Mrekullitë e Rreme
Vlerësime
- KRIJIME ME VLERA TË RRALLA – Nga Sazan GOLIKU
- NJE SHKALLE E RE KRIJIMTARIE – Nga Dritero AGOLLI
Kur hapi sytë pa se rrezet e diellit fshiknin faqen e murit kundruall. Ishte koha për t’u çuar e megjithatë nuk lëvizi nga shtrati, veçse hapi njëherë gojën dhe nxorri krahët jashtë çarçafëve. Iu kujtua se mbrëmë kishte vrarë mendjen të ndryshonte diçka në jetën e tij. Të bënte patjetër diçka që ia vlen, që i shërben njerëzisë, por ende s’e kishte të qartë se ç’farë pikërisht. Le të mendohej edhe ca më mirë para se të vendoste për hapin që do të hidhte. Kishte gjithë atë kohë përpara deri në orën dy të mbasdites kur fillonte punën në atë ofiçinën e vjetër të autobuzëve. Ishte inxhinier mekanik.
Përditë i duhej të përsëriste të njëjtat veprime këto muajt e fundit. Të çohej rreth orës tetë, të vinte rrotull një copëherë sa të shpihej, pastaj të lahej te lavamani i vjetër dhëmbëckërmitur në qoshen pranë derës, të krihej në pasqyrën qorre gozhduar brenda fletës së dollapit të rrobave, të vishej dhe të dilte.
Si e linte pas hotelin e vjetër të beqarëve, nëpër një rrugë ende të paasfaltuar me godina pesëkatëshe anëve, mbërrinte në një kryqëzim ku haste ndonjë shok dhe futeshin në klubin e Pilurit për të pirë kafe. Pastaj zbriste drejt qendrës së qytetit për të ngrënë mëngjesin në taverrnën “Detari”, pranë agjensisë së autobuzave apo te restorant “Peshku”, në shëtitoren që zinte fill në portin detar. Më vonë do ta gjeje tutje bregdetit në drejtim të grykëderdhjes së Bistricës. Kotej në lloj lloj hamendjesh derisa te bryli i xhades, që linte pas zonën e banuar, shquhej ajo vogëlushja, gjimnazistja përparësezezë e jakëbardhë, që i zgjonte çuditërisht nostalgjinë e zogjve shtegtarë, dallëndysheve, mbase për faktin se shtegtonte çdo ditë prej fshatit në qytet ku kryente shkollën e mesme dhe anasjelltas. I regëtinte zemra teksa ngadalësonte hapat dhe priste që ajo të parakalonte përbri tij. E ndiente me çdo qelizë të trupit afrimin e vajzës dhe të rrahurat e zemrës padashur intonoheshin në atë trokun e saj prej sorkadheje. Mezi mbushej me frymë ato çaste, i drithmohej shpina dhe i ftohej zverku prej djersës. Ndiente edhe frymëmarrjen e saj të trazuar në njerin prej veshëve dhe nuk guxonte të kthente kokë. Një zë e ngucte së brendëshmi t’i fliste, mirëpo as që ishin përshëndetur ndonjëherë. Frushullonte ndjellëse si shushurimë pranvere përparësja e saj teksa largohej dhe ai mallkonte veten që përsëri e përsëri nuk ishte burrëruar për t’i folur. Po ajo ç’mendonte vallë tek ecte një copëherë e shqetësuar paralel me të pa guxuar të ngrente as sytë nga asfalti?! Vajza zhdukej tutje dhe ai veç psherëtinte me mendimin se të nesërmen do të shpërthente patjetër. Do t’ia zbraste si krismë pushke ç’ndiente në zemër. Mirëpo të nesërmet sikur nuk kishin të sosur duke ndjekur heshturas njëra tjetrën. Dhe ai sa herë shihej me vajzën i dukej sikur ia fshikte fytyrën e mandej zemrën krahu i një dallëndysheje në fluturim.
– Obobo! Kushedi sa do të ketë shkuar ora për në punë, – i thirri befas vetes dhe brofi në këmbë i tromaksur.
Zuri të vishej nxitimthi, por çuditërisht rrobat nuk ishin më ato të parat. Vuri re se po vishte një kostum krejt të ri prej stofi të rrallë nga më të kushtueshmit, që shkëlqente si edhe dhoma e mbytur në një dritë të mahnitëshme të kaltëreme, si dritë gjumi, por shumë herë më xixëlluese. Nuk po kuptonte nëse ndrinte kështu dielli nga jashtë dritares apo llampa elektrike. Edhe mobiljet ishin të tjera, të mrekullueshme, dhe mbanin erë varak si të saposjella nga zdrukthtaria. Donte ta vërente gjatë këtë ndryshim përrallor të mjedisit, por mendimi se mund t’i ikte autobusi e shkuli nga vendi. U turr jashtë.
