Vlerësime

– Ah, mor mik! Nuk kam kohë, të kam thënë, më mbyti puna, – ndjeva në telefon refrenin qaraman.
Sepse më solli ndër mend dikë që s’kisha pikën e dëshirës as ta përfytyroja, i cili, për t’i shmangur shokët, u thoshte shpesh se nuk kishte kohë as për të vdekur. Aty për aty i acaruar ia ktheva:
– E marr me mend që nuk ke kohë as për të vdekur, por mësohu t’i komandosh njerëzit me celular. Shto edhe ndonjë specialist të aftë ose ndonjë administrator të fortë dhe lirohu nga punët e rëndomta. Ti je pronar dhe të duhet vetëm të drejtosh, jo të punosh…

– E di, mor mik, e di, po nuk ecën puna po s’qeshë vetë në krye. Më marrin në telefon nga gjithë Shqipëria. Jam shtrirë nga pak edhe në Kosovë. Kam përgjegjësi të mëdha për klientët e mi, – ma preu psherëtimthi.
– Ke për të vdekur një ditë dhe do të t’i hanë paret kollovarët. Nuk do të kujtohet askush për ty, sikur nuk ke ekzistuar kurrë. Më mirë kujtohu vetë për veten, për emrin tënd. Bëj emër për vajzat, jo vetëm para, – këmbëngula, i pafuqishëm për ta bindur. – Më prit javën tjetër, do të vij për të montuar nja dy ekspresë, në Tiranë dhe patjetër do takohemi, – tha befas.

Pata përshtypjen se donte të më hiqte qafe. Kështu ma bënte sa herë i telefonoja apo takoheshim rastësisht. Sikur tallej me mua, prandaj shfryva:
– Si të duash, unë ta kam dalë borxhit, por ta dish se ke për të vdekur si mekanik. Dhe vdekjes nuk i dihet, të merr kur nuk e pret…
– Ah, mor mik, e di, po puna s’bën dot pa mua…
– Si ta kesh qejfin, or punëtor i përjetshëm! – gjakosa buzën dhe ia mbylla telefonin pa u përshëndetur.

E dija që nuk do ta mbante fjalën.
– Eh, mor Namik Mane! Ia paske shitur edhe ti shpirtin shejtanit, – iu hakërrova vetes, në pamundësi t’i turresha atij.

Më vinte maraz që nuk arrija ta shkëpusja dot nga puna e përditshme e punishtes së kafesë. Diku në Durrës, në një rrugicë të shtrembër, të paasfaltuar, në katin e parë të një dykatsheje të vjetër, gjendej punishtja e mikut tim, poetit të harruar Namik Mane. Për të hyrë brenda kaloje në një derë të ndryshkur hekuri, në një korridorr të ngushtë dhe përmes dy të ndarave, njëra e vogël, me raftet e ekspresëve të përdorur, që prisnin të riparoheshin, dhe tjetra salla e madhe e mullirit, ku piqej, bluhej e paketohej kafeja allaturke dhe ajo ekspres. Aty, midis ajrit të lagësht dhe tymit, paketohej edhe sheqeri në ato qeskat me mbishkrimin “Mike”. Unë nuk duroja dot gjatë aty brenda, dimër ose verë të ishte. Më çante hundët afshi i kafesë, më thernin kockat prej ftohtësisë së asaj perandorize të vogërreme, me të cilën mburrej me të drejtë miku im, sepse, pavarësisht nga shëmtia, e sillte aq të madh fitimin.

Vendosa ta harroj mikun dhe krijimtarinë e tij, megjithëse më vinte keq për vlerat e vyera që fshihte në shpirt, ky bashkëkohës dhe shok i ngushtë i shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferri. Doja t’ia vilja ato vlera, mirëpo, mesa duket, s’qe e thënë. Dhe e flaka diku në një humbëtirë të kujtesës.
– E, mor ti, varfanjaku i përjetshëm, pandehe se ta hodha prapë?! – ndjeva një zë të njohur përzier me krismën e derës që u hap rrufeshëm.
Vetëtimthi m’u përplas në cep të syrit silueta e Namik Manes. E kishte mbajtur fjalën. Vonë vërtet, po më mirë vonë se kurrë.

– Barbarisht hyhet në zyrat e shtetit, o njeri i mbrapshtë?! – iu gërmusha hareshëm i befasuar, ndërkohë që pamja e tij e shëndoshë, babaxhane, sikur ma zbuti në një grimëherë mërinë e mbetur diku në thellësi të shpirtit.
– Ha, ha, ha! Ku pyesim për shtet ne! Aq sa pyet shteti për ne, na mbledh taksat dhe aq… Shtet që të lë pa bukë…
– Dikur dridheshe prej shtetit, zotrote, tani je trimëruar ca si shumë se të shoh që je trashur në trup, je majmur e të skuqin surrati e tulla e kokës. Mbase nuk je trashur edhe nga trutë, or miku im? – e ngava për t’ia prerë hovin.

– Epo s’ bëhej shaka me atë shtet. Të hiqte kokën shteti i djeshëm komunist. Ai shtet më internoi për vite të tëra në kënetën e Hamalles. Ma gllabëroi rininë balta. E qepa gojën dhe shpëtova kokën… Sa për shtetin tuaj demokrat, rroj njëmijë vjet unë…
U përqafuam. Ishte e kotë t’i mbaje inat vrullit të tij. Fytyra i pasqyronte mirësi. E vura re me bisht të syrit tek i rëndoi rënkueshëm karriges. Duhet të ishte shumë mbi peshën normale. Jeleku i tij i hirtë, si jelek tip antiplump, mezi e përmblidhte tërë atë krahëror shpërthyes. Vuante nga tensioni i lartë dhe nga zemra. Dhjamosja e tepërt e indeve të trupit mund t’i shkaktonte edhe ndonjë infarkt dhe t’i linte shëndenë kësaj bote, megjithëse ilaçet i mbante kurdoherë me vete për çdo të papritur. Kështu i shëndoshë dhe i tejdhjamosur pati qenë edhe dajua im dhe vdiq në mes të rrugës. Plasi në vend. Prej infarktit a hemoragjisë cerebrale, ku ta dish…

– Mbete me një libër, o derëbardhë! Ia harruam edhe titullin atij, pas kaq vjetësh heshtjeje, – i thashë si me shaka për të fshirë nga vetja atë ndjesi të frikshme që më shkaktoi pamja e trupit të tij tepër të shëndosë për moshën mbi gjashtëdhjetëvjeçare.
– Një libër vërtet, por ishte libër ama, jo llafe, si puna e këtyre vëllimeve me bejte që botohen sot.
– Në mos gaboj, “Pjergulla e lotëve” titullohej vëllimi yt poetik?
– Po.
– Sidoqoftë, nuk hahet të heshtësh kaq vjet. Kur e harrova unë, shoku yt, poetin Namik Mane, ç’pyet për të tjerët…
– Nuk më harron ti, jo, për të tjerët punë e madhe!
– Më lodhe, or mik, mezi u bëre gjallë. Dua s’dua do të të harroj, o i harruar, – theksova i kapitulluar.
– Ore, po më çmendën telefonat, ore! Klientela lumë, nga Jugu në Veri. Nuk marr dot as frymë rehat, më beso. Ndihmësit e mi, nipat, dhëndurët, nuk ia kanë marrë akoma dorën mirëmbajtjes së ekspresëve dhe më duhet të rend vetë gjithandej, gjer në Kosovë. U çmenda, më beson?

