Diplomacia e Vetëmohimit

QË TË MOS KRUASH BRIRËT E KURRIZIN
Nga Shefki Hysa

Libri “Diplomacia e vetëmohimit”, i nderuar lexues, është një përmbledhje publicistike, me artikuj, ese, intervista, kujtime, mbresa, portrete, përshtatje, replika, reportazhe, rrëfime, redaktime e skicide të realizuara nga këndvështrimet e mia dhe të miqve të mi për zhvillimet e çështjes çame pas vitit 1990 (shumica e tyre të publikuara në faqet e revistës “Krahu i Shqiponjës” dhe pjesa tjetër në shtypin shqiptar). Është përmbledhja e një përvoje të madhe që nuk harrohet aq lehtë.

Janë bëmat, pësimet, zhgënjimet, lodhjet, vuajtjet, mundimet, stërmundimet, dështimet, sakrificat e përsëri sakrificat e ca intelektualëve idealistë të pandreqshëm, sakrifica herë-herë vërtet gjer në kufi të së pamundurës, të vetmohimit. Pra, është një përvojë e jetuar nga unë e bashkëpunëtorët e mi, me fitoret e humbjet, me arritjet e shikuara, arsyetuara, argumentuara, paragjykuara e gjykuara nga këndvështrimi i syve tanë, i pikëpamjeve dhe idealit të shpirtrave tanë… Për këndvështrimet e të tjerëve nuk di ç’të them, puna e tyre, aq më pak për ato të kundërshtarëve… Të tjerët le të merren vetë me pikëpamjet e tyre, madje po të duan le të kundërshtojnë edhe tonat, ca më tepër kundërshtarët, siç kanë vepruar në jetë të jetëve…

Nuk është as ekzagjerim e as shaka, po t’ju them se unë dhe miqtë e mi, megjithëse kemi parë vazhdimisht vetëm punën tonë, të tjerë në vend të merreshin me hallet e tyre, kanë parë e prishur punën tonë dhe pambarimisht na kanë kërcëlluar dhëmbët. Mor po na i kanë kërcëlluar aq shumë saqë çuditem se si nuk u janë thyer. Mor po na kanë kërcënuar edhe jetën, prandaj jo më kot them se jemi sakrifikuar gjer në kufi të vetëmohimit.

Unë për vete, të them të drejtën, shquhem më shumë si mentar se sa si luftëtar i çartur, në jetë prirem prej mendimit që punët më të mira vijnë prej dialogut, bashkëpunimit, negociatave, me një fjalë prej veprimeve paqësore e diplomatike. Nisur nga kjo pikëpamje, më pëlqen të jem nga pak diplomat.

Dihet se arritjet e diplomacive botërore shpesh janë shumë herë më të mëdha se ato të luftrave. Nga përvojat njerëzore, dihet se lufta fillon pikërisht aty ku shteron diplomacia dhe sjell veç shkatërrime e pasoja të pallogaritshme. Dhe çuditërisht palët pasi vriten e priten e shfryjnë mirë e mirë dufet në kurriz të njëra-tjetrës, gjer në stërstërmundim, herë-herë gati gjer në frymën e fundit të jetës, më në fund kujtohen se ka edhe dialog, dorëzim e kapitullim, marrëveshje mirëkuptimi dhe respektim kushtesh e rregullash të vendosura në tryeza bisedimesh, me një fjalë marrëdhënie diplomatike, diplomaci… A nuk ndodhi pikërisht kështu me Japoninë në Luftën e Dytë Botërore?… A nuk u dorëzua ajo pas shkatërrimit apokaliptik që sollën bombat atomike në Hiroshima e Nagasaki?!… Dhe dihet se u detyrua t’i nënshtrohej diplomacisë pa kushte… Dhe pikërisht diplomacia e riktheu në jetë, i solli atë lulëzim të paparë elektroniko-kibernetiko-robotik… E çoi në të ardhmen e saj, njëlloj si në ëndërrimet njerëzore për botët fantastiko-shkencore…

Dihet se përvoja për njeriun në jetë është mësim dhe pësim, pra mësuese e mirë dhe e keqe… Dhe të nxjerrësh mësime nga përvoja jote nuk është keq, por të nxjerrësh mësime nga pësimet e tua sikur nuk është fort e këndshme, të paktën për brirët dhe kurrizin. Jo më kot thotë edhe një fjalë e urtë që ndonjëherë është më mirë të mësosh nga përvojat e pësimet e të tjerëve sesa nga të tuat, sidomos nga përvojat e hidhura… Larg prej tyre…

Nuk besoj se është ndonjë përvojë e mirë përplasja e brirëve me të tjerët, goditja e gjakosja gjer në shfarosje të njërës apo të tjerës pale, vetëm e vetëm për të arritur realizimin e një ideje. Më konkretisht, ç’vlerë do të kishte që unë dhe brezi im të luftonim marrëzisht e të vriteshim me të tjerër për zgjidhjen e çështjes çame, me shpresën se idealin tonë do ta realizonin pasardhësit tanë?… Përse të zhbëheshim ne me shpresën e çudirave të pasardhësve, kur janë të shumta rrugët që mund ta realizojmë vetë paqësisht idealin çam?… A nuk është marrëzi që për një kokëkrisje, lajthitje a inat të çastit, të lësh pa realizuar programin e punës tënde, të lësh pa jetuar gjithë pasion jetën tënde, me mendimin se do ta përjetojë fëmija yt, që nuk dihet se kur do të lindë dhe nëse do të lindë i mbarë a i prapë a me dëshira dhe ëndrra krejt të tjera nga ato të tuat?… A nuk është çmenduri një përvojë e tillë?…

