Turtullesha dhe Djalli

TURTULLESHA DHE DJALLI

Na ishte njëherë një djalë e një vajzë, që jetonin në krahinën e Çamërisë, në një fshat malor buzë një pylli me lisa. Vajza quhej Turtulleshë dhe djali Shushurimë. Të dy barinj: djali kulloste dhentë, vajza dhitë. I merrte nga shtëpitë agu i mëngjesit dhe i kthente mbrëmja. Gjithë ditën bashkë. Laheshin me shkumën e ujëvarave që ushqeheshin nga dëbora e majëmaleve. Pinin ujë gurrash që buronin nga të çarat e shkëmbinjve, rridhnin tatëpjetë në rrjedha të vogla, që frushullonin përmes barit të njomë dimër e behar dhe derdheshin në përrenjtë e rrëmbyer, zajet e të cilëve xixëllonin si gurë të çmuar nën dritën e diellit dhe të hënës. Bridhnin si sorkadhet shkëmb më shkëmb. U ngjiteshin lisave majë më majë, kacavireshin degë më degë e kurorë më kurorë, me gurgullima të qeshurash, aqsa ngazëllenin edhe ketrat. Lodronin e lodronin. Ndiqeshin e fshiheshin zgavër më zgavër e shpellë më shpellë gjer në skutat më të thella. Zgjonin nga gjumi egërsirat që merrnin arratinë. Ngacmonin pëllumbat, që vërtiteshin trumba trumba përmbi pyll, dhe nxisnin këngët e shpezërisë. S’kish fole zogu a strofkë egërsirë që t’u shpëtonte syrit të tyre. S’kish lule, bar a drurë që të mos i njihnin. Dinin tërë të fshehtat dhe gjuhët e pyllit, imitonin lloj-lloj zogjsh e kafshësh. Me një fjalë ishin zotër të natyrës përqark…

Vetëm kur djersiteshin e lodheshin nga lodrat, që sajonte fantazia e tyre e ndezur, vajza i thoshte djalit:

– Eja, Shushurimë, të pushojmë, – dhe turreshin të zënë për dore drejt lëndinave.
Shtriheshin mes luleve e barit, ballë për ballë dhe rrekeshin për t’u parë në sytë e shoku-shokut ashtu të dehur nga aromat e këndshme që ngopnin ajrin. U flakërinin sytë nga ca zjarre të fshehura thellë në gji. Vështroheshin e vështroheshin e përhumbeshin në një lloj malli të pakuptueshëm që ua lulëzonte ndjenjat, ua rriste shtatin dhe i afronte përditë e më shumë… – Eja, Turtulleshë, po na lë dreka, – thoshte djali kur i merrte uria.

Rrëmbeheshin përkrahësh dhe suleshin drejt bagëtisë. Ishin të buta manare, dhentë e dhitë. Mblidheshin me blegërima kënaqësie sapo u bënin zë djali e vajza. E ata shuanin urinë drejt e në thithat e gjinjve si qengjat e kecat. Pinin e pinin sa ngopeshin me qumshtin e vakët. Dhe për ditë ndienin sesi bëheshin të bukur si edhe vetë natyra ku gjallonin. Dhe për ditë e më shumë kuptonin se ishin lindur për shoku shokun…

Mirëpo ç’ndodhi më tej? Shoqëria e tyre na i ra në sy jo vetëm fshatit, por edhe qoftëlargut, djallit. I patën zili moshatarët, i pati zili edhe djalli…
Dhe mos të pastë kurrë zili qoftëlargu!…
Një ditë nga ditët, i paudhi iu shfaq vajzës me pamjen e një shoqeje dhe, pasi i preu udhën, zuri t’i pëshpëriste se Shushurima nuk ishte ai që dukej, por shejtani vetë… A nuk ishte më i zgjuar, më i shkathët, më i shpejtë dhe më i fortë nga djemtë e fshatit?!… Po, po!… A nuk sillej ndryshe nga njerëzia?!… Po, po!… Marrëzi pas marrëzish bënte për t’u shitur si askush tjetër!… Po, po!… A nuk ishte një sjellje e tillë djallëzi?!… Po, po!… Djallëzi për të mashtruar atë, Turtulleshën!…