– Të të besoj?! Po a i zihet besë një milioneri si ti, që nuk di ku t’i fshehë paratë, që ka mbushur edhe boshllëqet poshtë pllakave të dyshemesë me kartëmonedha?
– Hë të keqen, më beso, se nuk jam aq i pasur. I kam të mëdha edhe shpenzimet.
– E marr me mend, xhepat e jelekut i ke kurdoherë fryrë për t’i zbrazur nëpër restorantet më të mira për mish, peshk e raki.
– Jo, rakinë nuk e pi më, thonë se të dhjamos. Tani pi verë.
– Shkon edhe nëpër motele, besoj.
– Nëpër motele jo, megjithëse burrë jam, – qeshi ai. – Nuk të besohet?

Dhe zuri të më tregonte një rast se si njëherë një bukuroshe nga ato biondet vagabonde, që udhëtonte me të në makinë, urdhëroi shoferin të ndalej pranë një moteli. Shoferi i hodhi një vështrim pyetës nëpërmjet pasqyrës. Shiko rrugën, drejt, iu përgjigj me nojma ai. Biondja e përsëriti urdhrin, por shoferi ia preu shkurt se zbatonte vetëm urdhrat e drejtorit. Ishte shofer drejtori e jo shofer zonjash.
Tek e fundit i falet, sikur të shkojë ndonjëherë edhe në motel, mendoja teksa dëgjoja rrëfimin e tij. E dija që ishte vejan. I kishte vdekur gruaja disa vite më parë, duke e lënë me dy vajza, tashmë të rritura. Le që biznesmenët e kanë një mënyrë argëtimi të shkuarit nëpër motele.
– T’i lemë llafet e tepërta se janë fukarallëk në këtë zyrë të rehatshme, qoshezë burokrati. Me vrap e në restorantin më të mirë që ka Tirana. Se edhe ju, kryeqytetasit, ua dini lezetin lokaleve.
– Shkojmë në shtëpinë time, mbase do të bisedojmë më qetë, – brofa unë.
– Në shtëpi? Nuk do të jemi më të lirshëm në një restorant? – u druajt ai.
– Në shtëpi! Sado të varfër, edhe ne, letrarët, i kemi pesë gjëra të mira për mysafirët e rrallë.

Namiku ngriti supet i çarmatosur, por unë s’u tunda nga imja. Kishim qenë sa herë me të nëpër lokalet më të mira të Durrësit, buzë detit, në dimër kur rrokulliseshin pambarimisht dallgë të gjata si rrungala kuajsh të bardhë në plazhin e Currilave dhe në verë, kur vala shtynte valën e i lëpiheshin si mace të egra rërës së butë të brigjeve. Kishim bredhur edhe nëpër pikat turistike të Tiranës, bregut të liqenit dhe në malin e Dajtit, kur ai mbante mbi krye kurorën e blertë të pranverës dhe atë thinjoshen prej bore të dimrit. Edhe në shtëpinë e Namikut kishim qenë shumë herë, madje e kishim gdhirë me të ngrëna e të pira dhe duke treguar e ritreguar bëmat e dikurshme të Bilal Xhaferrit. Në shtëpinë time nuk kishim qenë asnjëherë, thjesht sepse unë vonë jam bërë familjar.

Ndërkohë kishim dalë në oborrin e madh të ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, të mbuluar nga pishat e buta shtatlarta, që sitnin diellin dhe na e hidhnin në trajtën e një pluhuri të artë nëpër trup. Ishte fillimvjeshte dhe gjethet e pemëve ishin praruar, këputeshin e binin një nga një mbi asfalt. Frynte një puhizë dhe rrezet e diellit na piklonin vështrimin. Në atë çast u ngjanim, pak a shumë, kërkuesve të arit, me të vetmin ndryshim se ne gjurmonim thesaret e shpirtërave njerëzorë. Te kthesa, ku takohej rruga me bulevardin, përballë “Rognerit”, na priste furgonthi i Namikut, mirëpo ne zgjodhëm lëvizjen më këmbë buzë bregut të blertë të lumit të Lanës.

– Ti je djalë i mirë, Shefki, – tha befas Namiku, duke hedhur pas shpatullave atë përhumbje meditative që të zgjonte vjeshta përqark.
– E di.
– Edhe i mençur. Ke bërë shumë përpara që kur të kam njohur.
– Po.
– Por nuk ta dinë të gjithë.
– Edhe këtë e di. Miku i gjithkujt, miku i askujt.
– Erdhën dhe më thanë të mblidhemi dhe ta hedhim në gjyq. T’ia heqim të drejtën për të studiuar figurën e Bilal Xhaferrit.
– Po…

– Dhe unë u thashë jo! Se sot jemi demokraci, se kanë të drejtë të jetojnë të gjithë dhe jo vetëm ata, si dje; se ai i bëri gjërat ashtu siç dinte t’i bënte. Mjafton që i bëri, kur askush nuk e mori guximin t’i bënte, as ata. U thashë se Shefkiu kapërceu dete e oqeane dhe solli i vetëm nga Amerika eshtrat e Bilal Xhaferrit. E zhvarrosi nga varri i harresës ku e kishin groposur censorët e diktaturës dhe e ngriti në lartësitë që meritonte. Ka bërë punë titanike me shtëpinë botuese dhe shoqatën “Bilal Xhaferri” dhe me revistën “Krahu i shqiponjës”. E përse t’ia mohojmë tërë këto?!