Te hyrja e ndërtesës niste çuditërisht një pyll me drurë madhështorë kurorat e të cilëve drithëroheshin si fontana të blerta, që i suleshin një ajri të kuqërremtë. Mbeti një hop i nemitur prej asaj pamjeje të ëndërrt, por e shkundi zëri i një kali të kuq, i cili iu shfaq papritur prej thellësive të pyllit.
– Eja, Imzot, hipni dhe mund t’ju shpie ku t’ju dojë e bardha zemër, – shqiptoi kali i përulur njerëzisht.
– Desha të shkoj në punë, po të duash më nxirr te stacioni i autobusit, – ia ktheu djali gati pa mend në kokë prej atij kali me të folur njeriu.
– Është vonë, Imzot. Ju në këtë orë ktheheni nga puna… Më mirë po ju çoj tek e dashura… Ka kohë që ju pret… Më tha se sonte duhet të takoheni patjetër, – u ndje përunjësisht kali, si ata shërbëtorët e qëmoçëm të përrallave me mbretër.
– Ç’e dashur, më thua, unë s’e njoh, madje nuk kam fare të dashur?! – kundërshtoi habitshëm djali.
– Njiheni, Imzot, njiheni! Jeni takuar sa e sa herë në ëndrra, – nguli këmbë kali.
– Atëherë si të duash, më ço tek ajo, – u dorëzua djali dhe hovi në shpinën e kalit, që sakaq fluturoi përmes drurëve që fërshëllenin lloj lloj cicërimash e melodish të magjishme.
U ndalën nën kurorën e një ulliri gjigand mijëvjeçar trugun e të cilit vështirë ta pushtonin edhe krahët e shtatë divave. Druri u ça me krismë dhe në portën e sapohapur u dha një krijesë fosforeshente në trajtën e një vajze si të njohur si të panjohur, e cila i ngjante paksa asaj mikes së tij gjimnaziste dhe rrezatonte një nur ëmbëlsisht magjepsës.
– Jam e Bukura e Dheut. Ma jepni dorën, i dashur, – këngëzoi zëri i saj dhe djali pati përshtypjen se ai zë melodioz rrënqethte edhe gurin e drurin.
Zgjati krahun, ajo ia rrëmbeu dhe fluturimthi, si në ëndërr, humbën nëpër një varg sallonesh mbretërorë dhe u ndalën në mes të një biblioteke madhështore me një pafundësi librash. Djali u mrekullua. E harroi të Bukurën e Dheut dhe filloi të bariste përbri atyre librave të çuditshëm, që sapo t’i prekje të tregonin me zë njerëzor titullin e vet.
– Në këtë Bibliotekë është gjithë thesari i dijeve njerëzore. Këtu gjenden edhe librat e Bibliotekës së famshme të Babilonisë, zhdukur këtu e mijëra vjet të shkuara. Janë të tuat, po të pëlqejnë, – tha e Bukura e Dheut.
Djali i magjepsur nuk ia ndante sytë asaj Mrekullie të panjohur nga njerëzimi.
– Ç’të sheh syri janë të tuat. Edhe unë e jotja jam, – vijoi e Bukura e Dheut me tonin këngëzues.
– Me një kusht…, – u ndie djali me gjysmë zëri.
– Pa kushte! Thesari dhe unë të përkasim ty, djalosh, – u ndie lutshëm e Bukura e Dheut.
– Dua që këtë thesar ta vë në shërbim të njerëzimit. Vetëm kështu ka vlerë kjo Mrekulli e tetë e zbuluar prej meje, – theksoi djali.
– Nuk bën ta shohë as drita e diellit, këtë Mrekulli, – iu përgjërua e Bukura e Dheut.
– Atëherë qenka e rreme madhështia e saj! Unë nuk mund të dua një Mrekulli të gënjeshtërt! Duhet ta dish se njerëzimi ka humbur shumë me zhdukjen e Bibliotekës së famshme të Babilonisë. – ia ktheu prerë djali.
– Mos u ngut, djalosh, lere mënjanë njerëzimin dhe humbjen e tij. E meriton ti Mrekullinë. Ne të përkasim ty dhe vetëm ty.