Për mua, po… Unë dhe miqtë e mi me mençuri, urtësi e diplomaci po realizojmë synimet dhe objektivat tona; përplasjet, kërcënimet, luftërat dhe asgjësimet ua kemi lënë të tjerëve, kundërshtarëve tanë… Dhe kështu me mençuri e sakrifica gjer në prag të vetëmohimit, do ta bëjmë një realitet të mrekullueshëm ëndrrën e madhe të çamëve…

Vlerësime

DIPLOMACI E PAMUNDUR APO?!... - Nga Hysen Sinani

DIPLOMACI E PAMUNDUR APO?!…

Nga Hysen Sinani

“Diplomacia e vetëmohimit”. Kështu e ka titulluar shkrimtari Shefki Hysa librin e tij të fundit, të cilin e lexova në dorëshkrim me një frymë, jo vetëm nga kureshtja që më nxiti tematika e tij, por më tepër nga ajo mënyra e çiltër me të cilën na e servir ai temën e madhe të çështjes çame.

Ai të habit kur, në një mënyrë ashtu si të rastësishme, duke folur për talentin e Çamërisë, Bilal Xhaferrin, bie fjala, dhe fatin e tij të trishtuar, kalon në thelbe politike e historike aq të rëndësishme sa ti thua me vete: dale pak, t’i kthehem edhe një herë kësaj faqeje për ta kuptuar më mirë çfarë po tregon dhe çfarë paska ndodhur!

Gjatë gjithë kohës që lexoja dorëshkrimin prekës të Shefki Hysës, sepse ai i bën përshkrimet edhe në mënyrë prekëse, më vinte në mendje një thënie e hershme e Zhan-Pol Sartrit: shtetet janë si njerëzit, secili shikon interesin e tij… Nuk e mbaj mend në çfarë konteksti e kishte thënë këtë gjë, por mua tani nuk më shqitej nga mendja dhe, në të vërtetë, tek libri në fjalë, madje në të gjitha trajtimet e çështjes çame, vija re se vetëm shteti grek kishte qenë si njerëzit dhe kishte parë interesin e tij në lidhje me fatin e hidhur të një minoriteti të përzënë prej vendit të tij. Shteti shqiptar, si ai i djeshmi, ai i pardjeshmi dhe po aq ky i sotshmi nuk donte t’ia dinte për këtë fat e për këtë çështje jo të vogël kombëtare.

Përse vallë?
Thjesht dhe shkoqur për arsyen e parë që ka qenë dhe është një shtet vocërrak, i krahasueshëm me atë lypsarin e mbledhur grusht që di vetëm të kërkojë lëmoshë. Duket qartë ky shtet i vogël edhe në librin e Shefkiut; duket në ato paraqitjet aq të natyrshme të përjekjeve për ta ngritur çështjen çame në rangjet e diplomacisë ndërshtetërore, për ta zyrtarizuar në atë mënyrë që të mund të kërkohet zgjidhja e saj qartë dhe sipas rastit. Sepse, deri këtu ku ndodhet, ajo mbetet jashtë protokollit grek fare të zbrazur nga një çështje çame.

Është vërtet i dobishëm dhe tërheqës ky libër që Shefki Hysa ka përgatitur për shtyp.

Pa hyrë në hollësitë e persekutimit të dikurshëm çam nga ana e grekëve shovinistë, autori kalon lehtësisht nga njëri përshkrim te tjetri duke thurur një fill mjaft të ndritshëm e të kuptueshëm për cilindo lidhur me një çështje që jo rrallë është paraqitur qëllimisht shumë e ndërlikuar. Kështu, nga disa episode politike rreth këtij problemi kombëtar, natyrshëm ti thua me vete: mirë grekët, se ata interesin e tyre do të shohin, po ne çfarë kemi që tulatemi dhe nuk guxojmë t’ua përmendim të drejtën tonë as edhe si me shaka?

Duke lexuar këtë libër, i cili jo vetëm të informon nga brenda politikës shqiptare për çështjen “e ngecur” çame, por të jep edhe kënaqësi të vërteta estetike me disa përshkrime të bukura të gjendjeve emocionale dhe tipave të ndryshëm jetësorë, kupton e bindesh që kjo çështje kombëtare, sado që të zgjasë, do të vijë një ditë kur do të zgjidhet në mënyrë aq të natyrshme, sa mund të çuditesh që brezat të cilët luftuan aq shumë për atë çështje, ta kishin pasur aq të vështirë…

Kështu ndodh me shtetet, ashtu si me njerëzit: kur dikush bëhet më i fortë, tjetri bën rrugë e buzëqesh me mirësjellje… Të paktën, këtë gjë, libri i Shefki Hysës do të na e kujtojë një ditë kur të jemi bërë edhe ne të fortë.

Çamëria, si duhet të jetë – Arben Çokaj

Inspiruar nga libri “Diplomacia e vetëmohimit” të Shefki Hysës

Shpeshherë në jetë ndeshemi me sfida të papërballueshme. Përpjekjet për ekzistencë të duken të pamundura dhe qenia i nënshtrohet fatit. Në përgjithësi njeriu fatkeq beson tek fati, më shumë se ata që kanë sukses. Por asnjeri nuk mbijeton pa u përpjekur. Profeti u thoshte të gjithëve “mbill”, kur e pyesnin se si do të ishte moti atë vit. Dhe çfarë do të mbjellësh, atë do të korrësh.