– Dhe ata nuk të dëgjuan. U përpoqën të më kundërvinin shtetin dhe ambasadën amerikane, por nuk ia arritën se kisha zbuluar një mal me punën time. Dhe mali nuk shembet aq lehtë.
– Po, mali nuk shembet. Dhe ai mal ishte vepra e shkrimtarit të jashtëzakonshëm, Bilal Xhaferrit. Mjafton kryevjersha e tij “Baladë çame” dhe ai mbetet mal mbi male. Dhe guxoi ta publikonte në ato vite.
– Po. Në vitet e diktaturës. E kam parë me sytë e mi të botuar, duke shfletuar koleksionet e gazetës në Bibliotekën Kombëtare. Dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme ajo kryevjershë si një himn i martirizimit të Çamërisë, himn i papërsëritshëm, si “Marsejeza”.
– Aman, or mik, mos m’i nga plagët, mos ma lëndo shpirtin më tej, se kur e kujtoj Bilalin më dhemb vetë jeta ime. Thonë se e vrau cmira e shkrimtarëve. Jo, or mik, tërë shkrimtarët e donin Bilalin, tërë lexuesit e nderonin. E vrau ideologjia e kohës, sigurimi i shtetit.
– Sigurimi i shtetit?! – u çudita.
– Po, po, sigurimi i shtetit. E përndiqnin pas e larg. I kishin sajuar edhe dosje. Bilalit i ra në vesh dhe u arratis për në Greqi e më vonë mërgoi në Amerikë… Iku për të shpëtuar kokën dhe jo për të shprehur disidencën e vet, siç shkruajnë.
– Do ta kishin burgosur, po të kishte qëndruar? – u bëra kureshtar.
– Patjetër!
– U tregua largpamës, qerratai, që u arratis, – fërkova duart.
– Se mos vetëm në atë rast. Bilali ishte natyrë e shkathët, megjithëse i heshtur dhe vazhdimisht i menduar. Vetëm me mua hapej. Të shihje si shpërthente pasioni i tij. Eh, mik i dashur! – tundi kokën me nostalgji Namiku.
– … …?!
– Aman, or mik, të thashë, mos m’i lëndo plagët!
– Epo me vete nuk të lë t’i marrësh tërë këto mbresa. Hiqe nga mendja! – ia preva.

– Aman, të keqen! Ç’të të rrëfej më parë. Nuk e di ti sa të vështirë e kam. Ti e di që quhej Bilal Hoxha, stërnip i dijetarit universal, Hasan Tahsinit, që u lind në Ninat të Konispolit, që babanë e tij, Xhaferr Hoxhën, e pushkatuan si nacionalist, si antikomunist. Po ç’bëri Bilali? Në vend të mbiemrit Hoxha përdori si mbiemër letrar emrin e babait të vet. Pra, u vetëquajt Bilal Xhaferri, duke përjetësuar emrin e babait të pushkatuar. Këtë e dinin edhe ata.

– Çfarë guximi!
– Vërtet, guxim prej të marri. Dhe ishte aq i mençur! – psherëtiu dhe biseda iu këput papritur, sikur filli i saj të ishte litar që mbante varur peshën e mendimit dhe qenien e Namikut, i cili të krijonte idenë se po rrëzohej dhe humbiste në një nga honet e frikshme të harresës.

– Lum si ti që ishe shoku i tij! – theva heshtjen unë, me dëshirën për të mbajtur gjallë zjarrin e bisedimit dhe atë çast, sepse m’u duk vetja si shpëtimtarët, që hedhin një grep a një litar tjetër ku të kapet i këputuri për të mos u copëtuar në greminë. Ecnim në të kundërt të rrjedhës së turbullt të Lanës. Dëgjohej e vrazhdë vetëm gurgullima këmbëngulëse e ujit. Namiku heshti sa heshti, pastaj filloi të fliste i tensionuar si njeriu që tashmë i ka shpëtuar për qime rrëzimit. I vura veshin me vëmendje të folurës së tij hope-hope, me ngërçe. Dukej sikur recitonte apo lexonte me pasion një ditar kujtimesh. Tregonte se si me Bilalin i gdhinin netët duke rrahur mendime dhe duke shkruar poezi me frymë revolte, megjithëse ditët i shkrinin në parcelën me lakra, ku të mbante lidhur balta si pranga, ku lindnin vajet e nënshtrimit dhe të shkurtonte jetën shati e lopata, ku prej zemërimit gjuanin me shkelm mbi lakër, si mbi kokë të mbretit robërues. Me vjershat rebele, ashtu idealistë siç ishin, ëndërronin të botonin një vëllim poetik të përbashkët me titullin “Një siluetë në errësirë”. Kështu titullohej një prej poezive me vargjet:

“Unë do ju shfaqem në errësirën me mjegull,
profil i ngritur plot dhembje dhe përbuzje.
Për mua s’do ju tregojnë gjë yjet,
as erërat,
as shndritjet e bronxta të siluetës sime.
Për mua do dëshmojnë vetëm plagët e mia,
për mua do dëshmojë vetëm vdekja ime”…

Ndërkaq arritëm në shtëpi dhe hymë drejt e në studio. Namiku u shemb i fundosur në një kolltuk dhe mezi mbushej me frymë. Fytyra dhe koka e zbathur prej flokëve i kuqëlonin tej mase. Piklat e djersës në ballë i farfurinin prej neonit që sapo ndeza, për të larguar mugëtirën e perdeve të rënda prej atllasi të kaltërremë. E shihja me bisht të syrit, teksa largoja dosjet nga tryeza e kompiuterit dhe më drithmonte mendimi se mos pëlciste si tollumbace tërë ai gjoks gulçues. Por jo. Nuk thonë më kot se jeta e robit është në dorën e Zotit dhe vetëm Ai e di se kur ta merr. E mblodhi veten shpejt, u rehatua dhe filloi të këqyrte me kureshtje raftet me libra.

– Ama, goxha bibliotekë paske! Nuk e ndave kurrë jetën nga librat, megjithë varfërinë që nuk i shqitet intelektualit, – vërejti Namiku.
– Epo unë, për fat të mirë a të keq, i jam kushtuar tërësisht krijimtarisë letrare. Dhe ti e di se librat në Shqipëri, ta hanë edhe kafshatën e fundit, – nëpërdhëmba psherëtimthi.
– E di, mor mik, e di, prandaj hoqa dorë nga botimet dhe iu kushtova biznesit. Të lashë edhe ty, të lashë të vetëm…
– Të shkuara të harruara! – ia preva shkurt pa aspak dëshirë për të rikujtuar aventurën tonë të dikurshme, për t’u bërë botuesit e parë shqiptarë të epokës së re paskomuniste.