Dhe këtë e bëri i paemri të nesërmen, të pasnesërmen, ditë, javë e muaj me radhë, derisa ia prishi mendjen vajzës…
Tani ajo e shihte me mosbesim guximin e tepruar të Shushurimës. E trembnin kokëshkrepjet e tij që më parë e joshnin aq shumë… “Hë, Turtulleshë, a nuk është Shushurima vetë djalli?!… A s’të thashë?… Shihe, shihe si fluturon nga shkëmbi në shkëmb, nga lisi në lis?!… Dhe s’paska krahë zogu!… Shihe, shihe si e thëthin qumështin e gjirit të deles dhe të paska mësuar edhe ty!… Shihe si i përkëdhelen drerët, si mëshqerra!… Askujt nuk i shkojnë në mendje këto, veç Shushurimës… Ç’emër i çuditshëm! Ç’emër i shëmtuar si vetë të pabërat e djallit!”… I jehonte kështu herë pas here në veshë Turtulleshës zëri i shoqes, në pamjen e së cilës fshihej qoftëlargu…

Dhe vajza tundte kokën gjithnjë e më e zymtë. Errej e gdhihej me një pikëllim të heshtur që ia gërryente zemrën. Dhe përherë më e ftohtë, më e ngrysur rrinte. Priste rastin t’i largohej Shushurimës, megjithësë diçka e mbante lidhur pas tij… Ca fije të padukshme për sytë e saj… Ndoshta fuqia magjepsëse prej djalli?!…
Kjo e tmerronte vajzën, sado që edhe besonte edhe jo në të qenurit e djallit. Përrallat thoshnin shumë për prapësitë dhe ligësitë e tij. Të qenë të vërteta vallë?… Ku ta dish?!…
Dhe i vinte keq që kishte humbur e po humbiste ende kohën me atë të paudhë… Madje për të qarë… Megjithëse ç’të keqe kishte parë prej tij?… Mos ndoshta do ta pësonte më vonë?!… Dhe dridhej e tëra si nga ata korrentet e shpellave të errëta e të lagështa të malit.

Ja, aty strehohen djajtë!…
“Sa poshtë ke rënë, i thoshte vetes ajo. Po edhe diç ke fituar ama, e kundërshtonte një zë i brendshëm, ndoshta zëri i vetë djallit, Shushurimës… Po si s’më pyet ai, pse jam mbyllur kështu në vetvete, habitej ajo. Edhe ai është bërë fjalëpak, megjithëse vazhdon të lodrojë si më parë… Ta ketë kuptuar hilen vallë?!… Patjetër, përndryshe s’do të ishte ky që është”!… Po e cfilisnin dyshimet dhe hamendjet Turtulleshën aqsa një mëngjes nuk duroi dot më dhe iu drejtua e dëshpëruar djalit:

– Ti s’je njeri i mirë, mos t’i pafsha më sytë, Shushurimë!…
– Eja në vete, Turtulleshë!… – klithi djali dhe iu pre gazi në buzë, iu rrëqeth shtati, u drodh si fletë lisi nga bubullimat.
– Po, po! Ti je djalli vetë! Mos guxo të më dalësh më përpara! Të vraftë mallkimi im, të vraftë Shushurimë, se më ke mashtruar!
– mallkoi dhimbshëm vajza dhe mbylli sytë për të mos e parë më kurrë atë fytyrë dikur aq të dashur…
– Turtulleshë!… Ti nuk më do më?! – briti i shpërfytyruar djali dora e të cilit mbeti e ngrirë pas një fijeje floku të vajzës.
– Më therin sytë! Të urrej! – thirri ajo dhe djali ngriu i tëri si të ish goditur nga një shkrepëtimë.
Pastaj ndjeu se si trupi i tij i përvëluar po avullonte dalëngadalë dhe përzihej me ajrin që zuri të vorbullonte dhe të drithërohej gjithandej, duke ua përcjellë edhe lisave ethet e veta…