Çështja çame ka qenë e pamundur për më shumë se gjysmë shekulli. Regjimi komunist e varrosi dhe pjesa më e dalluar e atyre çamëve, që u shpërngulën përdhuni në Shqipëri, u përndoq agresivisht edhe nga regjimi i çmendur shqiptar. Të njëjtin fat kishin edhe kosovarët e arratisur nga Kosova për në “parajsën” Shqipëri të asaj kohe. Ngaqë pritshmëria e tyre ishte e madhe, kosovarët s’e mbanin veten nga dëshpërimi dhe përfundonin kështu në burg për agjitacion e propagandë.

Një fat të ngjashëm pati edhe Bilal Xhaferri, shkrimtari më i dalluar me origjinë çame. I ati i tij u vra nga komunistët, ndërsa Bilali ishte fëmijë. Regjimi komunist ishte i papërballueshëm – të vriste për një fjalë goje. Dhe Bilali, për të jetuar, u detyrua të arratisej. Ai krijoi një vepër letrare të dallueshme, dhe mbajti në SHBA për vite me radhë revistën “Krahu i Shqiponjës”, që simbolizonte Çamërinë, revistë që vazhdon të botohet në Shqipërinë e post-komunizmit nga shkrimtari dhe atdhetari i njohur çam, Shefki Hysa.

Javët e fundit, shkrimtari Hysa ka dalë me një libër të mrekullueshëm: “Diplomacia e vetëmohimit”, i cili trajton çështje të zhvillimeve çame dhe përpjekjet personale të autorit për të mbajtur gjallë substraktin çam, shpirtin e një populli të keqtrajtuar, të vrarë e të nëpërkëmbur.

Mbi popullsinë çame u ushtrua një gjenocid i pashembullt, në kohën kur shteti grek nuk i njihte liritë dhe të drejtat e njeriut. Krimet e tmerrshme të bandave Zerviste e më gjerë, dhe harresa që imponoi regjimi komunist në Shqipëri, kanë qenë të mjaftueshme për ta tulatur popullsinë çame, sidomos atë pjesë që u detyruar përdhuni të shpërngulej për në Shqipëri. Çamët e kishin të vështirë të zgjoheshin dhe vështirësitë vazhdojnë edhe sot pas 18 vjetësh demokraci, pasi politika e shtetit grek dhe atij shqiptar nuk mundi të konvergjonte në një zgjidhje politike për pronat e çamëve. Kur një e drejtë mohohet, është e vështirë ta fitosh atë plotësisht. Harresa ishte e qëllimshme dhe ashtu vazhdon të jetë.

Në Shqipëri dhe jashtë saj, ka çamë të dalluar për arritjet e tyre në jetë. Çamët janë organizuar në shoqata, parti etj., për të kërkuar të drejtat e tyre, që u ishin mohuar për dekada. Ata kërkojnë pronën e tyre në Çamëri, në atë pjesë të veri-perëndimit të Greqisë fqinje, ku çamët kanë trojet e veta. Shteti grek, edhe në kohët e sotme nuk është treguar i gatshëm të pranojë të vërtetën historike, pavarësisht se çështja çame njihet edhe nga historianët e Greqisë, njihet nga diplomacia ndërkombëtare, sidomos nga ajo perëndimore, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, i cili ka ndërmarrë edhe një rezolutë në përkrahje të çështjes çame.

Analisti dhe politologu i njohur shqiptar, Arben Xhaferi, që ka të njëjtin mbiemër me shkrimtarin e madh çam, do të përkufizonte: “ka popuj që krijojnë histori, ashtu siç ka popuj që krijojnë kronika”. Duhet vetëdije e lartë dhe një punë e përbashkët organizuese, “vetëmohuese”, siç cilëson shkrimtari dhe veprimtari çam Shefki Hysa, që kronikat të kthehen në histori. Çamët kanë historinë e tyre; duhet të fillojnë ta promovojnë atë edhe më shumë, derisa të arrijnë rezultatin e dëshiruar.

Pavarësisht vështirësive të shumta, sot çamët i kanë mundësitë që përmes një organizimi më të mirë dhe vetëdijeje të pa-manipulueshme, t’i imponohen shtetit grek deri në njohjen nga ai të të drejtave çame, si grupim shoqëror e jo vetëm individual. Pronat e çamëve janë zënë nga njerëz të tjerë, një pjesë e mirë e tyre, grekë të kthyer nga Turqia, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo përbën edhe një problem social për Greqinë, që pronën e çamëve, të cilën e kanë marrë në përdorim për dekada me radhë grekët e ardhur, t’ia kthejnë tani shqiptarëve çamë.

Duke parë mungesën e dëshirës së shtetit grek dhe problemet që mund të hapen në shoqërinë greke me kthimin e çamëve në trojet dhe pronat e tyre, çamëve nuk u mbetet gjë tjetër vetëm që të organizohen edhe më mirë se ç’kanë bërë deri tani, për ta bërë realitet të drejtën e tyre. Çamët duhet ta marrin vetë në dorë fatin e vet. Shteti shqiptar, është tepër i korruptuar, i paaftë dhe i rrezikuar për të ndihmuar sa duhet në këtë çështje. Të gjithëve na kujtohet përqasja e mangët dhe mungesa e interesimit të shtetit shqiptar për çështjen e Kosovës. Diplomacia shqiptare hapi gojë vetëm atëherë kur kosovarët fituan simpatinë e perëndimit.

Zgjedhja e presidentit Obama në SHBA, një njeriu me ngjyrë, na kthen në retrospektivë, që të shohim se çfarë kanë hequr zezakët e Amerikës ndër shekuj. Zezakët ishin skllevër dhe u desh një luftë civile veri-jug, që të çliroheshin prej skllavërisë. Racizmi dhe injorimi, vijoi më pas dhe ishte tepër i egër deri në fillim të shekullit të kaluar. Por përpjekjet e tyre bënë që gradualisht, përmes vuajtjeve, keqtrajtimeve vrasjeve dhe racizmit, të arrinin të fitonin të drejtat e tyre dhe sot në SHBA kemi një President me ngjyrë, nën sloganin “Po, ne mundemi!”. Zezakët në Amerikë e prekën ëndrrën e tyre, se mundën.