Namiku qeshi me thartimin e fytyrës sime, ndërsa unë u mugëtova edhe më, madje edhe në shpirt. Nuk e dhashë veten se e kisha mik, në shtëpi, megjithatë nuk mund t’ia falja braktisjen.
– E ndiej me zemër pezmatimin tënd, më beso, por ja që u frikësova. Të kujtohet dita kur po ngarkonim në makinë letrën tipografike, që ai tipografi e kishte fshehur te bunkeri prapa shtëpisë së vet? Po mendoja se mbase ishte letër e vjedhur në ndonjë magazinë shtetërore. Dhe befas kaloi aty pranë një furgon policie. Kaloi fare rastësisht. Ama, unë u tmerrova. Më trembi mënyra se si punonim. Vetëkuptohet se ishte e vetmja për të fituar diçka në atë periudhë gërmadhë, pas shembjes së diktaturës. Ashtu vepronin të gjithë, mundoheshin të arnoheshin. Por ja, unë nuk mundesha. I jam druajtur një jetë të tërë hijes së shtetit komunist dhe druhesha ende edhe prej shtetit të ri. Por jo se jam frikacak. Dhe ia mbatha jashtë shtetit. Kjo ishte e tëra dhe më dhemb shpirti, – shpjegoi Namiku me keqardhje, si të donte të më lehtësonte sadopak lëndimin e madh që më kishte sjellë ortakëria me të.

– Të thashë njëherë, të shkuara të harruara! – përsërita qetë-qetë, në pamje. – E rëndësishme është që ty të eci dhe nuk je i huaj, je miku im. Thuaj shyqyr Zotit!
– Të mos qahem. Me lodhje, vërtet, por fitoj. Veç ta dish sa kam vuajtur jashtë shtetit. Do t’ia dëshmoj edhe dhogës së varrit.
– Je munduar shumë?!
– Munduar, thotë! Kam punuar si skllav dhe më kanë trajtuar si skllav. Një jetë prej skllavi, si në Shqipërinë komuniste edhe në dhe të huaj. Refugjatë të përjetshëm mbetëm ne, çamët, të vuajtur, siç thotë një shprehje, si çifuti në shkretëtirë. Pasi na dëboi greku nga Çamëria, përfunduam një gjysmë shekulli refugjatë në atdheun tonë, në Shqipëri, megjithëse mes njerëzve të një gjaku, shqiptarë mes shqiptarëve. Njëlloj edhe në emigrim, në shtetet e huaja, ku u degdisëm për një jetë më të mirë dhe gjetëm skllavërimin. Eh, jetë ferri! – shfryu dëshpërimthi Namiku.

Unë heshta i stepur, i pagojë përballë atij ferri të mbidheshëm që kujtonte miku im. Ferr këndej dhe ferr andej, sikur kjo jetë paskësh qenë vetëm për ata. Pushoi një hop edhe Namiku, pastaj filloi të rrëfente detaje të jetës në emigracion, për revoltën që ndrydhte në shpirt me mendimin të fitonte sadopak dhe të kthehej për t’i investuar pranë shtëpisë së tij, në Shqipëri.

Rebelimin, netëve në dheun e huaj, e shndërronte në vargje poezish: Deti rreh egër brigjet e Shqathos (një ishull i Greqisë) dhe unë këtë tokë me grusht e godas. Kam të drejtë njëqind herë më shumë se Dari i Persisë, që urdhëroi detin ta rrihnin me kamzhik, pas disfatës, kur humbi gjithë flotën në betejën e lashtë greko-persiane të Dardaneleve. Dëgjoj vajin e nënave shqiptare që qajnë telefonave për bijtë, që treten këtyre brigjeve të dheut të huaj. Vaji i tyre është njëmijë herë më i dhimbshëm se i Hekubës për djalin e saj, Hektorin, vrarë prej Akilit…

Ky ishte, pak a shumë, thelbi i njërës prej vjershave, ashtu siç ma zuri veshi mua, në atë atmosferë rrëqethëse të krijuar prej atij rrëfimi trishtues.
Namiku vazhdonte të fliste dhe mendja ime, e intriguar prej dëshmive të tij, vorbullonte e dallgëzonte një mllef të paparë ndaj politikës servile që ndiqte shteti ynë, me shtetet fqinjë, i drejtuar nga ata. Dhe tek imagjinoja se sa i pafuqishëm është njeriu në vendin tonë, këlthisja me vete: “O Zot, mbroji shqiptarët e varfër!”

– Edhe në Itali, vështirë, si në Greqi, për ne shqiptarët, – turfullonte Namiku.
– Vështirë?!
– More, si të ishim të mallkuar!
– Çudi!
– S’ka çudi, derisa na udhëheqin po ata.
– Po ata! Dikur, dje dhe sot…
– Edhe nesër, miku im, në jetë të jetëve, po ata.

– Ne dhe ata! Ata dhe ne. Një det i madh përçmimi midis. Nuk ka për të bërë krye kurrë ky vend, – psherëtiva pesimist.
– Kurrë! Ne punojmë dhe ata, të pandershmit, përfituesit, mashtruesit, mafiozët shfrytëzojnë gjithçka, njëmijë mënyra e marifete për ta mbajtur të zaptuar këtë vend. Korrupsion i gjallë Shqipëria, or mik!… Nuk e ngre më kot ndonjëherë zërin bota… Më kupton?… Të pandershmit dinë të paguajnë, t’i hedhin lumë milionat e fituara pa djersë, të korruptojnë, jo shaka… Dhe këtë e bëjnë për të patur superfitime, për pasuri e për pushtet, për të gllabëruar gjithçka, si oktapodi prenë e vet… I kanë blerë, i kanë të tyret të gjitha pushtetet: Legjislativin, Ekzekutivin, Gjyqësorin dhe Shtypin… Kudo të dalin përpara ata… E ku të ankohesh?!… Unë mbahem gjoja për biznesmen, po të them të vërtetën nuk shoh askund konkurencën e ndershme, bashkëpunimin e bizneseve, siç pretendojnë… Nuk e dalloj dot as tutje në horizont atë shoqëri demokratike që ëndërrova… Mos harro, unë një jetë të tërë i persekutuar, or mik!… Ne mezi rrojmë dhe ata çuditërisht pasurohen në kurrizin tonë… Ne skllevërit dhe ata padronët… Na rroftë intelektualiteti, ne!… Ata nuk kanë nevojë për të qenë as të fortë fizikisht e as të mençur. U mjafton fuqia dhe mençuria jonë. Ata vetëm prijnë dhe nuk duan t’ia dinë se mund të na hedhin edhe në greminë. Vdesim ne, jo ata!… Ke parë kështu ti?! – brofi Namiku.