– Jo! – klithi djali. – Nuk më lypset kjo Mrekulli, derisa nuk më jepet mundësia të ndihmoj njerëzit me vlerat e saj.
– Harroji njerëzit dhe merru me veten, Imzot. Ti nuk ekziston për ata. Nuk janë kujtuar kurrë për ty. Përse t’u shërbesh njerëzve, të cilëve nuk u bën asnjë përshtypje ekzistenca jote?! E meriton ti shërbimin e tyre, e meriton dhe Mrekullinë. Mos i bjer të mirës me shkelm, por hapi derën, kur të troket. Njëherë të vjen zogu në dorë, thonë, – iu lut e alarmuar e Bukura e Dheut.
Djali u mendua një hop. E Bukura e Dheut u zgjat dhe e puthi magjishëm aq sa gati u deh nga ëmbëlsia qiellore e buzëve të saj dhe po e pushtonte gjumi ashtu siç ishte, në këmbë.
– Jo, e dashur, nuk mund ta pranoj dhuratën tënde. Mbase nuk ekzistoj vërtet për njerëzit, nuk e dinë sa vlera kam brenda vetes, mirëpo unë pikërisht për këtë dua të ndryshoj. Dua të bëhem dikushi, të jem mes tyre, të më shohin me sy, të më prekin me dorë, të më perceptojnë me mendje, të më ndiejnë me zemër, t’u pakësoj hidhërimet dhe t’u shtoj gëzimet. I tillë jam unë. Dua që ata ta ndjejnë se po u shërbej sadopak dhe të thonë: Është gjaku ynë! Pra, unë dua të jem i dobishëm për njerëzit, dua gjithçka që u shërben atyre.
E Bukura e Dheut psherëtiu dhe qeshi përdhunshëm.
– Nuk më beson?! – hovi djali i vrarë në sedër.
– Edhe mua kërkon të më vësh në shërbim të njerëzve?! Edhe dashurinë time?! Dashuria ime është e shenjtë dhe të përket vetëm ty, kurrkujt tjetër! Kurrsesi nuk mund ta besoj se je kaq naiv! – theksoi hidhtas e Bukura e Dheut e përlotur.
Zhgënjimi i lexohej qartë në gjithë qenien…
Djali u mek prej reagimit të saj, madje i erdhi turp nga vetja për atë keqkuptim të tmerrshëm, mirëpo e mblodhi në një grimëherë veten dhe shpërtheu pikëllueshëm:
– E ndiej me shpirt dashurinë tënde të shenjtë dhe as që mund ta mendoj t’ia fal dikujt tjetër atë dhuratë të Zotit, e dashur. Nuk jam aq i papjekur. Në shërbim të njerëzve dëshiroj të vë “Mrekullinë” e këtij thesari, jo ty, mos më keqkupto. Njerëzit e gjorë janë aq të dëshiruar për dije, unë ndihem aq i etur përballë këtij thesari, por më ngjan veç me një mirazh shkretëtire, po qe se nuk më shuan etjen…
– Kjo Mrekulli është paja ime dhe të dyja bashkë jemi dhuratë e mjaftueshme për të shuar etjen tënde, besoj! Paja e nuses, vetëkuptohet, nuk vihet në shërbim të kujtdo apo jo?! – e ndërpreu vrazhdas ligjëratën e tij e Bukura e Dheut.
Djali heshti.
– E pranon apo jo këtë dhuratë të shenjtë?! – briti sa e paduruar dhe inatçore e Bukura e Dheut.
Djali ngriti supet kokëvarur.
– Po a jo?! – jehoi lëngueshëm zëri i saj.
Djali u kapërdi mekur. Si mund t’ia mbushte mendjen të Bukurës së Dheut se dijet e tij nuk vlenin asgjë, po të mos shuante me to kureshtjen njerëzore, po të mos zbuste sadopak me to përvëlimin e përhershëm të etjes së pashuar të llojit të vet aq pak të dijshëm përballë misterit të Universit?! Me sa duket ishte e pamundur. Dhe ai nga praktika njerëzore ishte mësuar se njeriu e kishte të pamundur të bashkëjetonte me të pamundurën. Të bashkëjetoje me të ishte absurditet. Do të thoshte të bashkëjetoje një jetë me gënjeshtrën. Dhe kjo ishte e papranueshme për një djalë si ai, me atë moral, me ato bindje, me atë cak njohjeje për jetën. Ja që kështu ishte gatuar ai…
– Po apo jo?! – u përsërit zëri i së Bukurës së Dheut, edhe më i largët, më i akullt, më i mprehtë si tehu i një shigjete vdekjeprurëse.