Po çamët?! Kështu edhe çamët, nëse punojnë me vetëdije të lartë e një organizim bashkëkohor, ku secili jep kontributin e vet dhe kontributet nuk shpërdorohen por përdoren me efektshmëri, për të arritur qëllimin e lartë të realizimit të ëndrrës së tyre, për t’u kthyer në tokat e të parëve dhe për të marrë pronat e lëna trashëgim, ata do të jenë në gjendje të arrijnë atë, që sot mund të duket e pamundur. Për këtë, çamët kanë edhe një shembull të gjallë, Kosovën.

Ndodhesha një herë në Fushë-Krujë tek dentisti. Një krutan më kundërshtonte në përpjekjen time për t’i sqaruar se Kosova një ditë do të bëhet e pavarur. “Kurrë nuk bëhet e pavarur!” – më thoshte ai. Dhe unë ia ktheva: “Kosova bëhet e pavarur për ata që besojnë e punojnë, që ajo të jetë e pavarur. Ke për ta parë!” Fati e desh, që Xhorxh Bush të vinte në Shqipëri dhe ta shpallte në Fushë – Krujë, se Kosova do të jetë një shtet i pavarur. Pavarësia u arrit me punë e sakrifica dhe me përpjekje duhet të mbahet e tillë.

Në përpjekjet e tyre të drejta, çamët duhet të fokusohen në nxjerrjen e një lideri politik e shpirtëror, siç nxorën kosovarët Dr. Ibrahim Rugovën, të paguajnë një kontribut simbolik (kosovarët emigrantë paguanin 3% të rrogës së tyre) për këtë organizim të përbashkët, se pa para nuk mund të kryesh punë në kancelaritë e sotme, dhe të bëhen më të vetëdijesuar për realitetin që i rrethon, se askush nuk mund t’i ndihmojë ata, më shumë se ata mund të ndihmojnë vetveten.

“Diplomacia e vetëmohimit” mund të bëhet një çelës zgjidhjeje, nëse një pjesë e mirë e çamëve punojnë dhe sakrifikojnë kohën dhe pak nga pasuria e tyre, siç bën edhe atdhetari Shefki Hysa, për këtë çështje të drejtë e të përbashkët. Sukseset nuk vijnë vetvetiu – vijnë duke punuar për t’i realizuar ato.

Botuar në gazetat ShqipStandardTemA, etj.

Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar – Dukagjin Hata

Bota çame, një rrëfim historiko-publicistik i shpirtëzuar

— nga Dukagjin Hata3 shkurt 2009

Rreth librit publicistik “Diplomacia e vetëmohimit” i autorit Shefki Hysa

Shkrimtari Shefki Hysa, një nga kërkuesit më të pasionuar të psikolgjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli muhaxhir, atij çam, në dejet e të cilit rrjedh gjak i pastër i epirotasve të vjetër, që e shkruan historinë e fiseve krenare e të panështruar ndaj të huajve, në lëvoren e pemës vigane të kujtesës sonë kombëtare.

Shefki Hysa e ka shndërruar temën e fatit të Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv ndërthuren në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë.
Pas një sërë rrëfimesh të mrekullueshme si tregime, romane dhe saga, ku bota çame lëviz në dritëhijet e kohës, Shefki Hysa i kthehet një historie të drejtpërdrejtë, por një “historie të shpirtëzuar nga uni poetik”, siç mund të thoshte Umberto Eco, për kohën e ndaluar çame. Kjo kohë jepet në tredimensionalitetin e saj, në lidhje me ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, europiane dhe botërore, ku kalojnë faktet historike, të vërtetat e ndrojtura dhe ato të shpallura bujshëm, për tek pema e dhimbjes dhe dashurisë së një populli të ndaluar.

Shpërngulja çame, foto
Ilustrim i gazetës “Shqip”
Në këtë vazhdë, libri i tij i ri “Diplomacia e vetëmohimit” është një përmbledhje publicistike me artikuj, ese, intervista, kujtime, mbresa, portrete, përshtatje, readaktime, replika, reportazhe, rrëfime, skica, në fokus të së cilës është zbulimi i botës shqiptare të Çamërisë, në atë vektor historik dhe aktual që quhet çështja çame dhe që përbën nyjen gordiane të historisë së re shqiptare.

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, ku përzihen rrëfimi dhe investigimi, portretizimi dhe analiza, ngjyrimi letrar dhe tharmi gazetaresk, qëndrimi personal dhe qëndrimi komunitar e, më tej, qëndrimi kombëtar për këtë çështje kapitale të botës shqiptare, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe elegante, ku kërkimi integral i gazetarit përzihet me tharmin estetik të shkrimtarit, Shefki Hysa na sjell në këtë libër më shumë se një shqetësim për fatin historik të një populli ikanak, të sakrifikuar në rrugën e kalvarit të dyfishtë, atij greko-zervist dhe enveristo-komunist.

Autor i disa librave artistikë si tregime dhe romane, ku herë pas here ka përcjellë hapësira narrative dhe dukuri të botës çame, (për romanin e tij të fundit që trajton fatin dhe fatalitetin çam flet me admirim Kadareja), Hysa në këtë libër na sjell një vlerësim historiko-letrar dhe filozofik mbi një plagë të botës shqiptare, plagën çame. Kjo plagë, që vazhdon të na shkaktojë dhimbje të gjithë ne shqiptarëve, duhet operuar pa u kthyer në gangrenë dhe pa dëmtuar gjithë trupin e çështjes kombëtare shqiptare, pohon autori me sjelljen e fakteve dhe qëndrimin intelektual të tipit gandist të tij.