– Eh!… Zoti na shpëtoftë nga ata! – ofshava.
– Mbase, në botën tjetër! – tha prerë Namiku, me një ton lemerisës.
– Botë e keqe! – mërmërita.
– E keqe thua?!… E çmendur fare!… Mos pyet si sillet bota me shqiptarët e varfër… Siç sillej ish-diktatura, në mos gaboj… Nuk e di nëse liderët e atyre vendeve që thonë se na duan, do t’i kthejnë sytë ndonjëherë nga ne, të na shohin si të nënës, jo si të njerkës, – tha mëdyshas Namiku.
– Jo! – i thashë. – E pse ta bëjnë këtë?! Nuk besoj se janë Krishtër e as budallenj… Ta them me siguri matematike: bota nuk do t’i kthejë kurrë sytë nga ne, shqiptarët. Ne do t’i kemi sytë kurdoherë te bota…
– Atëherë, mbase na duhet të ndreqemi njëfarësoj me veten, me njëri-tjetrin. Ta njohim, ta ndihmojmë, ta duam, ta respektojmë shoku-shokun, pastaj t’i kthejmë sytë nga bota… Mund të arrihet diçka e tillë? – filozofoi Namiku me vështrimin ëndërrues të tretur diku brenda qenies.
– Naivitet, utopi, ëndërr… Sheh ëndrra me sy hapur, or mik!… Teorikisht, po! Në praktikë: ne dhe ata, djajtë politikano-biznesmenë që kanë uzurpuar Shqipërinë!… A nuk the më parë kështu?… Ne të përçarë, ata, grusht në kokën tonë… Të paktën gjer tani, sepse ata e kanë bërë për vete edhe Amerikën, edhe Evropën, – theksova i pashpresë.

Po mendoja se edhe lidhjet me botën i gëzonin ata… Diplomacinë e saj e merrnin me të mirë, e përkëdhelnin, i premtonin e ç’nuk i premtonin dhe luanin me të si të ishte kukulla e tyre, kur mundeshin… Dhe kur bota u zemërohej lajkave e mashtrimeve që i bënin, përuleshin, përgjunjeshin e luteshin me frikë e servilizëm, si të gjithë besimtarët e rremë para idhujve të tyre…

– Po qe kështu, vazhdo të ruhesh nga ata… Nuk do të t’i falin as shkrimet kundër, – qeshi Namiku.
– Mundet, – qesha edhe unë.
Ndërkohë tryeza ishte shtruar në dhomën tjetër. U ulëm ballas.
– Verën e ke të kuqe, siç e dëshiron. Verë Delvine, Leskoviku apo nga Tushemishti i Pogradecit, parajsa e vockël tokësore e ngritur mbi burime uji të mrekullueshëm. Ta dish, ma kanë dërguar Tit Tasellari me Nuçin, miqtë e mi, nga viset e Lasgushit e Mitrushit, – u krekosa gjithë humor.

– Mor, të gjitha llojet do t’i provoj.
– Edhe rakinë?! – e ngava. – Kemi përpara raki rrushi Konispoli, Përmeti, Skrapari dhe raki mani nga Boboshtica e Korçës. Kemi vodkë Ukraine, shampanjë Marseje, disa lloje birrash, uiski e më the të thashë nga bota.
– Kështu bollëk paçim përherë! Dhe bota na paftë me sy tjetër! Gëzuar! Unë me verë. Dhe plaçin ata! – tringëlliu gotat Namiku. – Gëzuar, or mik! Dhe suksese edhe në krijimtari, si në biznes, – e urova.
Ai e ktheu me fund dhe iu turr mishit të qingjit ardhur nga Gramozi i Kolonjës. Ishte hamës, jo shaka, si gjithë njerëzit e punës. Unë e nxisja t’i shijonte tërë llojet e ushqimeve dhe pijeve. Ndieja kënaqësi tek e shihja me aq oreks, njëlloj si për veten.

– Provo troftën e Bistricës dhe Koranin e rrallë të liqenit të Pogradecit. Edhe krap prej Drinit të Bardhë, edhe ngjalat e Karavastasë, – s’i ndahesha unë.
– Mor, ha për vete ti, se unë i përlava të gjitha të mirat, – qeshte Namiku.
– Jam ngopur unë, po i shijoi dreka mikut.
– Uh, të shijuar! Veç të kisha edhe pak aromë Çamërie! Kishte shkruar një vjershë i ndjeri Bilal me një titull të tillë dhe thoshte pak a shumë:

Ne jetonim atje ku shushurinte osaka,
atje ku lulëzonte lule sparta, spartilja,
jetonim pranë malit ku lulëzonte lofata,
ku sheshet i mbulonte si borë luledelja.
Kur nëna në mbrëmje ngrinte kapakun e kusisë
gjella jonë avullonte erë gjalpi të freskët,
erë dehëse kanelle,
erë mishi qingji të njomë.
Kështu tërë vitin, nga dimri në verë,
vendi ynë ndërronte aromë:
erë dehëse kanelle,
erë mishi qingji të njomë…

– Poezi e Bilalit?! – shpërtheva i paduruar.
– Po, Po! Poezi e tij… Eh!… Ja, ky ishte Bilal Xhaferri… A e kupton se ç’kemi humbur, or mik, me arratisjen e tij?… Dhe nuk e mbështetën si duhet as shqiptaro-amerikanët… Mbase nuk e kuptuan, mbase ishin si ata dhe e shmangën qëllimisht, ku ta dish… – Poezi e bukur, – vërejta unë.
– Dhe u thashë njëherë shqiptaro-amerikanëve, më saktë njërit, të parit të tyre: “Ua dërguam Bilalin shkrimtar të madh dhe na e kthyet kufomë”… Nuk u erdhi mirë nga fjala ime… Mbase janë si ata…, – shtjelloi Namiku fillin e arsyetimit të vet. – Mbase janë të një stani me ata, ndoshta vëllezër a ambasadorë që punojnë për ata, s’ka rëndësi… Për mua ajo poezia ishte e bukur, – përsërita.

– “Aromë Çamërie”? E bukur, vërtet. E pabotuar. E kam ruajtur dhe do ta sjell ta botosh në revistë, bashkë me variantin e plotë të poemës “Mjegulla”, botuar e pjesshme gjer tani.
– Mrekulli! Sa më shpejt. Edhe tregimet e tua.
– Edhe tregimet e mia. Gëzuar! Dhe ta dish se veç kënga më lypset tani. A nuk ia marrim njëherë, ashtu shtruar, çamiko? – shpërtheu befas Namiku.

