Duan të thonë se pasi kaloi Venttingun, Fakiri u bë dhe Shefi i Misionit të Paqes. Vetëkuptohet një nga misionet më të respektuar në Botë. E kush nuk e ka dëshirën të bëhet pjesë e tij?!…
Ndër të parët që u dukën në zyrat e misionit për ta uruar Shefin e Ri, ishte dhe Zaçe Mafiozi, një ndër banditët gjobvënës më të rrezikshëm të Tiranës. U paraqit në korridorin e zyrave i shoqëruar nga shtatë banditë të tjerë, çuna njëzetepesë-tridhjetëvjeçarë kokërruar si naziskinët, ushtarët e tij.
Sa i thanë se e kërkonte Zaçe Mafiozi, Fakirit i ngriu gjaku dhe me gjysmë fytyre doli me vrap në korridor.
Bobo!… Kaq e pat dhe karriera e tij, me kryemafiozin te dera e Misionit të Paqes, mendoi i tmerruar. Megjithatë i zgjati dorën. Gjunjët i dridheshin, pështyma i ishte tharë në fyt.
“Fakir, harroje njëherë e përgjithmonë Vettingun dhe Misionin!” – i tha vetes teksa mendja i punonte e alarmuar se si do të dilte nga kjo situatë…
Ambasadori Lu, që e kontrollonte cep më cep Shqipërinë me ato dylbitë gjigande të satelitëve të vet, nuk do t’ia falte kurrë shoqërimin me një nga kapot e krimit të organizuar, siç përflitej për Zaçe Mafiozin.
– Shef Fakiri, më duket se të ka hyrë frika në palcë dhe të dridhen këmbët si të lepurit, me sa po shoh?!… Mbaje veten, or burrë, se edhe Zaçe Mafiozi ka të drejtë të ndryshojë e të hyjë në rrugën e Zotit! – u zgërdhi Zaçe Mafiozi me tërë atë trup të dhjamosur, mbi dyqind kile, gati dy metra të lartë.
– Për hair qoftë, Zaçe! – e mblodhi një hop Fakiri i tëri sy e vesh.
– Së pari, këta horrat e vegjël, le të rrinë këtu në korridor dhe ne rehatohemi në zyrën tënde, Shef Fakiri. – E di, tipa si këta bodigardët e mi, nuk bëhen kurrë njerëz, sikur t’u falësh gjithë botën. Derra se derra mbeten. Dhe të mendosh se unë i trajtoj si djemtë e mi, – tha Zaçja dhe hyri pa e ftuar në zyrë.
Fakiri e ndoqi me bisht të syrit. Zaçja duhet të ishte rreth të dyzetave.
– Te kjo zyra e madhe me flamurët e botës, do rrimë a po jo? – tha Zaçja dhe u rehatua në krye të vendit në karrigen me mbështetëse të gdhendur si shqiponjë dykrenore.
– Ku ta kesh kokrrën e qejfit, Zaçe! – tha Shef Fakiri dhe zuri vend përballë me mendimin se ishalla nuk i mbushej mendja Mafiozit e nxirrte celularin për ndonjë selfie.
Edhe ajo i duhej: një foto me Zaçen dhe shkonte për lesh karriera e Fakirit.
– Të thashë se kam ndryshuar, Shef Fakiri. Mund ta kaloj dhe unë Vettingun. Jam bërë Misionar Paqeje, kështu që bëhu trim, or burrë!… Ta dish se nuk të vë në siklet Zaçe Mafiozi… Nuk lë të të hyjë gjemb në këmbë…
– Urdhëro e fol, Zaçe Trimi! – e ndërpreu Shef Fakiri me dorën në zemër, në dukje i qeshur, ndërsa shfrynte me vete njëmijë sharje për atë derr që i kishte gjetur derën e zyrës.
– Fol e qesh, thuaj më mirë, se sot më qeshet shpirti! – o Shef Fakiri.
– Rrofsh e qofsh e mbretërofsh, o Zaçe Zaçja!…
– Zaçe Misionari, më saktë, Shef Fakiri! – e ndreqi Mafiozi shprehjen e Shef Fakirit, teksa po mbytej nga të qeshurat e një vetëkënaqësie delirante.
– Misionari i satëme! – turfulloi nën zë Fakiri, dhe u përkul që të nxiste bisedën.
Mafiozi po plaste së qeshuri, aq sa Shef Fakiri u nxi në fytyrë.