Autori nënvizon me forcën e argumentit, se në tunelin e errët të një të kaluare tragjike, e cila ende duket se mban peng kujtesën e të gjallëve dhe të të vdekurve, pas kaq kohësh heshtjeje, paragjykimi dhe dizinformimi, duket, më në fund, një fjollë drite. Autori na fton të rendim drejt kësaj fjolle, të shohim matanë saj, atë rrugë ku shpaloset vizioni dhe strategjia e ardhmërisë për atë tokë dhe popull të sakrifikuar.

Në këtë libër voluminoz lëvizin personazhe historikë dhe vipa, njerëz të thjeshtë dhe indidvidë që e kanë mbartur barrën çame rrugëve të Gogoltës staliniste shqiptare, lëvizin Bilal Xhaferri, Ismail Kadareja, Namik Mane, Sabri Godo, Bedri Myftari, Ibrahim Hoxha, Pandeli Koçi, Pjetër Arbnori, Sali Berisha, vizioni politik dritëshkurtër që nuk prodhon asgjë përveçse konjuktura momenti për hir të mbijetesës së iks partie apo ypsilon politikani, por dhe ai vizion që mbruhet në kudhrën e nacionalizmit real (jo të nacionalizmit folklorik) dhe gjeneron ide për të ardhmen e popullit dhe truallit çam.

Por këndvështrimit të gjërë, investigues, përqasës dhe polemizues nuk i shpëtojnë dhe figura të tilla ndërkombëtare si Hillari Klinton, studiuesja dhe diplomatja angleze Miranda Wickers etj, që në manastirin e zymtë të çështjes çame kanë ndezur qiririn e shpresës.
Universi i botëvështrimit të autorit është vetë universi i thyer dhe shumëplanësh i çështjes çame, e cila përbën një dimension ende të paeksploruar të çështjes kombëtare shqiptare.

Në thelb libri është një përvojë e jetuar nga autori dhe bashkëpunëtorët e tij, me fitoret e humbjet, me arritjet e shikuara, arsyetuara, argumentuara, paragjykuara e gjykuara nga këndvështrimi i syve të atyre, që në ëndrrën dhe vizionin e tyre ideal, Çamërinë e kanë pasur dhe e kanë në bashin e vendit.

Autori vlerëson botën diplomatike dhe reagimet e saj, që ndonëse të brishta, prap kanë bërë të tyren për të sensibilizuar këtë hapësirë të trishtë të kujtesës kolektive të botës shqiptare, duke nënvizuar faktin se arritjet e diplomacive botërore janë shumë herë më të mëdha se ato të luftërave.

Dishepull i frymës gandiste dhe i atyre rrugëve që çojnë ujë në zgjidhjet efektive kombëtare nga mulliri i intelektualitetit, Hysa i bën apel elitës së shoqërisë shqiptare të bëjë atë që duhet për Çamërinë, të kontribuojë që vizioni çam të mos mbetet peng i një të kaluare të trishtë.
Autori nënvizon me dhimbje heshtjen thuajse apostolike të shtetit shqiptar përballë një drame historike dhe aktuale, dramës çame, ndërkohë që diplomcia e huaj dashamirëse ndaj shqiptarëve u kujton politikanëve të vendit të shqiponjave, se Çamëria është një peng historik që duhet çliruar nga keqkuptimi dhe padrejtësia, duke e nxjerrë çështjen nga ngrehinat e mykura të arkivave në agjendën politike të ditës.

Autori përshkruan labirinthet e një dosjeje sa të keqkuptuar, aq dhe befasuese, për nga shkalla e perceptimit të vetëdijes politike të shqiptarëve. Atë që nuk e bënte dhe vështirë se do ta marrë kurajon ta bëjë ndonjëherë politika e mefshtë dhe pritëse deri në penelopizim naiv, rreken ta bëjnë të huajt e përgjegjshëm, miqtë e këtij vendi me sytë nga Perëndimi. Kështu në verën e vitit 2001, me ndërmjetësimin e Hillary Clinton çështja çame u paraqit në Seantin Amerikan. Në një seancë dëgjimore senatorët u informuan për marrëdhëniet shqiptaro-greke, për zhvillimet, acarimet dhe zbutjet e tyre, që nga vera e vitit 1944, kur ishte ushtruar genocidi mbi popullsinë muslimane, me kombësi shqiptare të Çamërisë, të quajtur ndryshe Thesprotia, duke e masakruar dhe dëbuar atë prej vendlindjes dhe vendbanimit, truallit etnik.

Autori përshkruan reagimin e lobit grek në Amerikës dhe të politikës zyrtare të Athinës, kartat e justifikimeve të kësaj politike, mbyllja në një muranë të izoluar e këtij problemi, nxjerrja në pah e gjoja faktit se në Shqipëri nuk ekzistoka një organizëm që të përfaqësojë çamët, se shteti shqiptar e ngreka këtë çështje vetëm si kundërpeshë në momente të acarimit të marrëdhëniesve dypalëshe midis Tiranës dhe Athinës dhe se tek e fundit ky problem nuk ekzistonte dhe aty ku diçka nuk ekziston nuk ka asgjë për t’u zgjidhur.