– Si të duash, por unë nuk ia them për këngë.
– Eh, mor mik, sa ma trazojnë shpirtin këngët, sidomos këngët e pikëlluara të këtij populli të vuajtur në jetë të jetëve, këngët çame. Mbaj mend se mbrëmjeve e gjer natën vonë, kur ndizeshin yjet, atje në mërgim, në shpirt më flakëronte një mall përvëlues për familjen dhe tërë njerëzit e mirë që kam njohur, për Atdheun. Bile aty në mërgim kam ndier se fjala Atdhe ka një kuptim madhështor. Më përfshinte të tërin nostalgjia dhe e gdhija duke kënduar. Këndoja tërë këngët e pikëlluara. Nuk e di pse, por këndoja e këndoja. Mbaj mend se një mëngjes më thirri pronari i alarmuar dhe më tha se mbrëmë paskësha qarë. Jo, i thashë, kam kënduar. Paske qarë, mor, paske qarë me kuje, këmbënguli ai aq sa u habita edhe vetë dhe mendova se mbase kisha qarë. Mbase kisha qarë tërë ato net, në vend që të këndoja.

– S’është ndonjë çudi. Thonë se njeriu, prej merakut, ndonjëherë qan edhe në gjumë, vetëkuptohet njeriu i mirë, jo ata, – thashë unë me të qeshur.
Qeshi edhe Namiku, duke pohuar se ata nuk i dinë as kuptimin fjalës lot dhe jo të lotojnë. Zakonisht pikëllohen zemrat e ndjeshme dhe jo ata pa zemër.
Vonë, mbasdite dolëm rishtas rrugëve të Tiranës. Dielli ende nuk kishte perënduar dhe halat e gjelbra të pishave shushurinin lehtas prej erës dhe sitnin përmbi ne prarimin e rrezeve. Ashtu, nëpër atë mori grimcash ari që farfurinin ajrin mbrëmësor, ne vazhdonim t’u ngjanim nga pak kërkuesve të atij metali të rrallë, aq të shtrenjtë për ata, të eturit për pasuri e pushtet, megjithëse ishim thjesht kërkues të floririt shpirtëror.

Eh!… Mendova se edhe sikur të bëheshim gjeologë e të zbulonim dikur diku ndonjë minierë ari, pas shumë e shumë stërmundimesh, pasi ta nxirrnim në dritë mineralin e ta përpunonim do ta gëzonin po ata… Do të ishte luksi më i çmuar, më i lakmuar për ata, ish-pushtetarët-shtetarë, ish-spiunët-spiunë dhe tërë ajo tufë mafiozësh e shërbëtorësh të tyre, hajdutë e kriminelë, që tashmë ishin pjesë e politikës shqiptare… Veç telashet do të trashëgonim ne…

Më në fund u përqafuam dhe u ndamë. Si përherë të përmalluar. Premtuam se do të takoheshim më shpesh e më shpesh, derisa të zbulonim atë formulën magjike të alkimisë, që e shndërron gjithçka në ar. Dhe arin do ta bënim dhuratë për ata, veç ne të mbeteshim nga pak të qetë edhe për hallet tona letrare.

– Namik, telefonomë, kur të mbërrish në Durrës, – i bëra zë, kur ishte pranë makinës, megjithëse e dija se do ta rrëmbente puna dhe menjëherë do të më harronte.
– Ah, mor mik, do të ma marrë shpirtin puna mua, jo Zoti. Ta dish, që tani po të harroj. Sa hypi në furgonçinë dhe si me magji më mbysin andrrallat, ma zë frymën puna dhe i harroj të gjallët. Jetoj veç për ato dreq sende, që vërtet më sjellin të mira materiale, por ma hanë shpirtin…

– Kujdes se mos përfundosh si ata, – e shpotita.
– Si ata?! Mbase… megjithëse e di me siguri se nuk më pranojnë përkrah. Si te ai tregimi i Hazis Nesinit, humoristit të shquar turk. E ke parasysh, besoj, atë personazhin që donte të hynte në mafie… Jemi tjetër brumë, ne! Jemi mbrujtur me aromë Çamërie. Aroma e rrallë e vendlindjes sonë të mrekullueshme, or mik.

– Kujto aromën e Çamërisë dhe telefonomë!
– Do të lidhemi.
– Në tridhjetegjashtë gusht?!
– Patjetër. Edhe po të mos duam ne, na bashkojnë ata. Se ata nuk bëjnë dot pa ne. Kije vath në vesh, – tundi dorën Namiku dhe makina u nis.

Ne dhe ata!… Të ndershmit dhe të pandershmit!… Të pandershmit, kudo nëpër botë… Të pandershmit dhe ajo rrjetë aleancash e padukshme, si rrjetë merimange gjigante ku ka ngecur jeta njerëzore… Aty për aty sesi më vetëtinë në mendje vargjet e një poezie të një poeti çam:

Këtë Tokë,
Njerëzit e ndershëm
E mbajnë mbi supe.
Janë lodhur…
Të pandershmit
Kanë dyfishuar peshën e Globit.
Të ndershmit,
Që nga Atlasi e deri më sot,
Si hamallë ngarkuar,
Ende s’janë shkarkuar
E mendohen, e mendohen…
A ta lënë Globin të bjerë
E të bëhet copë-copë
Apo Globin e të pandershmit
Mbi supe t’i mbajnë ngarkuar?!…

Të ndershmit dhe të pandershmit!… Ne dhe ata… Vërtet, ata nuk bëjnë dot pa ne, m’u kthjellua befas mendimi. Si të kundërtat e një binomi. Dhe detyrimisht unë e Namiku gjithmonë do të jemi ne përballë me ata nëpër vorbullën e asaj shtjellës vigane, korrupsionit, që e ka ngërthyer magjishëm jetën shqiptare… Të pakorruptuarit ballas të korruptuarve dhe korruptuesve…

Tashmë furgonçina ishte zhdukur dhe kisha mbetur midis rrjedhës së mbytur të Lanës dhe rrjedhës trallisëse të makinave që nxitonin e nxitonin dhe më përplasnin në fytyrë smogun: aromë e rëndë benzine dhe nafte të djegur. Trafiku rëndohej vazhdimisht mbrëmjeve në Tiranë. Rëndohej edhe smogu. Megjithatë brenda meje kundërmonte aromë Çamërie…

Vlerësime

LIBER I MESAZHEVE TE SHPRESES PER CAMERINE - nga Ismail KADARE

LIBËR I MESAZHEVE TË SHPRESËS E PAQES PËR ÇAMËRINË

Nga Ismail KADARE

Më bëri përshtypje libri me tregime “Aromë Çamërie” i shkrimtarit Shefki Hysa, në një nga emisionet e Televizionit Shqiptar. Unë e ndjek me interes çdo botim për Çamërinë, sa herë Çamëria kujtohet. Kjo nuk është për të nxitur ndonjë grindje në Ballkan, siç mund të kujtojë dikush, por, si të thuash, për të vënë në vend një ndërgjegje të shqetësuar. Në këtë kuptim thashë se më tërhoqi vëmendjen përmbledhja me tregime “Aromë Çamërie” e këtij autori me origjinë nga Çamëria, libër për të cilin u interesova dhe e shfletova me kujdes e plot kureshtje për mesazhet e shpresës dhe paqes që i përcjell lexuesit.

