Origjina e Largët

Shefki Hysa i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e muslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themeluese të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet ishin fis i pasur, merreshin me blektori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë dhe do ta mbronin edhe me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun – Çamërinë, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.

Gjyshi i Shefkiut, atdhetari i shquar Shefki Hoxha (ishin edhe fetarë brez pas brezi, prandaj mbanin edhe mbiemrin “Hoxha”), njihet si një ndër themeluesit e klubeve të para atdhetare të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Zogut.

Në vitet 20-të Shefki Hoxha u shqua si demokrat, përkrahës i Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga Zogu. Madje për këtë arsye poeti popullor i zonës këndonte:
“Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë”…

Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe vdiq në vitin 1936, si pasojë e lëngatave të burgimit.

Menu