– Jo! – ngulçoi dhimshëm djali.
Pati ndjesinë se shigjeta e akullt e zërit të saj ia përshkoi tet e tej zemrën dhe u këput e ra plasur.
– Atëherë lamtumirë, djalosh! Udhë të mbarë për në botën e njerëzve.
– Lamtumirë, moj e Bukura e Dheut! Lamtumirë, ti, Mrekulli e paarritshme! – nëpërdhëmbi përgjumësh djali dhe sakaq u zhbë ajo botë e ëndërrt me një krismë të frikshme prej qelqi.
Befas hapi sytë dhe ndjeu se një dorë e padukshme e kishte flakur sakaq nga ajo parajsë e magjishme ëndrrash në realitetin e ftohtë të dhomës. Rrotulloi vështrimin dhe në dyshemenë prej çimentoje, midis krevatit dhe komodinës, shqoi qelqurinat e copëtuara të brokes së ujit, që, me sa kuptonte, e kishte rrëzuar padashur teksa flinte, me lëvizjet instiktive të krahut.
– Mirëseerdhe në realitetin njerëzor! – i thirri vetes gjithë gëzim dhe, si hodhi tutje çarçafët, brofi në këmbë me mendimin se duhet të ndryshonte diçka nga kjo e përditshme e njëtrajtshme ngjyrë gri.
Të ardhmen e tij patjetër do ta ngjyroste me ngjyrat e ngrohta të ëndrrave dhe do ta vinte në shërbim të njerëzimit. Vetëm kështu mund të kishte kuptim jeta për të tani e tutje
Vlerësime
NJË SHKALLË E RE KRIJIMTARIE
Nga Dritëro AGOLLI
Kam përpara në dorëshkrim librin e ri “Mrekullitë e rreme”, me tregime, të shkrimtarit Shefki Hysa. Para se ta lexoja, mendova se do të gjeja po ato elemente të stilit të rrëfimit që kisha gjetur në librat e tij të mëparshëm, veçanërisht në përmbledhjen me tregime “Rrëfimet e një hajduti”, vepër që deri në atë kohë ka qenë ndoshta më e dalluara për frymën e një realizmi të vërtetë bashkëkohor, me probleme dhe ide sociale që shqetësojnë shoqërinë tonë. Më kujtohet se atëherë më ka lënë mbresa edhe fragmenti “Babloku” nga romani “Parajsa e mallkuar”, që do ta quaja ekspresionist, duke u nisur nga përshtypja e thellë emocionale që të mbetet nga rrëfimi. Gjatë leximit të “Bablokut”, më lindi vetëtimthi një mendim, se procesi krijues i Shefki Hysës po përgatitej të kalonte në një fazë të re, megjithatë lëkundesha…
Dhe kështu, nisa ta lexoj përmbledhjen “Mrekullitë e rreme”, pa e shqitur nga mendtë “Bablokun”. Ato elemente që dukeshin atje në embrion, këtu në “Mrekullitë e rreme” kishin filluar të dalin filizë.
Po ç’janë këta filizë? Mendoj se ata duken në realizimin me elemente të fantastikes dhe të groteskut, po edhe të alegorisë, ku, siç dihet, ideja jepet në mënyrë të tërthortë. Le të marrim tregimin “Mrekullia e rreme” nga është nxjerrë edhe titulli i librit. Ideja e tij është se sado të bukura dhe të çmuara të jenë gjërat në vetvete, po nuk i shërbyen njerëzve, janë sende si gjithë të tjerat. Heroi ëndërrimtar shkon në një botë mrekullish, në krahët e një vajze të ëndërruar me pallate madhështore e me bibliotekë të magjishme. Këto mrekullira, përfshi edhe dashurinë, ajo dëshiron t’i ketë vetëm për vete dhe për të dashurin. Këtu lind mospajtimi. Kjo në përgjithësi është përmbajtja, e cila rrëfehet në fillim në frymën psikoanaliste:
“Kur hapi sytë pa se rrezet e diellit fshiknin faqen e murit kundruall. Ishte koha për t’u çuar e megjithatë nuk lëvizi nga shtrati, veçse hapi njëherë gojën dhe nxorri krahët jashtë çarçafëve. Iu kujtua se mbrëmë kishte vrarë mendjen të ndryshonte diçka në jetën e tij. Të bënte patjetër diçka që ia vlen, që i shërben njerëzisë, por ende s’e kishte të qartë se ç’farë pikërisht. Le të mendohej edhe ca më mirë para se të vendoste për hapin që do të hidhte. Kishte gjithë atë kohë përpara deri në orën dy të mbasdites kur fillonte punën në atë ofiçinën e vjetër të autobuzëve. Ishte inxhinier mekanik.