Me një fjalë do të thosha se libri “Aromë Çamërie” në këtë kah është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve. Për më tepër është një detyrë morale, sepse kurrë nuk mund të harrohet një plagë e vuajtur nga mijëra e mijëra njerëz. Kurrë nuk mund të harrohet një shpërngulje, kurrë nuk mund të harrohet vendi ku ke lindur, ku ke shtëpinë. Dhe për këto dëshmohet për t’u çliruar nga makthet si në librin “Aromë Çamërie”.

Ka ardhur koha që Ballkani të shterohet nga krimet e vjetra dhe një nga këto krime është ajo që ka ndodhur në Çamëri, drama çame. Dhe kështu Ballkani do të përgatisë rrugën drejt emancipimit. Vetëm pas këtij pastrimi Ballkani mund të bëjë pjesë në familjen e emancipuar të popujve evropianë.

ÇAMËRIA, SI DHIMBJE E SI ËNDËRR – Nga Natasha Lusha

1.
Kur shkrimtari vendos të nxjerrë një libër të ri, siç është rasti i përmbledhjes me tregime “Aromë Çamërie” të Shefki Hysës, sidomos kur një pjesë e krijimeve janë të botuara më parë në libra të tjerë, doemos duhen kërkuar shtysat e këtij hapi, sepse me siguri nuk duhet të jetë vetëm një. Thjesht dëshira për të pasur vazhdimisht veten në prova të reja veprimtarie botuese është tepër pak për t’i hyrë botimit të një libri të ri, aq më tepër kur sapo je çliruar nga ankthi i daljes përballë lexuesit, si para një provimi të ankthshëm. Sepse, çdo botim i ri e vë autorin para gjykimit të opinionit dhe duhet motivuar.

Sprovat e ribotimeve me konceptime strukturash të natyrave të ndryshme janë shumë të njohura, sidomos vitet e fundit, natyrisht ndër autorët që kanë krijuar tashmë një fond të mjaftueshëm e të shumëllojshëm krijimtarie. Në botimet e para autori arrin ose jo të organizojë një libër si një kompozim unik mbi një rrafsh të caktuar: tematik, ideor, stilistik ose me elemente të reja të formës. Ato janë derdhje të shkumëzuara imazhesh që kanë arritur të organizohen në struktura rrëfimtare ose poetike, me një mesazh a dert të madh përbrenda, që autori s’mundet ta mbajë më gjatë vetëm për vete. Duhet të kalojnë sprovat emocionale të botimeve të para, që ai të nisë ta konceptojë edhe përgatitjen për botim si një lloj krijimi, që është po aq i rëndësishëm sa edhe vetë krijimtaria e mirëfilltë. Ky është i vetmi kriter që botimi të mos kthehet në qëllim në vetvete.

Pas botimit të disa romaneve dhe librave me tregime, Shefki Hysa del me një botim të ri. Sa është i motivuar ky libër, sa rri ai më vete, me vlera të mirëfillta letrare dhe ku gjendet e reja e këtij botimi?
Në procesin krijues shtysat janë të natyrave të ndryshme, letrare dhe jashtëletrare. Po themi, së pari, ato që duken si jashtëletrare. Njihet biografia e autorit, disponimi i tij jashtartistik në kuadrin e një problematike të veçantë që lidhet me bashkësinë çame. Në përgjithësi shqetësimet e detyrimet që lindin nga aktivizime të tilla shoqërore janë mjaft të mprehta e të komplikuara. Si pjesë e një gjëje të munguar drama e Çamërisë do t’i ngjante një fantazme. Në të vërtetë i ngjan një realiteti dashurie, po edhe brenge ose ëndrre, sa të bukur aq edhe dërrmuese. Siç duket, ne shqiptarët nuk mund ta përjetojmë ndryshe bukurinë, veçse në formën e dhimbjes a të ëndrrës para se ta kemi realitet.

E, në raste të tilla, detyrimi i të vetëndjerit brenda një problemi kombëtar e social ndodh të mbizotërojë ndër shtysat e tjera të akteve të rëndësishme të individit. Po në rastin e botimit të një libri puna ndryshon paksa, sepse libri është një ngjarje as vetëm individuale, as e një bashkësie të ngushtë. Nuk është as ngjarje e planit socialpolitik. Edhe sikur të jetë kështu vlera e vërtetë në dobi të synimeve kulturore të bashkësisë matet me disa cilësi që nuk mund të përcaktohen a të kuadrohen thjesht në shtresimet e kuptimësisë ose në domethënien ideoemocionale. Mund të thuhet se është ndihmesë, kur vlerat e sipërpërmendura realizohen përmes cilësive të veçanta të artit: sa më të realizuara artistikisht, aq më shumë synimet jashtartistike zgjerojnë rrethin e ndikimit dhe shumëllojshmërinë e këndvështrimeve.

2.
Cilat janë motivet që mbajnë në këmbë makroorganizmin e librit të ri të Shefki Hysës? Sa e tejkalojnë ato interesin e lexuesit që mund të ndihet disi larg shqetësimeve të bashkësisë çame në Shqipëri dhe jashtë saj?
Duhet pohuar se krijimtaria e autorit, edhe kur nuk ka qenë e përmbledhur qëllimisht në funksion të ligjërimeve të atij realiteti gërryes, e ka pasur atë si një lloj vule, një lloj embleme dalluese, në atë që quhet origjinalitet i pangatërrueshëm tematik dhe emocional, që lidhet me Çamërinë.

Dy janë cilësitë më të rëndësishme që e bëjnë të pëlqyeshëm botimin e tregimeve të autorit në titullin “Aromë Çamërie”: tematika e librit, që lidhet me hapësirën çame dhe të veçantat e saj, e cila është e patrajtuar gjerësisht në letërsinë shqiptare. Përveç një Bilal Xhaferri, Namik Mane, Enver Kushi e të ndonjë autori tjetër, kjo problematikë, edhe në letërsi, i ka kapërcyer tashmë kufijtë krahinorë të njohjes, të vlerësimit dhe krenimit. Mund të përmendet edhe një novelë e Faik Ballancës, që provokon aq mrekullisht mos-harrimin e amanetit të “Këngës së fundit të Marko Boçarit” (as njëqind vjet pas “Këngës së fundit të Balës” të Darës), qoftë edhe si një klithmë e vetmuar mjelme, gjysmëlegjendë-gjysmelegji e gjallë, amanete që pikojnë ende gjak e nuk besoj se ndahen për nga mesazhet, nga problemi çam.