Si për t’i bërë jehonë një realiteti të ri politik, që konturohej në Senatin Amerikan për Çamërinë, diplomatja dhe studiuesja angleze Miranda Wickers, i përcjell një tjetër sfidë politikës greke, kur ajo si përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme Angleze publkoi një studim të detajuar me të dhëna dhe fakte historike të pakontenstueshme rreth tragjedisë së popullit çam dhe shkaktarëve të saj. Kjo iu dha një shuplakë të fortë qarqeve politike të Athinës, vuri në lëvizje dhe disa nga deputetët e Parlamentit Europian si italianin radikal Marko Panela etj, të cilët ishin një zë proteste, që vinte në kohën e duhur dhe nga drejtimi i duhur kundër heshtjes deri në harrim të njërit prej problemeve më kardinale të historisë së kombit shqiptar.

Një vend të rëndësishëm në libër zë personaliteti letrar dhe intelektual i Bilal Xhaferrit, shkrimtarit elitar të Çamërisë, disidentit që e pagoi lirinë e krijimit me jetën e tij të re, amplifikuesit më të zellshëm dhe më të pasionuar të botës çame, të cilën ai e ngriti në qiellin e shtatë të një estetike brilante.

Shefki Hysa, me angazhimin e tij intelektual, ndikoi që figura e Bilal Xhaferrit të dilte nga pluhuri i keqkuptimit dhe falsifikimit pesëdhjetvjeçar dhe të zinte vendin e merituar në panteonin e harruar të letrave të disidentëve.
Udhëtimi i Shefki Hysës në analet e botës çame është një udhëtim virtual, ku mplekset fakti dhe detaji historik me impersionin e autorit, gjeopolitika ndërkombëtare me rrëfimin për heshtjen apostolike deri në naivitet politik të institucioneve të Tiranës zyrtare, investigimi në të vërtetat e mbuluara nga pluhuri i harresës me deduksionin për gandizmin intelektual, si mjet për identifikimin dhe përftimin e parajsës së ndaluar çame.

Ashtu siç thotë dhe shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare: “Ky libër është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë… Kurrë nuk mund të harrohet Çamëria”.

Botuar në gazetën Shqip, 11.02.2009.

Tungjatjeta Çamëri! – Emrie Krosi

TUNGJATJETA ÇAMËRI!

— nga Emrie Krosi12 shkurt 2009

Shënime për librin “Diplomacia e vetëmohimit” e autorit Shefki Hysa

“Diplomacia e vetëmohimit” e shkrimtarit Shefki Hysa është një paraqitje sa e çiltër aq edhe dëshmuese e një kalvari të gjatë mundimesh të popullatës muhaxhire çame, është një lloj historiku i zhvillimeve të një prej çështjeve më delikate, siç është çështja çame, që ende këlthet e kushtron për mohimin që i bëhet. Êshtë peng e moszgjidhje e të drejtave jetike të një popullate martire. Si çdo popullsi tjetër, edhe çamët e dëbuar me dhunë nga shtëpitë atërore në Çamëri, gëzojnë të drejtën e pronës dhe të trashëgimit të truallit të të parëve të tyre, por vitet kalojnë e askush nuk kujtohet për të ndrequr padrejtësinë që u është bërë.

Pas shembjes së pushtetit diktatorial në Shqipëri shpresa e çamëve rilindi. Menduan se kalvari i vuajtjeve të tyre do të merrte një zgjidhje dhe se ata do ktheheshin në vatanin e tyre, në Çamëri, aty ku kanë dhe varret e të parëve, por ky “zgjim postraumatik” s’qe gjë veçse një zhgënjim tjetër. Me sa duket për ta do të kishte akoma e akoma vuajtje, dhimbje e mohim… Tradhtia më e madhe dhe pabesia më e turpshme ndaj kësaj plage të shpresës së tyre të rivrarë rishtas ishte dhe thënia ogurzezë e grekut Micotaqis, në Tiranë, në pranverën e vitit 1991: “Nuk ekziston problem çam”.

Atëherë kush qenka Çamëria?!… Po çështja e saj?
Çamëria, fjalë ende e ndaluar si “molla e Adamit” në fjalorin e politikës shqiptare, por edhe në rrethet e politikave ballkanike e ndërballkanike. Çamëria, një krahinë që kushdo e njeh dhe e ka shkelur, ka mbetur i habitur nga mrekullitë e saj, jo vetëm ato natyrore, por edhe kulturore. Një krahinë që u përket shqiptarëve çamë e që nuk mund të tjetërsohet dhe as të mohohet. U përket atyre që lindën dhe u rritën në atë truall të aneksuar padrejtësisht prej Greqisë më 1913, të cilët quhen dem baba dem shqiptarë, banorë autoktonë të asaj treve, ndoshta shumë më përpara se të vinin fiset greke nga ishujt e Azisë së Vogël, shumë e shumë kohë para Odisesë…

Greqia këtë fakt e di mirë! Pse atëherë ka frikë ta pohojë?! Nga gjykimi i vetvetes apo i historisë së saj?! Këtyre e shumë pyetjeve të tjera u jep përgjigje të sakta përmbledhja voluminoze “Diplomacia e vetëmohimit”. Në këtë libër autori Shefki Hysa pasqyron, midis të tjerash, edhe takimet e bisedat, debatet e replikat, dialogjet e përplasjet jo vetëm me politikën e kohës së regjimit komunist, por edhe me politikanët e periudhës postkomuniste si me: Sali Berishën, ish President i Republikës, Ibrahim Rugovën, ish liderin e Kosovës, me Mandelën shqiptar, Pjetër Arbnorin etj., etj. Këto peripeci e orvajtje atë nuk e lodhën, por me një kurajo dhe vendosmëri të madhe prej çami, me shpirtin luftarak e binjak me Bilal Xhaferrin, simboli dhe udhëheqësi i tij ideal, që lindi çam dhe vdiq çam, arriti deri aty sa me “diplomacinë e tij të urtë” është përballur me diplomacitë perëndimore, me të vetmin ideal: Çamërinë dhe Shqipërinë etnike.

