, këto shpresa, të këputura,/ këto vargje, këto tinguj dhe asgjë?
Dhe më tutje bëhet dhe më i dukshëm shqetësimi nëse ai u ka lënë apo jo lexuesve një trashëgimi të denjë poetike?…
Ja si shprehet: Një natë do fle atje, mes yjesh/ pa çka se dua të jem gjithmonë me ju,/ po vallë, do pranoni ju o njerëz shpirtin tim të brishtë, ja kështu?
Poeti Namik Mane, i cili botën artistike e ka vënë në shërbim të njerëzimit gjatë gjithë jetës, tashmë i vetëdijshëm se është miku i yjeve me tërë këtë krijimtari mbresëlënëse, nuk kursen as shpirtin e vet poetik si dhuratë për lexuesit.
Dr. Shefki Hysa