Frushullonte ajri, shushurinin gjethet, shushurinin flokët e vajzës, shushurinte gjithçka, për habinë e saj. Dhe i bëhej asaj se e ledhatonte ëmbël një dorë e padukshme. Po ajo nuk i hapte sytë… Kujtonte se e kish pranë Shushurimën, i cili donte ta merrte me të mirë, ta zbuste…
Po më tepër kreshpërohej ajo… I shtrëngonte fort qepallat, megjithatë edhe në errësirën përbrenda tyre hyri që hyri hija e Shushurimës. S’i ndahej lehtë ai. Kurrë s’kish për ta lënë të qetë… Prandaj ajo hapi sytë të kacafytej për jetë a vdekje me djalin-djall…

Përpara asgjë, as djathtas e majtas, as afër e larg… Asgjë gjithandej… Asgjë nuk i zinin sytë, përveç barit e gjetheve që përkundeshin si kurrë ndonjëherë… Ku të ishte zhdukur Shushurima?!…
– Shshshuuu! – shushurinte ajri dhe drithërohej natyra.
U drithërua edhe ajo nga fërfëlliza, nga vetmia që e rrethonte. I regëtiu zemra dhe befas boshllëkun që ndiente ia mbushi një mall i çuditshëm për djalin-djall. Donte ta urrente e s’e urrente dot. Donte ta zbonte nga kujtesa e s’e zbonte dot. Hija e tij sillej sa jashtë dhe brenda qenies së saj. Po ai vetë ku të ishte futur?!…
Malli po ia roniste krahërorin…

– Shushurimëëë! – thirri me gjithë fuqinë e zërit të saj vajzëror, por askush s’u përgjigj, veç kësaj lëvizjeje të re të ajrit, i cili, ku përplasej me bar e gjeth, shushurinte lehtë e vajzës i bëhej se dikush i murmuriste fjalë malli…
Befas diç nuhati ajo dhe i dhembi zemra. Sytë iu mbushën me lotë. I rrodhën e i rrodhën lotët faqeve e nëpër trup. U qull e tëra si nga një shi lotësh, si t’i ishte përlotur krejt qenia. E lotët dalëngadalë u shndërruan në pendë të shndritshme dhe vet ajo në një zog të paparë ndonjëherë atyre anëve…

Lëvizi krahët, tanimë me pupla, i përplasi fort si t’i shkundte dhe, pas pak e pa veten në ajër. Loste ajri me të, loste ajo me ajrin. Dhe, teksa ndiente përkëdheljet e tij, që i zgjonin përbrenda një mall të vjetër, hapi gojën për të folur, por, në vend të fjalëve, i rrodhën një varg tingujsh melodiozë: ishin notat e para të një kënge të re zogu!… Pylli shushurinte i blertë poshtë Turtulleshës…

* * *
Në mbrëmje dhentë e dhitë u kthyen pjesë-pjesë në fshat. Ca humbën nëpër pyll e ca u bënë pre e ujqëve… Po barinjtë? Mos ishin rrëmbyer me shoku-shokun, siç pëshpëritej poshtë e lartë nga gojët e liga?…
Sidoqoftë, fshati u alarmua dhe njerëzit e mirë rendën në kërkim të tyre. Brodhën ditë e netë me radhë e askund nuk i hasën gjurmët e djalit e të vajzës…