Në përpjekjet e tij Shefki Hysa, herë të forta dhe herë të buta, me ustallarët e politikës dhe diplomacisë, iu desh të përdorë një lloj zgjidhjeje të tipit “deux ex machina”, nëpër rrugëtimin e gjatë për mbrojtjen e çështjes çame. Instancat më të larta të shtetit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë, Presidenca e Republikës dhe Qeveria, janë nxitur shpesh të mbështesin dhe zgjidhin problemin çam, pavarësisht se kanë bërë shumë pak apo pothuajse nuk kanë lëvizur as gishtin, ose që kanë penguar si në mars 2004, kur rrëzuan rezolutën çame. Shefki Hysa dhe miqtë e tij kanë trokitur edhe deri në Parlamentin Euroipian, janë takuar me Komisarët e të Drejtave te Njeriut, me z. Franco Fratini e Oli Rehn si dhe me eurodeputeten Doris Pack (në prill- maj 2006).

Kosova e arriti pavarësinë e saj, por Çamëria ende asgjë. Zgjidhja e problemit çam ende pengohet nga vetë qarqet e politikës shqiptare të shitura te greku e serbi. Mos vallë duhet edhe ajo “të militarizohet” për të realizuar të drejtat që i janë mohuar përdhunisht nga zervofilët grekë? Mos vallë duhen sjellë sërish në këto troje, si në Kosovë, përballë politikës së tredhur shqiptare “Klintonët e Bushët e rinj të Amerikës” që të “urdhërojnë” zgjidhjen e çështjes çame?!… Së pari Çamëria është çështja jonë, çështje mbarëshqiptare, jo vetëm e çamëve. Duhet kuptuar mirë se problemi i Çamërisë është i të gjithë shqiptarëve, edhe i politikës e diplomacisë sonë, të cilat duhet të mësohen të vetëveprojnë me përgjegjësi kombëtare dhe jo me poza servile, siç kanë vepruar deri tani, vetëm kur marrin urdhra nga politikat e mëdha botërore.

“Çështja çame ka karakter mbarëkombëtar dhe mbarëshqiptar”, – është shprehur ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një intervistë të viteve `90 në Tiranë, për gazetën “Kombi”, – “duhet patjetër” -theksonte ai,- “që ta bëjmë pjesë të shpirtit tonë, pastaj t`ua parashtrojmë organizmave ndërkombëtarë e dashamirësve tanë nëpër botë dhe të kërkojmë zgjidhjen e saj”… Çamëria është çështja e shtruar për zgjidhje dhe koha nuk prêt. Duhet të punojmë së bashku gjithë faktorët shqiptarë për të pasur një Shqipëri të fuqishme që të konkurojë bindshëm në Europën e qytetëruar dhe për këtë duhet patjetër që edhe çështja çame të zgjidhet ashtu siç u pavarësua Kosova. Duhet punë e madhe për ta çuar në vend ëndrrën e qindra-mijëra çamëve, për të qenë jo vetën në atdheun e të parëve, por edhe qytetarë të denjë të Europës së bashkuar.

Shumë thonë se Çamëria nuk merret! Por e fundit vdes shpresa! Nëse do të mendojmë si mendjeshkurtërit asnjëherë nuk do ta zgjidhim problemin e Çamërisë, por po të kemi më shumë guxim dhe vlera shqiptarie, por edhe më shumë vullnet politik, jo vetëm që do ta zgjidhim këtë çështe, por do të jemi edhe një komb i bashkuar, do të zemë vendin tonë që na takon në në Ballkan e në Europë, do të jemi shumë më dinjitozë para Qytetërimit Perëmdimor, pjesë e të cilit është edhe kombi i madh shqiptar.
Po të jemi të kujdesshëm, libri “Diplomacia e vetëmohimit” nuk është vetëm një apel, por edhe një lloj bible, një model i të bërit politikë e diplomaci, që shumë mirë mund të quhet edhe “diplomacia e urtësisë” e Shefki Hysës, gjë e cila bie në sy edhe në marrëdhëniet e tij me politikëbërësit shqiptarë e ata botërorë, por edhe me miqtë e tij çamë, shqiptarë e të huaj. “Diplomacia e vetëmohimit” është pasqyra e tërë veprimit e mosveprimit shqiptar, është ehoja e tërë përpjekjeve atdhetare të shumë intelektualëve idealistë që çështja çame të ketë jehonë sa më të madhe brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe duhet të jehojë fuqishëm edhe për ata që nuk e njohin akoma apo dhe kanë harruar qëllimisht që ekzison një cështje e hapur, e cila quhet Çamëri.

Të vjen keq, kur midis rrjeshtave të librit, përveçse betejës për Çamërinë e për lartësisim e figurës së Bilal Xhaferrit dhe veprës së tij atdhetare në Shqipërinë diktatoriale e në Amerikë, (vërtetuar kjo nga intervistat, kujtimet, reportazhet e mbresat e miqve e bashkëkohësve) dallon edhe gjurmët e pabesisë, babëzisë dhe mosdëshirës për të vepruar, ca më keq edhe pengesat e tradhtitë e atyre që e kanë për detyrë të punojnë për atdheun e tyre. Indinjohesh thellë kur ata që u janë besuar fatet e vendit edhe nga vota e çamëve, me shpresën se një ditë… “eh një ditë… do të kthehen në vatanin e vet për të vendosur qoftë edhe një tufë lule te varret e të parëve”, sabotojnë në vend të zgjidhin problemin. Pra, politika e diplomacia shqiptare tanimë janë të verbra dhe të shurdhra, ndaj çështjes çame, këtë përfundim arrin dashur padashur.