Përditë i duhej të përsëriste të njëjtat veprime këta muajt e fundit. Të çohej rreth orës tetë, të vinte rrotull një copëherë sa të shpihej, pastaj të lahej te lavamani i vjetër dhëmbëckërmitur në qoshen pranë derës, të krihej në pasqyrën qorre gozhduar pranë fletës së dollapit të rrobave, të vishej dhe të dilte.”
Kjo psikoanalizë jepet shkallë-shkallë për të pasqyruar personazhin realisto-fantasmagorik:
“Kotej në lloj-lloj hamendjesh, derisa te bryli i xhades, që linte pas zonën e banuar, shquhej ajo vogëlushja, gjimnazistja përparësezezë e jakëbardhë, që i zgjonte çuditërisht nostalgjinë e zogjve shtegtarë, dallëndysheve, mbase për faktin se shtegtonte çdo ditë prej fshatit në qytet, ku kryente shkollën e mesme dhe anasjelltas. I regëtinte zemra teksa ngadalësonte hapat dhe priste që ajo të parakalonte përbri tij. E ndiente në çdo qelizë të trupit afrimin e vajzës dhe të rrahurat e zemrës padashur intonoheshin në atë trokun e saj prej sorkadheje. Mezi mbushej me frymë ato çaste, i drithmohej shpina dhe i ftohej zverku prej djersës. Ndiente edhe frymëmarrjen e saj të trazuar në njërin prej veshëve dhe nuk guxonte të kthente kokë. Një zë e ngucte së brendëshmi t’i fliste, mirëpo as që ishin përshëndetur ndonjëherë.”
Dhe dalëngadalë, duke zbuluar figurativisht karakterin e personazhit, tregimi kalon në simbol. Dhe ndërsa me këtë tregim kemi të bëjmë me një simbol, me tregimin tjetër “Gomarët” jemi përballë një grotesku, me anën e të cilit fshikullohet mbretëria e paaftësisë e përzjerë me servilizmin. Njerëzit e paaftë, gomarët, jetojnë e lumturojnë mbi shpinën e të aftëve, fenomen ky i të gjitha kohërave. Edhe këtu autori nuk le pa përdorur psikoanalizën dhe paradoksin bashkë me groteskun të përzjerë me sarkazmën dhe satirën bashkëkohëse. Elementet e metamorfozës të sjellin në mend romanin e Apuleut, shkrimtarit të madh latin, “Metamorfozat ose gomari i artë”, i cili fatkeqësisht ende nuk është përkthyer shqip.
Në tregimin “Gomarët” autori shkruan:
“Për çudi, në ëndrra, çdo natë e shihte veten të shndërruar në gomar. Megjithatë, edhe sikur qenia e tij të hynte vërtet në lëkurën e asaj kafshe shtëpiake, ai prapë s’do ta besonte. E si mund të besohej diçka e tillë?!… Ishte Njëshi i Stafit Presidencial… Mund të thoshte se vinte drejt pas Presidentit në shkallën hierarkike. Nëpunësit i trembeshin më shumë atij se sa vet Shkëlqesisë së Tij, Presidentit. Jo, Rrapushi as nuk mund të ishte dhe as nuk mund të bëhej ndonjëherë katërkëmbësh, pavarësisht nga ajo ndjesi e pashpjegueshme që e rrëmbente netëve dhe e lëshonte në botën e ëndrrave në trajtën e një gomari…”
Këtu nuk është vendi për të hyrë në një analizë të hollësishme për librin “Mrekullitë e rreme”, pasi kjo do të kërkonte kohë. Prandaj unë mora si shembuj vetëm disa tregime, që janë karakteristike për krijimtarinë e stadit të sotëm të Shefki Hysës. Por në këto radhë nuk mund të le pa përmendur edhe tregimin e çuditshëm “Kryeplaku”, ku rrëfehet për fenomenin e grykësisë dhe makutërisë. Në këtë tregim, do të thosha se tiparet e ekspresionizmit janë më të tejdukshme se në çdo tregim tjetër, duke mos lënë mënjanë paradokset dhe groteskun ose fantasmagorinë të ndërthurur në gjirin e realizmit. Tregimi i bën jehonë në mënyrë figurative edhe korrupsionit dhe degjenerimit në shoqëri përmes një dinamike kinematografike të çuditshme. Fjala këtu është e lexueshme dhe e dukshme.