– Po shkrepe koburen, o Zaçe, ç’ka bërë vaki që e ke shpallur veten Misionar Paqeje?!…
– Shef Fakiri, unë e di që ti e di, po mos bëj sikur s’e di, që unë kam hyrë në Udhën e Zotit!… Ti si Shef i Madh di gjithçka ndodh në Botë dhe nuk di se Zaçe Mafiozi sot është Zaçe Misionari?!…
– Që je Misionar Lufte e di dhe bufi dhe jo vetëm unë, o Zaçe! – e ngacmoi Shef Fakiri.
– Ha ha ha!… Nuk ke hequr dorë nga huqet e shakaxhiut… Ja, kështu të paça, gjithmonë me humor! – ia priti Mafiozi.
– Do Zoti! – psherëtiu Shef Fakiri
– Dje isha vërtet Misionar Lufte!… Por sot po deklaroj me fjalën time të nderit, që e mbaj lart me krismat e kobures, se pas shumë sherresh, luftërash, përpjekjesh e sakrificash nëpër sheshbeteja për territoret e Tiranës, më në fund arrita t’i pajtoj ato dy fiset gjëmëmëdha të Bregu të Lumit, fisin Kamkum dhe fisin Dumdum, dy fiset më të mëdha mafioze që u vranë e u prenë këto 25 vjetë për hesape droge.
– E po Zoti ta shpërbleftë, O Zaçe, se e pake bërë një punë si njerëzit!…
– Mos ia fut kot, o Shef Fakiri!… Zoti në qiell e ne në tokë!… Nuk kujtohet Zoti për mua, o Shef Fakiri, po nuk u kujtova vetë për veten! – e ndërpreu Zaçja, me nervozizëm.
Fakiri heshti.
– Mos u kujtua Zoti për Kamkumët e Dudumët që u vranë e u prenë një jetë?!… Thuaj shyqyr që u kujtua Zaçe Mafiozi, që i pajtoi, më saktë Zaçe Misionari…
– Bravo Zaçe!… Paske shpëtuar jetë njerëzish…
– Bravo i thuhet gomarit, Shef Fakiri… Zaçes i thuhet: Rrofsh sa Malet, O Zaçe! – i tërhoqi vëmendjen Mafiozi.
– Po sa jetë shpëtove kështu, o Zaçe? – u bë kurioz Shef Fakiri.
– Ç’po dërdëllis o Shef Fakiri?!… Për ç’jetë po thua?… Kamkumët dhe Dudumët kanë ikur të tërë për lesh… Në botën tjetër… Në ferr, thuaj më mirë…
– Po ti sikur i shpëtove?!…
– Uiii, i shpëtova thotë!… Po a shpëtoheshin ata?!… Të dilja dhe kundër Zotit thua, o Shef Fakiri?!… Po unë i kam trutë në vend, nuk jam çmendur!… Nuk thua shyqyr që u shporrën dhe na e lanë Tiranën të lirë?!… Shpëtova nja dy qurrashët e fundit që kishin mbetur, njëri nja nëntë e tjetri dhjetë vjeç… Dy kopilët e fundit Kamkum e Dumdum që i bënin karshillëk njëri-tjetrit dhe lagjes… Gjuheshin me gurë e llastiqe, horrat!… Dhe nuk lanë xhama pa thyer e njeri pa gjakosur… U shisnin tangërllik dhe mamave të tyre, pisat, kopilat e vegjël, qurrashët!… Po Zaçja e kapi situatën. Nuk i shpëton gjë Zaçes!… Vrava mendjen gjatë për këtë situatë alarmante dhe një mëngjes u dhashë urdhër horrave të mi të m’i sillnin me vrap ata dy mistrecët… Dhe brenda sahatit m’i sollën në bagazh të Hamerit. Ishin pshurrur në brekë dhe mbanin erë këlysh bushtre, pizevengët! Veç t’i shihje se si rrinin sus para Zaçes! – u zgërdhi Mafiozi.
– Po paske bërë hatanë, O Zaçe! – vuri dorën në ballë Shef Fakiri.
– Duro se ka edhe më!… Donin të mbanin gjallë hasmërinë, zullapët!… I kapa për veshësh dhe i peshova mirë e mirë dhe ashtu në ajër i përplasa mirë e mirë kokë më kokë, aq sa u gjakosën ballë, hundë e buzë. I plasa në shesh me nga një shkelm bythëve dhe, duke ua ngulur vëngër atë vështrimin tim si tytë kallashi, u betova se herë tjetër do ua këpusja kokën si të zogut të pulës, po të grindeshin më… Deshën s’deshën qurrashët i shtërnguan dorën shoku-shokut, u pajtuan… More u bënë shokë le të themi!… Dhe për këtë gjest pajtimi mamatë e tyre më sollën dhuratë nga pesëdhjetë mijë euro, secila…
– Paske bërë kërdinë, një vepër bamirëse të denjë për sojin tënd, o Zaçe Mafiozi! – e përgëzoi Shef Fakiri, me një lloj ironie të fshehur.