Në këtë rrafsh vështrimi mund të thuhet se historia është sjellë në art, duke u bërë dukuri reale, me peshë gati të papërballueshme tragjike, në portretin e nënës që mban vazhdimisht skalpin e birit në gji (si dikur në gremb), me përjetimin e masakrimit të tij para syve, me përbuzjen dhe mallkimin e tmerrshëm për të huajt (tregimi “Dëshmia”). Por jo vetëm kaq. Të gjitha personazhet sikur kanë nga dy palë shqisa: një palë për të parë e shijuar të tashmen dhe një palë për të mos harruar atë që kanë lënë pas. Si të tillë ata kanë edhe të folmen e tyre tipike, kanë një lloj raporti krejt të veçantë me njëri-tjetrin në të mirë e në të keq, aq sa ndonjëherë duket se duan me çdo kusht të dallohen nga pjesa tjetër e bashkatdhetarëve të tyre edhe në vetitë morale të besës, të sensit të së drejtës dhe të humanizmit. Kjo karakteristikë e veçantë e shtresave të të vetëndjerit duket se ndikon që ta shohin veten (ndoshta edhe sepse i shohin të tjerët) paksa si të huaj në raport me shtetasit e tjerë të Shqipërisë. Sigurisht kjo jep dorë pastaj që personazhet të fitojnë edhe cilësinë e dytë, atë të të jetuarit njëkohësisht në dy realitete: ai ku jetojnë aktualisht dhe tjetri, i mbushur me imazhe bukurish dhe aroma parajse të Çamërisë. Është pasojë normale e etnopsikologjisë së dhunuar që ngre krye, dëshira e shtypur barbarisht që vjen e realizohet në nënvetëdije, në formën e ëndrrës, të kllapisë dhe të ankthit.

Kjo psikoanalizë duket se zbulon burimin e asaj prirjeje të çuditshme, gati të domosdoshme, të rrëfimtarit për përdorimin e elementit fantastik të përrallës, legjendës e miteve çame. Ky parapëlqim ndoshta është dhe më i rëndësishëm se zgjedhja e temës dhe përmendja e emrit Çamëri. Është mënyrë ekzistence në përfytyrim, mënyrë ringjalljeje, gati një me të folurën dhe mendimin, si të qe një filtër ngjyrues.

Duket se rrëfimi nga kjo merr ndonjëherë tiparet e rrëfenjës, si ajo e tipit të Kutelit, në të cilën magjikja e fantastikja e përrallës e legjendës kthehet në lëndë të mirëfilltë letrare. Mund të përmendim tregimin “Turtullesha dhe djalli”, më tipik ndër tregimet, në të cilin tiparet e personazheve, mjedisi i idealizuar fshatarak dhe dashuria romantike të kthen vetvetiu pas, te tradita e jetës baritore jo të çfarëdo treve, por pikërisht asaj çame, duke synuar atë si ideal estetik, tipike e romantizmit, bashkë me figurën e djallit dhe misterin e zhdukjes së dy të rinjve. Po nuk është vetëm ky tregim. Kujtojmë tregimin “Plaku i liqeneve”. Edhe aty kemi po atë prirje për ta bërë misterioze e të mjegulluar portretin e plakut nëpërmjet veshjes së tij me cilësi magjike dhe aludimeve gjysmëreale-gjysmëmagjike. Kjo është mënyrë interesante për ta intriguar lexuesin, edhe pse nuk lë të zbulohet e vërteta deri në fund. Por kjo e vërtetë nuk ka asnjë rëndësi, përderisa, në marrëveshje me lexuesin, autori arrin të ngrejë probleme të mprehta sociale, siç janë raporti mes brezave dhe respektimi i njeriut të punës për atë që bën e jo për atë që thotë. Detyra e letërsisë nuk është të gjykojë e të japë zgjidhje, e shumta mund të ngrejë probleme.

Të njëjtën cilësi merr rrëfimi në tregimin “Elimët”, aq më tepër që elimi, qenie e mitologjisë çame e labe, është personifikuar si shtresim autentik i mënyrës figurative të të përfytyruarit të botës dhe paraqenies tënde, që të kujton titanët e antikitetit ose kreshnikët e eposit të Veriut. Në të tilla raste personazhet e së sotmes vihen në pozita sa më të besueshme si mënyrë të menduari, madje edhe me ngjyrimet skeptike ndaj fantazmave apo ato paksa qesharake të elimit të mundur, që ka nevojë ta ushqejnë me bukë dy qenie sa një mizë para tij.

Por ndërkaq është dhënë edhe mesazhi i mos-harresës dhe i magjisë së botës së panjohur çame për brezat e rinj. Ajo botë me fisnikërinë e saj mëkon thellë ndjenjën e dashurisë për vendlindjen dhe duket se tregime të tilla nuk janë thjesht pjesë e mbresave të pafundme të fëmijërisë, por e kujtesës mbarëpopullore. Ato u drejtohen jo vetëm lexuesve të rinj të Bashkësisë Çame, të cilët e kanë Çamërinë edhe si aspiratë, edhe si dhimbje e dashuri, si e bukura që duhet adhuruar e mbajtur në zemër, por të gjithë lexuesve shqiptarë dhe dashamirëve të huaj për t’i sensibilizuar lidhur me fatin tragjik të këtyre viseve të bekuara, të cilat, në të ardhmen, lipset t’i bashkohen tokës amë, të ringjizen me të, siç kanë qenë në jetë të jetëve.

``AROMË ÇAMËRIE`` - MESAZH QËNDRESE - Nga Sazan GOLIKU

“AROMË ÇAMËRIE” – MESAZH QËNDRESE

Nga Sazan GOLIKU

Shkrimtari dhe publicisti Shefki HYSA, i njohur për romanet e tregimet e botuara në vitet ’90, doli para lexuesve me librin e ri me tregime “Aromë Çamërie”.

Rrëfimet e këtij libri përshkohen sa nga tragjizmi, që kushtëzohet dhe reflektohet nga fati i banorëve të Çamërisë, aq dhe nga një lirizëm heroik, që buron nga lufta dhe qëndresa për mbijetesë dhe vlerat morale e shpirtërore të çamëve.

Në çdo faqe të këtij libri jepet, sidomos për brezat e rinj, edhe mesazhi i mos-harresës dhe i botës pak të njohur të krahinës më jugore të Shqipërisë.

Ajo botë, me fisnikërinë e saj, mëkon thellë ndjenjën e dashurisë për vendlindjen dhe sensibilizon vetëdijen shqiptare për fatalitetin e kombit tonë që nuk i harron ato vise të bekuara që u goditën në palcë nga gjenocidi shovinist grek.

Menu