Në këto pak shënime do të zija në gojë edhe tregimin “Magjia” që hyn në radhën e tregimeve që përmenda pak më lart, veçse dallon prej tyre me ankthin që përcjell dhe frikën se mos kthehet ndonjë gjëmë e shkuar:
“Oh, e di që do të më quani të lajthitur, të sugjestionuar, të hipnotizuar, të përçartur nëpër truallin e skëterrshëm të ndonjë ëndrre të keqe, a ku ta di unë se ç’epitet mund të më vini, kur përmend magjinë. Puna juaj, megjithatë, në fund të fundit, fakti i gjallë, produkt i dhunës së saj, jam unë. Duke më vërejtur do ta kuptoni menjëherë shpërfytyrimin e qenies sime. Ja, shihmëni fytyrën e parruar e të tretur, me hundë e buzë të çara, të përgjakura, me mollëza tërë puçra e dregëza, gjurmë thonjsh e dhëmbësh bishe, flokët e gjatë, të kërleshur, të ngatërruar e përbaltur, të rrallë e më të rallë në ballin e zmadhuar e të rrudhur edhe më prej tmerrit të strukur thellë kafkës që po më ravijëzohet qartas e më qartas. Shihmëni trupin e mpakur e të mardhur. E, pra, a nuk ndieni edhe ju ndopak frikë, dhembje, mëshirë, neveri, tallje e ç’ju thotë zemra prej katandisjes sime?…”
Siç e thamë, shkalla e sotme e procesit krijues të prozatorit Shefki Hysa dallohet me tiparet ekspresioniste. Por nëse na lejohet, shoqërisht do të dëshironim që tendenca tek-tuk të fshihej dhe të mos dilte në ndonjë rast qëllimisht hapur. Dihet se ekspresionizmi i hershëm, edhe se tendencën ideore e kishte të fshehtë, shquhej për patosin e “katastrofës dhe të ulërimës”. Ekspresionizmi i ri duhet të jetë ndryshe dhe këtë gjë unë jam i bindur se shkrimtari Shefki Hysa e kupton, pasi tregimet e tij kanë mbi të gjitha frymën kombëtare me shenjëzat e shpirtit të zgjuar çam, ngaherë të shqetësuar dhe gjithmonë në kërkim dhe në zbulim, pasi njeh mirë librin e jetës dhe librin e bibliotekës.
KRIJIME ME VLERA TË RRALLA
Nga Sazan GOLIKU
“Mrekullitë e rreme” titullohet libri i ri me tregime i Shefki Hysës, për të cilin shkrimtari i shquar Dritëro Agolli shprehet: “Tregimtari im i dashur me vrojtime të çuditshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë nga unë e të tjerët”.
Me këtë libër shkrimtari Shefki Hysa ka thelluar tiparet më të mira të prozës së tij, duke bërë kështu një hap tjetër në rrugën e ravijëzimit të profilit të vet krijues. Në këto tregime ai priret nga e sotmja, madje duke sjellë edhe të shkuarën nëpërmjet retrospektivës. Personazhet e tij janë nën presionin e shtetit totalitar, por edhe të cmirës, lakmisë, vanitetit dhe hipokrizisë njerëzore, të cilat mbijetojnë në çdo sistem politik e shoqëror.
Në çdo faqe të librit autori pohon me forcë egzistencën e vlerave të njeriut, mirësinë, guximin dhe pathyeshmërinë e besimit te vetja. Të gjithë personazhet kalojnë çaste traumatike, por autori nuk pranon që hija e pesimizmit ta ndjekë lexuesin pasi mbaron tregimin.
Gjuha alegorike dhe ironike e këtyre prozave e shfrytëzon hiperbolën dhe kontrastin pa u ikur referencave me mjedise, tipa e ngjarje konkrete të realitetit shqiptar. Elementet e fantastikes e të magjikes janë në funksion të një realizmi të egër, po bindës.
Libri hapet me shkrimin e Dritëro Agollit “Një shkallë e re krijimtarie” dhe mbyllet me analiza për prozën e Shefki Hysës nga shkrimtarë e kritik të njohur si Ismail Kadare, Natasha Lushaj etj…