FATE TRAGJIKE
Shënime për romanin “Parajsa e mallkuar” e shkrimtarit Shefki Hysa

Nga Dritëro Agolli

Shefki Hysa erdhi në letërsi me prozën e shkurtër, me tregimin dhe me reportazhin letrar, si gjithë shkrimtarët. E veçanta e tij ishte lëngu jetësor, që lëvizte nëpër indet e organizmës së gjallë të prozës, organizmë që nuk kishte asgjë artificiale, por vinte e vërtetë si natyra. Ishte kjo veçanti që bëri të tërhiqte vëmendjen e lexuesve dhe të rretheve letrare dhe të rriste shpresën në pritjen e një shkrimtari të formuar. Kështu, proza e tij e shkurtër në fillim u botua në shtypin letrar, u fut nëpër antologjira të prozatorëve të rinj dhe pastaj u shfaq në libra më vete. Doemos, ky ishte një gëzim për shkrimtarin e ri, po siç thonë, pas gëzimit ndodh që vjen edhe hidhërimi. Disa keqdashës kur panë se emri i tij filloi të dallohej nëpër shtyp e në libra, nisën të gërmojnë në biografi dhe të dërgojnë letra anonime, duke ngulur këmbë në instancat shtetërore të regjimit të atëhershëm për t’ia ndaluar botimin. Vetëm disa rastësi dhe rrethana të veçanta e shpëtuan Shefkiun nga ndalimi i botimit. Por i thonë një fjale, e keqja ndonjëherë ka edhe të mirën. Këto peripeci dhe historira, erdhi një ditë që u kthyen në material letrar. Pikërisht në romanin e ri të Shefki Hysës, “Parajsa e mallkuar”, ka faqe të tëra autobiografike, të përshkruara herë me dhembje dhe herë me sarkazëm dhe zemërim. Këto ia shtojnë dramacitetin romanit dhe ia mbajnë të ngrehur tensionin, megjithëse herë pas here shfaqen përshkrime, ku tendenca është e hapur si në një pamflet. Dhe është e natyrshme që romani bashkëkohor shpesh anon nga eseja dhe jo rrallë edhe nga pamfleti. Kur ka një ekuilibër të drejtë mes rrëfimit dhe arsyetimit eseistik, atëherë kemi të bëjmë me një prozë të vërtetë. Në të kundërtën, kur ky ekuilibër prishet dhe materia i nënshtrohet arsyetimit pamfletist, atëherë proza kthehet në publicistikë; ndërsa kur anon nga rrëfimi, kthehet në përrallë. Këtij rreziku romani i Shefkiut i ka shpëtuar dhe ka dalë një vepër interesante edhe në mendim, edhe në arkitekturë.

Në vështrimin e parë romani të duket se jep jetën e një province të humbur në mes të maleve, provincë me ngjarjet dhe me njerëzit e saj të mirë dhe të liq, të dashur dhe sadistë, shpirt demokratësh dhe zemër tiranësh. Por, duke menduar, shpejt zbulon se romani merr karakteristikat e një vepre simbolike. Në miniaturë pasqyrohet një vend i izoluar, ku zotërojnë ligjet e egra të tiranisë me të gjitha mekanizmat e saj, ku mungon liria e fjalës dhe e mendimit dhe ku njerëzit jetojnë në ankth e në frikë. Mishërim i tiranit këtu është figura e Babëlokut, i cili bën ligjin dhe vendos mbi fatin e njerëzve. Autori, duke e shpënë këtë personazh në situata të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, u ka shpëtuar skemave të trajtimit bardhë e zi dhe ka pasqyruar një figurë komplekse. Në çaste të veçanta shfaqen tek ai edhe shkëndija njerëzore në pamjen e bamirësisë tradicionale. Por, në mënyrë krejt të natyrshme, autori edhe këto shkëndija njerëzore ia jep këtij personazhi për t’ia rritur autoritetin. Dhe vërtet njerëzit e krahinës duket sikur pëshpërisin: “Babëloku bën edhe të mira”. Kjo është një gjetje artistike mjaft e goditur dhe mjaft interesante, që e pasqyron me vërtetësi figurën e një sundimtari përmes këtij Babëloku provincial.