Ndërkohë Shefki Hysa e miqtë e tij arrijnë ta çojnë “Amanetin e Bilalit” deri në Kongresin Amerikan ku zëdhënëse e tyre u bë politikania e madhe Hillari Clinton apo në Strasburg, ku eurodeputetja Doris Pack shprehet: ‘Grekët kërkojnë të drejtat e minoritetit të tyre në Shqipëri, por harrojnë se çëshja çame është njëlloj si çështja e grekëve që u dëbuan nga Çekia dhe Polonia si bashkëpunëtorë të Hitlerit… Çamëve duhet t`u njihet e drejta të vizitojnë vendlindjen e tyre, të vizitojnë varret e të afërmve. Asnjë grek nuk mund t`i kundërvihet faktit që të trajtohen të drejtat humanitare të popullsisë çame, për vizita në vendlindje dhe në varret e të parëve të tyre. Përsa i përket çështjes së pronave, Greqia dhe Shqipëria duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe ta zgjidhin midis tyre”… Kurse eurodeputeti greko-qipriot shprehet: “…Çështja çame përbën një problem që ekziston dhe që ne duhet ta kalojmë”… Pra, “lufta vazhdon”. Beteja të tjera i presin çamët. Beteja finale do të jetë atje, në Çamëri, atje ku “vendi ndërronte aromë/ erë dehëse kanelle/ erë mishi qenjgi të njomë…, – siç theksonte Bilal Xhaferri në poezinë “Aromë Çamërie”…

Nuk është thjesht një dedikim Çamërisë dhe Bilal Xhaferrit, ky libër, por një klithmë që akoma jehon nëpër qytetet e zonat e Çamërisë të braktisura nga banorët e tyre, sepse qenë ndryshe,sepse qenë çamë muslimanë, se çamët orthodoksë janë akoma dhe kësaj dite në trojet e tyre etnike. Nuk bëhet fjalë se çfarë feje kanë çamët, por kemi të bëjmë me një problem të madh kombëtar, një problem që duhet rë vihet në rrugën e zgjidhjes, në mënyrë që edhe kanalet e komunikimit mes Athinës dhe Tiranës të jenë akoma edhe më transparente. Në të gjithë rrugëtimin e tij Shefki Hysa, që nga fillimi e deri në fund të librit (më saktë fundi do të jetë Çamëria e lirë me çamët shqiptarë), është munduar të kalojë përtej vetvetes me një sakrificë të pashembullt, në emër të një ideali, që shumë nihilistë e quajnë, “mollë e ndaluar”, ose disa prej tyre që e quajnë veten shqiptarë, shkojnë akoma më tej e thonë: “Çamëria problem i mbyllur”, duke çuar ujë në mullirin shovinistëve grekë të rinj e të vjetër. A thua se u zbut Greqia dhe ndërroi mendje, se gati pesëqind mijë shqiptarë punojnë si argatë, jo vetëm në tokat came, por edhe në të gjithë hapësirën e vjetër Pellazgo-Dardane? Jo! Greqia luan një politikë sa të vjetër dhe të re, të “kulaçit e kërbaçit”, duke ditur se hapësirat ballkanike po ngushtohen gjithnjë e më shumë në emër të një diplomacie të re që quhet euroballkanizëm, që duam apo s`duam ne, ballkanasit, duhet të jemi pjesë e saj.

Ja si shprehet Ismail Kadare nëpër radhët e librit: “Ka ardhur koha që Ballkani të shtërohet nga krimet e vjetra, dhe një nga këto krime është ajo që ka ndodhur në Çamëri. Drama çame. Dhe kështu Ballkani do të përgatisë rrugën drejt emancipimit. Vetëm pas këtij pastrimi Ballkani mund të bëjë pjesë në familjen e emancipuar të popujve europianë”… Atëherë vetë Athina dhe Greqia duhet të bëjnë “katarsis” (fundja kjo fjalë ka ardhur nga korifejtë e letërsisë antike greke, nga vetë zemra e Athinës së lashtë demokratike, nga Aristoteli) brenda vetes, të pranojnë se ka një problem të madh e të pazgjidhur, siç është çështja çame dhe të mos e njollosë akoma figurën e çamëve, si gjoja “plangprishës” të fqinjësisë dhe armiq të paqes.

Kush qenkan më paqësorë se çamët? Kush e do më shumë paqen dhe qytetërimin se çamët? Por ky qytetërim duhet të vijë nga të dy polet politike që formula e “bashkëjetesës ndëretnike e ballkanike” të funsionojë. Të nxitur nga misionari Shefki Hysa, një pjesë e politikanëve shqiptarë si Arian Madhi, Ilir Meta, etj. kanë bërë përpjekje për ndërgjegjësimin e BE për zgjidhjen e problemit çam, por këto ishin nisma individuale më shumë sesa institucionale. “Jo vetëm opinioni botëror, por së pari ne vetë duhet të ndërgjegjësohemi, se kjo çështje duhet zgjidhur si duhet, megjithatë europianizimi i problemit çam tashmë është një arritje e madhe, konkrete një realitet, jo llafe” – është shprehur deputeti Arian Madhi në Parlamentin Europian.
Pra, tani e kemi vetë në dorë. Ta bëjmë Çamërinë! Çamëria është e jona! Thënia se pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”, tingëllon aktuale sot më shumë se kurrë. Tungjatjeta Çamëri! Tungjatjeta!…

Menu