Ndërkohë njerëzit vunë re lëvizjen e çuditshme të ajrit si një murmurimë e pafund llafesh… Llafe të liga!… Thashetheme!… S’kish të pushuar shushurima e ajrit… Herë mekej e herë-herë rrapëllinte e fshinte ç’gjente përpara…
Duan të thonë se njerëzit kësaj shushurime i vunë emrin erë. Pra, llafe në erë… erë… Pikërisht në këtë shprehje e ka zanafillën ky emërtim i ri, sipas etimologjisë popullore çame… Dhe qysh atëherë, thuhet se lindi era…
Më vonë, shumë më vonë, njerëzit vunë re në pyllin e tyre zogun e panjohur, që loste me erën. Dukej se era frynte për atë zog dhe zogu fluturonte për erën. Një lojë e mrekullueshme kjo për sytë kureshtarë…

Me kalimin e kohës njerëzit u mësuan me miqësinë e fortë të zogut me erën. Mirëpo syrit dhe mendjes se tyre nuk mund t’u shpëtonte edhe ajo dëshirë e egër me të cilën i shtrinte krahët zogu dhe sulej si shigjetë nëpër erë, si për të përqafuar ajrin dhe me ç’duf shushurinte ajri në të tilla raste… E përpinte zogu hapësirën!… E përpinte atë hapësira!… Seç kishte një dhimbje, një dramë në këtë fluturim të mundimshëm…

Dhe qëlloi që dikush, ndoshta në një natë dimri, pranë zjarrit bubulak, të përqaste, në mendjen e tij, zhdukjen e pagjurmë të Turtulleshës e Shushurimës me fluturimin e çuditshëm të atij banori të ri pendartë në pyllin e tyre…

Dhe lindi kështu, atëherë, kjo rrëfenjë, që e tregojnë edhe sot e kësaj dite në Çamëri…

Vlerësime

METAMORFOZÊ DHIMBJEJE - Nga Emrie Krosi

Shënime për librin me tregime “Turtullesha dhe djalli”

“Turtullesha dhe djalli” titullohet libri i parë me tregime i prozatorit Shefki Hysa. Kjo përmbledhje me tregime është pasqyrë e një realiteti të shpërfytyruar prej ish diktaturës komuniste, ndryshe nga ai “realitet” i sajuar socialist që himnizonte letërsia e gjymtuar e realizmit ideologjik. Pra, krijimtaria e këtij autori i përket një letërsie të mohuar nga ish-censura komuniste, e cila ruhej nga të ashtuquajturat kthetra të “dekadencës së absurdit”, që gjoja errësonin vlerat e vërteta të artit e të letërsisë shqiptare.

Shkrimtari Shefki Hysa në këtë libër paraqitet sa këngëtar i dashurisë dhe njëherësh i metamorfozës së madhe njerëzore që shkakton dhimbja e humbjes së asaj dashurie që dhunohet prej së keqes, që simbolizohet prej djallit, qoftëlargut, shejtanit apo sa e sa nofka të tjera, me të cilat rapsodi popullor emërton ligësinë e njeriut. Në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është një risi, e cila risjell në mënyrë krijuese në letërsinë moderne shqiptare, elementet e magjishme që hasen shpesh në krijimet folklorike, veçanërisht në eposin çam, gjë që e bën këtë letërsi të mrekullueshme e me vlera te mëdha, si ajo e realizmit magjik e përfaqësuar nga shkrimtari me famë botërore Gabriel Garsia Markez.

Ku shfaqet ky realizmo-magjizëm në tregimet e Shefki Hysës? Në tragjizmin e vetë realitetit të sjellë mjeshtërisht në dy plane: në njërin fati tragjik i njeriut dhe i dashurisë së mohuar, dhe në planin tjetër eposi i mrekullueshëm çam, me legjendat, përrallat, baladat, rrëfenjat, tregimet e jetuara e ngjarjet ngjethëse , të ritreguara artistikisht në krijimtarinë e këtij autori me origjinë nga Çamëria martire e përgjakur prej dhunës së legjioneve barbare zerviste greke. Pra, “Turtullesha” e tij s`ështe gjë tjetër, veçse një “Dashuri në kohën e kolerës” e ngjajshme me dashuritë e kohërave të trazuara të Markezit, që enden e enden shekujve deri në ditët tona dhe që do të vazhdojnë të enden deri sa të ekzistojë lufta e pashmangshme midis së Mirës dhe së Keqes. Fëshfërima e mallit të pashuar dashuror ndihet nga njëra faqe e librit në tjetrën, siç ndihet dhe ai pikëllim shkretëtire që buron prej transformimit që sjell e keqja, djalli, në jetën e përditshme njerëzore.