Ngarkesa e romanit me ngjarje dhe me fate tragjike nuk e ka humbur dëshirën për të jetuar dhe dritën e perspektivës. Dëshira për të jetuar dhe drita e perspektivës mishërohen në figurat e Xhekit, miqve të tij dhe veçanërisht vajzave dhe grave, të cilat janë përshkruar me ndjenjën e një lirizmi të këndshëm dhe me një dashuri njerëzore. Të gjitha këto janë në kontrast me rrethanat e zymta, kur jo rrallë ndjehet ulërima e lukunisë së ujqëve me dy këmbë, por edhe drejtpërdrejt me katër këmbë. Dhe nuk mund të rri pa përmendur këtu një fakt artistik të jashtëzakonshëm. Autori përshkruan një luginë të ujqëve të uritur. Në kohë dëbore këtu Babëloku i zbriste nga makina ata që i kishte inat, i linte në mes të rrugës për të përfunduar në dhëmbët e ujqëve. Madje me këtë fakt artistik plot dramacitet autori e mbyll romanin.

“Po më linte në duart e trimave të tij. Dhe ishte ende mesnatë. M’u rrënqeth i tërë trupi dhe ndieja se po më ftohej gjer edhe zemra prej një frike të pashpjegueshme. Si duket parandjenjat po bënin të vetën. Përpiqesha të largoja mendjen prej asaj që më priste, po sa më shumë ngulmoja unë, aq më qartaz imagjinoja veten përballë lukunisë së ujqëve.

Ata do të ndalnin makinën në mes të livadhit, do të më shtynin jashtë kabinës dhe do të tërhiqeshin disa dhjetra metra prapa për të kqyrur me kënaqësi skenat e lemerishme. Unë, i mbetur vetëm në terrin e livadhit, si të vrapoja, si të rrija në vend, në pak minuta do të rrethohesha prej ujqëve. Ishin egërsira të mësuara me mishin e kundërshtarëve të Babëlokut. Do të ndieja ckërmitjet dhe hungërimat e ujqëve dhe pastaj dhëmbët e tyre do të më nguleshin menjëherë nëpër tërë trupin si dhjetra thika. Do të ulërija gjer në kupë të qiellit prej dhembjeve, po në pak sekonda lukunia do të më shqyente dhe copat e trupit tim gjithë gjak, veç e veç nuk do të ndienin më asgjë…O Zot! Më shpëto, o Zot, klitha me gjysmë zëri teksa e kuptova se po humbisja ndjenjat prej dobësisë trupore që më kishte shkaktuar hemoragjia e plagës së kokës dhe prej intensitetit të neurozës që po përjetoja… Vështrimi po më humbiste ngutaz në errësirë… Edhe trupi po më vithisej nëpër errësirë… Errësirë…”
Vërtet një gjetje artistike lakmuese.

Vlerësime

AUTOPSI E ``PARAJSËS SË MALLKUAR`` - Sokol Jakova

AUTOPSI E “PARAJSËS SË MALLKUAR”

Nga SOKOL JAKOVA

Autori i romanit “Parajsa e mallkuar”, titull tejet sugjestionues, shkrimtari i njohur Shefki Hysa, tanimë në moshë të pjekur dhe me një përvojë të pasur artistike, për kërshëri të lexuesit, ka kaluar një kalvar të vështirë në krijimtarinë e tij gjatë sundimit komunist, derisa era e demokracisë ia nxori në dritë të diellit talentin dhe aftësitë, çka e vërtetojnë mirëfilli një aradhë librash në prozë si romane, ashtu dhe përmbledhje me tregime. Për këtë prozator pengu ishte “njolla” biografike, e cila, si për plot krijues apo njerëz të thjeshtë, bëhej si një digë e fuqishme dhe e pakapërcyeshme në atë kohë. Pra për cilindo krijues të vërtetë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, ishte e vështirë që të shpaloste pasurinë shpirtërore që i vlonte në shpirt, për të mos thënë pastaj krijues si Shefki Hysa me cene biografike, pavarësisht vlerave dhe talentit të veçantë që karakterizonin individualitetin dhe krijimtarinë e tij artistike.

