Çamëria është pjesa më jugore e trungut tokësor shqiptar. Pra është Thesprotia e lashtë ilire, bukuria natyrore dhe shpirti i Epirit, një shtrirje territoriale bregdetare joniane e jugut të thellë shqiptar prej Sarandës e deri në Prevezë. Ajo është një nga krahinat etnografike më të begata që formojnë Toskërinë.
Pjesa më e madhe e saj, matanë kufirit të Konispolit, në Qafë të Botës e tej drejt jugut, më 1913 u aneksua padrejtësisht prej grekëve. Prej Çamërisë mbeti brenda trungut amë, Shqipërisë, vetëm zona e Konispolit me fshatrat e saj.
Çamërinë nga Greqia që në lashtësi e ndan Gjiri i Nartës dhe ngushtica detare e Prévezës. Në veri zgjatet rreth 100 km. e në lindje deri në kreshtën malore të Dodonës. Brenda kësaj hapësire përmblidhet një sipërfaqe mbi 4.000 km2.
Ngase Çamëria zë vendin më kyç në udhët Evropë-Azi si edhe ngaqë toka (ullinjtë, agrumet, vreshtaria, pemtaria e blektoria) dhe portet e saj (Gumenica, Preveza, Sallahora, Parga e Sajadha) janë ndër burimetmë kryesore ekonomike në Ballkanin Jugor; nga lindorët e perëndimorët ka qenë lakmuar, mësyrë herë pas here dhe shndërruar shpesh në shesh luftimesh. Grekët ishin pushtuesit që kanë sinuar vazhdimisht jo vetëm zhdukjen e shqiptarëve të këtyre trevave etnike, por edhe zhbërjen e nocionit Çamëri.
Për shkak të luftërave të shpeshta popullata e Çamërisë nuk mundi kurrë të ngjitej mbi 115 mijshin. Ndoshta për arsye mbijetese rreth 65 për qind e çamëve përqafuan islamin e të tjerët mbetën ortodoksë. Të mëdha ishin humbjet e çamëve në cilëndo përleshje me pushtuesit e ndryshëm, po gjëmën më të hidhur ata e pësuan nga pushtuesit grekë, pas një përfytjeje të armatosur 6-mujore. Me të shkelur në Çamëri (10-12 mars 1913), ushtria greke filloi zhdukjen e burrave më të zotë. Vetëm pranë Paramithisë griu 100 prej atyre që mundi të kapte.
Shtrëngatën tjetër masive pushtetarët grekë e shpërthyen në dimrin e viteve 1921-1922. Qindra e qindra çamër e janinas i vranë, burgosën, internuan dhe i rrahën për vdekje; qindra gra e vajza i përdhunuan e masakruan.
Një vrungullimë masive edhe më rrëmbyese sundimtarët grekë e shpërthyen në vitet 1922-1926, kur me lloj-lloj mënyrash dhe mjetesh nga më të dhunshmet përzunë nga Çamëria mbi 30.000 shqiptarë islamikë dhe 40.000 të tjerë nga Janina e Tejgramozi.
Edhe më lemeritës ishte rrufulli (tornadua) që ata shpërthyen në muajt tetor-dhjetor 1940 e janar-prill 1941. Së pari ata rrëmbyen nga vatrat e veta tërë shqiptarët islamikë nga 14-15 vjeç e lart dhe i mbyllën në çarqet e vdekjes të ngritur posaçërisht në ujdhezat egjeike. Jo pak prej tyre u vranë barbarisht gjatë zvarrisjes udhëve e shumë më shumë vdiqën nëpër çarqet në fjalë, të ngjashme me ata të Aushvicit, Dakaut, Majdanikut etj.
Zhdukjen përfundimtare të shqiptarëve islamikë pushtetarët grekë e kishin parapërgatitur për në prill 1941, kur do të mbyllnin në ato çarqe edhe tërë fëmijët dhe gratë. Po Zoti ndaj ujqve grekë ndërseu tigrat gjermanë. Kjo dha mundësi që të ndalej përbindshmëria e pritme greke dhe ata që kishin mundur të mbijetonin nëpër çarqet në fjalë, të ktheheshin në Çamëri.
Zhdukjen tërësore të shqiptarëve muslimanë nga Çamëria e robëruar prej tyre, grekët e kryen gjatë verës e vjeshtës së 1944-s dhe marsit 1945. Mijëra e mijëra prej tyre: burra, gra, fëmijë u shkuan në thikë e u grinë me plumba. Nga e tërë ajo popullatë vetëm 20-22 mijë, duke vrapuar nën breshëritë e plumbave dhe të gjyleve, arritën të futen në shtetin shqiptar.
Qytetet kryesore, qendra qarqesh, të Çamërisë janë: Gumenica që përfshin qytet-rrethet e Filatit, Margëllëçit, Pargës e Paramithisë; Preveza që përfshin qytet-rrethet Lurë dhe Nartë.
Çamëria ka rreth 286 fshatra që merren me bujqësi, kryesisht pemtari dhe blektori. Laget nga ujërat e detit Jon dhe është një zonë me klimë të butë e të freskët mesdhetare tejet pjellore, një natyrë e virgjër përherë e gjelbër larg ndotjeve industriale.