Transformimi në realitetin letrar që ka krijuar Shefki Hysa, i ngjan një lloj metamorfoze kafkane e risjellë në formën e nje rrëfenje, (jo si përrallë, por si një realitet metaforik i fshehur nga vështrimi i përbindshëm i “cikllopit shtet”), gjë që e bën librin e këtij prozatori një guxim me vlera letrare të rralla. Pa fshehur asgjë, (larg kolektivizmit dhe dashurisë së detyruar në realitetin e punës kolektive që predikonte socrealizmi), kjo krijimtari e vë individin në përmasat e vërteta dhe shpalos mesazhin se dashuria dhe dhimbja janë produkte sa njerëzore dhe hyjnore, të cilat nxisin te njeriu aftësitë për mbijetesë në luftën e gjatë për ekzistencë. Njeriu i dashuruar me jetën përjeton fitore e humbje, pra, kalon nga njëra gjendje në tjetrën, madje edhe metamorfozohet për të mbrojtur veten prej dhimbjes që i shkakton e keqja. Në librin “Turtullesha dhe djalli”, kjo metamorfozë dhimbjeje nuk vjen si një përjetim i një çasti përfytyrimi, por si një përmbysje e një “Piramide Keopsale” antivlerash që stolisnin shpesh shpirtin e dashurisë së personazheve të letërsisë socrealiste. Nuk ka religjion e ideologji në këto tregime, por thjesht një lirizëm autentik, një shpërfaqje e një “legjende” universale besimi, që quhet dashuri-dhimbje dhe humbje njerëzore, sa reale dhe tokësore, si në çdo vepër të letërsisë bashkëkohore botërore.

Mos vallë ky lirizëm pikëllues është thjesht një trill artistik? Jo! Êshtë shprehje mbijetese në kujtesën e dashurisë njerëzore, e cila, si vetë jeta, në procesin e lëvizshmërisë brenda lëndës dhe materies, gjallon duke shkaktuar më shumë lot e dhimbje se sa buzëqeshje. Çdo lloj dashurie sjell ndryshim, lulëzim, por e keqja, si gjithë bishat në pritje të preve të veta, synon shkatërrimin e shpirtit të dashurisë, e cila, për të mbijetuar, detyrohet të shndërrohet, të metamorfozohet, pa e humbur funksionin e vet, si në rastin e personazheve Turtulleshë e Shushurimë që, megjithëse u metamorfozuan, u rimishëruan në Zog dhe në Erë, përsëri dy realitete të lidhur pazgjidhshmërisht e të domosdoshëm për njëri-tjetrin.

Ky “realizëm magjik”, kjo mrekulli, paraqitet si koncept i mbijetesës së krijesave me origjinë hyjnore që kurrë nuk mbarojnë përballë fatalitetit që u sjell përplasja me të keqen, veçse tranformohen si në këto tregime, që nuk kanë “korniza letrare” e as “ego estetike joniane”, por pasqyrojnë atë që ndien e përjeton njeriu shqiptar, pavarësisht se sa i shpreh në rrethana të caktuara.

Askush nuk mund të thotë se jetova pa jetuar, askush nuk mund të thotë se dashurova pa dashuruar, askush nuk mund të thotë se humba pa luftuar… Ky është thelbi i mesazhit që na përcjell libri “Turullesha dhe djalli”…

Menu