Përpara se të lexojë romanin “Parajsa e mallkuar”, çdo njeri duhet të marrë me mend se autori i veprës, ose më saktë një artist që gjatë jetës ka hequr mbi kurriz vuajtje dhe mundime të panumërta, për shkak të biografisë me “njollë”, ka pasur jo vetëm përçmim dhe urrejtje të ashpër, por dhe një mllef të madh që i ziente në shpirt për atë periudhë të humbëtirës. Pikërisht këtë kompleks ndjenjash që i vorbullonin vetëdijen, autori i ka derdhur në përmasa të veçanta artistike në romanin e tij “Parajsa e mallkuar”. Për ta bërë një gjë të tillë krijuesit Shefki Hysa i kanë shërbyer mirëfilli një sërë mjetesh artistike të gjetura, të cilat spikatin në roman si peizazhi, nënteksti, grotesku në paraqitjen e disa personazheve, ironia, sarkazma etj.

Vepra në dukje dallohet për një kompozicion të thjeshtë, që shtillet në mënyrë drejtvizore, me kapituj të shkurtër që gërshetohen me njëri-tjetrin dhe si një “mozaik” shpalosin subjektin, ngjarjet, mjedisin ku zhvillohen ato dhe personazhet e shumtë. Por në teknikën e rrëfimit, që të ngërthejë material sa më të bollshëm jetësor në strukturën kompozicionale, autori ka shfrytëzuar një gjetje të goditur, duke alternuar në vazhdën e kapitujve të shkurtër, herë rrëfimin në vetën e tretë, pra rrëfimin e autorit, e herë rrëfimin në vetën e parë, rrëfimin e heroit të romanit, Xheki Vilëzës. Kjo teknikë rrëfimi jo vetëm ia ka zgjeruar romanit hapësirat përshkruese, por ka forcuar përnjimend psikologjizmin në individualizimin e personazheve dhe në zbulimin e karaktereve që mishërohen në to.

Pa dashur t’ia shuajmë kureshtjen lexuesit, po përmendim shkurtimisht disa elemente të subjektit. Ngjarjet e veprës shtillen në një qytet të largët verior, më saktë në një qytezë minatorësh, ku për shkaqe biografike heroin e romanit shkrimtarin dhe gazetarin e talentuar Xheki Vilëza e kanë degëdisur si mësues. Atje ai njihet me lloj-lloj njerëzish, të mirë e të liq, që nga kamerieri Gjuran e deri te Babëloku, personazhi më negativ, më i urrejtur e i përçmuar i veprës. Djaloshi njihet edhe me femra dhe me njërën prej tyre, nxënësen e tij, Rozafën jetime bie në dashuri, por kjo ndjenjë e fuqishme në fund të romanit përfundon tragjikisht, çka përcjell njërin nga mesazhet kryesore të veprës që tragjedia në atë mjedis të “Parajsës së mallkuar” ishte shoqëruesja e vetme e jetës. Dhe vërtet me tragjedi nis romani, me varrimin e një minatori që është vrarë nëntokë e me tragjedi përfundon nën sfondin e një natyre të murrëtyer, shpesh herë me shi që ndjell vetëm zi. Ky peizazh i dhënë me mjeshtri nga autori përmes penelatash të goditura bëhet i prekshëm dhe tejet i ndjerë për lexuesin, që nga faqja e parë e deri te faqja e fundit e romanit.

Prej frymëzimit dhe njohjes së thellë të jetës, cilësi këto të romanit të Shefki Hysës, edhe një lexues i thjeshtë e kupton se autori në vepër ka shfrytëzuar mjaft elemente të biografisë dhe jetës së tij personale. Kjo është e vërtetë. Por, si në çdo vepër artistike, edhe Shefki Hysa në romanin e tij nuk ka mbetur rob i së vërtetës historike, por, duke i dhënë krahë imagjinatës së tij krijuese ia ka dalë mbanë me sukses të nxjerrë nga duart një prej librave të tij më të realizuar. Niveli artistik i romanit spikat jo vetëm në pasqyrimin me realizëm dhe vërtetësi jetësore të realitetit të kohës, në analizën artistike të një problematike të pasur, të ngjeshur e të ndërlikuar të këtij realiteti, por sidomos në poetikën e formës së romanit: në vizatimin e personazheve, në paraqitjen e mjediseve ku ato veprojnë, në mjetet e larmishme e tropet e shumta që shfrytëzohen për zbulimin e tyre si të gjallë në sy të lexuesit e veçanërisht te e magjishmja që dominon hera-herës realen. Pra, nëpër realitetin artistik të veprës fryjnë jo rrallë erërat e një rryme që të sjell ndërmend elementet e një realizmi magjik si në veprat e Markesit. Me një stil lakonik, herë-herë si të një proze poetike, e herë-herë edhe me ngjyresë publicistike, karakteristikë e prozës së sotme bashkëkohore, shkrimtari Shefki Hysa arrin të na japë në roman plot figura artistike e një mjedis të gjallë e të zymtë të jetës dhe punës së vështirë në qytezën e minatorëve, që të mbeten ndër mend.

Peshën kryesore të problematikës dhe mesazhit të romanit lexuesi e gjen te heroi i tij Xheki Vilëza. Përfytyro, i nderuar lexues, një djalë të ri që ka nisur të bëjë emër me shkrimet e tij, me plot ëndrra për të ardhmen që t’i japë udhë karrierës në sajë të talentit dhe aftësive profesionale, të degëdiset në një skutë të largët e të humbur, ku njerëzit rropaten në mjerim e varfëri, për shkaqe që sot, veçanërisht për të rinjtë, tingëllojnë absurde, por për atë kohë të mykur ishin fort “të rëndësishme”. Figurën e heroit të veprës që njësohet me vetë autorin, ky e ka vizatuar me realizëm e me nostalgji për rininë e humbur dhe ëndrrat e vrara. Vizat e kësaj figure janë të theksuara si në portretin e jashtëm, ashtu dhe në cilësitë shpirtërore. Një djalë fisnik tërheqës, i dashur dhe i sinqertë, me karakter të fortë, me adhurim të veçantë për jetën dhe njerëzit, me shpirt të ndjeshëm artisti, i ndershëm deri në verbëri, trim dhe i rebeluar prej realitetit të vendit të tij të dashur, këto janë pak a shumë kufijtë ku gjallon bota shpirtërore e heroit. Xheki Vilëza që vjen nga jugu ku fryjnë flladet e buta joniane, gjen në atë qytezë të largët veriore, me shumë dimër e acar, njerëz e miq të mrekullueshëm si Gjuranin, drejtorin e shkollës, Xhimin, dhe të shoqen, Najadën, njihet me të dashurën e tij, vajzë e shkëlqyer, Rozafën, me të cilën dëshironte të lidhte jetën, por që nuk e la “dora e hekurt” e përbindëshave të zinj të asaj kohe, të cilët ndienin kënaqësi për fatkeqësitë e të tjerëve. Nga ana tjetër, Xheki njihet edhe me monstra të tilla si Babëloku, që bënte ligjin mizor në krahinë, me injorantë si Dudumi, me femra të tilla të degjeneruara nga jeta e zvetënuar e vanitoze si Demona apo dhe si Diella, së cilës ia lëbyr sytë luksi përrallor e plot salltanete i bajraktarit Babëlok, prandaj bie në prehrin e tij.

Galeria e personazheve të romanit është e pasur. Autori ka mundur që përmes mjeteve të larmishme artistike të individualizojë secilin prej tyre. Tanimë, pas kaq vitesh, me një formim e përvojë të lakmueshme në mjeshtrinë artistike, e cila spikat edhe në veprat e tij të mëparshme, ai ka realizuar figura të tilla si Babëloku, ky përbindësh i vërtetë, që për mendimin tonë, nuk hasen shpesh në letërsinë e sotme shqiptare.
Jo më kot autori në vepër e vë në fokus të analizës artistike figurën e Babëlokut pas disa kapitujsh të romanit. Kjo gjetje të kujton dhe përqaset mirëfilli me Uriah Hipin e Dikensit, të cilin autori e përball me lexuesin pas kapitujve të parë të “David Koperfildit”. Te “Parajsa e mallkuar”, pasi shfaqet, Babëloku vihet në epiqendër të pjesës së mbetur të romanit. Ja me ç’viza jepet portreti i këtij njeri-përbindësh:

“Habitej madje dhe me frymëmarrjen e pazakontë të Babëlokut. Shfrynte njëherësh prej hundës dhe të një valvole të montuar në fyt, ca dufe të thella: çuf-çuf e çuf-çuf si të imitonte një lokomotivë me avull. Thuhej se dikur i ishte shpifur në grykë një çist kanceroz, që i dëmtoi kordat e zërit dhe i vështirësonte frymëmarrjen. Pas operimit, poshtë kombit të gushës, dukshëm, i kishin montuar një valvol, si një hundë shtesë për të përmirësuar procesin e frymëmarrjes. Dhe valvola shfrynte ritmikisht dhe provokonte kureshtje.

Babëloku, në pamundësi për të folur lirisht me zërin e tij, shprehej me nojma. Mbante një suitë rrotull që i shërbenin dhe njëkohësisht deshifronin nojmat për bashkëbiseduesit. Mimika e fytyrës dhe lëvizjet e kokës dhe të duarve të tij ishin shndërruar tashmë në një libër kodesh që lexohej orë e çast prej shërbëtorëve. Babëloku sillej brutal me suitën e vet. I trajtonte si lolot edhe ndihmësit dhe këshilltarët më besnikë. Mospërfillës shtirej edhe ndaj trimave, gardës së tij mbretërore, siç i quante ata që i ruanin jetën. I pëlqente të sundonte përqark si mbret dhe në fakt ishte shndërruar në një lloj mbretuci. Thoshin se nuk respektonte asnjë autoritet mbi veten. Madje sillej përbuzës edhe me ata lart, oborrtarët e të Parit fare. Nganjëherë nuk ia përtonte edhe të Parit me ndonjë të sharë ashtu përkëdheltaz…”

Dhënia me kaq vërtetësi përmes një përshkrimi sa tallës, aq dhe grotesk i kësaj figure të fëlliqur që simbolizon dhunën, fyerjen, mizoritë apo më saktë “kopanin a tokmakun e diktaturës” është bërë me një nëntekst dhe me një mllef të veçantë, i cili është mllefi i njerëzve të thjeshtë me shpirt fisnik të asaj kohe, që provuan mbi kurrizin e tyre të nëntëdhjetë e nëntat, provuan mizoritë e pashembullta, fatkeqësitë më çnjerëzore, plagët që kullojnë ende gjak të atij sistemi të llahtarshëm, i cili bënte të dridhej edhe foshnja në bark të nënës. Për këtë sistem dhe lakejtë e tij ishin mëse të rëndomta vrasjet e minatorëve në minierë, masakrimi i Albanit dhe i Rozafës, depersonalizimi i Zudiut, Demonës, Diellës etj. Pra i tillë ishte realiteti i asaj kohe të humbëtirës që autori me ironi e sarkazmë e ka quajtur “Parajsa e mallkuar”.

Duke gjykuar nga vlerat artistike të këtij romani, mund të themi me plot gojën që shkrimtari i talentuar Shefki Hysa me këtë vepër i ka bërë një autopsi të vërtetë kësaj “parajse”, këtij “gulagu komunist”, gjurmët e plagët e të cilit do të mbeten përjetësisht të pashlyera.

Menu