– Kryevepër, thuaj! Shpëtova dhe lagjen… Ra rehat bregu i Lumit nga ata dy pleshtat… Mrekulli, Shef Fakiri, Mrekulli thuaj!… Dhe e gjitha kjo bamirësi i dedikohet Zaçe Misionarit, dora vetë…
Shef Fakiri mbeti një hop mëdyshas.
– E shoh se të bëra xheloz edhe ty, o Shef Fakiri, me këtë gjest kaq humanitar, me këtë gjest kalibër topi e jo kallashi!…Po ti mos u mërzit, se kështu e ka jeta, sot unë e nesër ti… Do Zoti të vjen edhe ty radha për bamirësi të këtij kalibri!…
– Bravo Zaçe! – e lavdëroi Shef Fakiri.
– Plaç! Të thashë se bravo i thuhet gomarit!… Zaçes i thuhet urime!… Urime Zaçe Misionari! – u fry Mafiozi i kapardisur prej deliromanisë.
– Ok, Zaçe, ti thua se je Misionar!… Edhe unë nuk kam kundërshtim, po së pari duhet kaluar Vettingu që të çertifikohesh si Misionar Paqeje… Pasi kalohet Vettingu, fjalën e fundit e thotë Bordi…
– Po ç’punë kam unë me Vettingun dhe me Bordin, more pis Fakir?! – shpërtheu e gjëmoi Zaçe Mafiozi si e shkrepur pushke dhe sakaq përplasi koburen mbi tavolinë.
Fakiri ngriu me sytë te vështrimi i tytës së kobures.
– Vettingu thotë!… Koburja të pret, Fakir, po nuk i thirre mendjes!… Vettingu është gjynahqar para veprës sime kaq humanitare!… Pajtova brezin e së ardhmes!… Shmanga një gjakmarrje!… Pajtova dy familje, dy fise që do të zhdukeshin fare, do të kishin ikur për lesh tullaci, siç e kishin nisur…
– E po rregullat janë rregulla, more Zaçe…
– T’i tregoj mirë unë rregullat ty, me koburen time, Fakir!… Po kur u bëre garip ti, o Fakir?!…Për ç’rregulla dërdëllit, o Fakir!… Pa t’i dëgjojmë njëherë këto rregullat e tua? – shfryu Zaçja i xhindosur.
– Dakort, Zaçe, siç i shkruan ti rregullat e tua me koburen tënde, ka edhe Misioni i Paqes ca rregulla të shkruara me penë… Dhe unë jam i detyruar t’i zbatoj, ndryshe…
Zaçja rrudhi hundët si të frenonte ndonjë shpërthim gjëmëndjellës.
– Shiko, Fakir, Vettingu dhe ti duhet të keni frikë jo vetëm koburen time, po dhe bëmat e mia… bëmat për paqe…
– Zaçe, ke çuar ndonjë lek në Xhami? – vazhdoi Fakiri.
– Larg qoftë!… Nuk jam musliman… Jam ateist…
– Po në Kishë, o Zaçe?
– Mos më fëlliq, Fakir!… Vërtet e kullufis mishin e derrit, me gjithë lëkurë, vdes për gicat, po nuk jam kaur!…
– Po jetimët i ke ndihmuar?
– Ata nuk i deshi Zoti, u mori prindët, pse t’i dua unë?…
– Po fëmijët me të meta mendore e fizike?
– Ata që i ka lënë të mangët vetë Zoti?!… Fakir, mos më xhinos të lutem, që të rrëmbej koburen!… Mos më bëj me pahir gjynahqar!… Ata i ka fshirë vetë Zoti nga lista e asistencës, pse t’i përfshi në listpagesat e mia?!… Nuk i mbaj dot në kurriz gjynahet e atyre kopilëve… Boll hasmëri kam me Zotin, më duhet pak paqe me Zotin dhe jo luftë… Njeri jam dhe unë, dreqi ta hajë… Më lodhi Lufta!… Prandaj dua të jem Misionar Paqeje…
– Po ndonjë shtëpi pleqsh a ke ndihmuar?!… Se na duhen faturat, vërtetimet që ti bën bamirësi, je bamirës, filantrop… Kështu i tregojmë Botës se ti ke hyrë në Udhën e Zotit… Dhe njeriu në Udhën e Zotit është automatikisht Misionar Paqeje…
– Hyn në Udhën e Zotit kur çon pare në shtëpinë e pleqve?! – u zbut befas Zaçe Mafiozi dhe u çel e u qesh i tëri si të kishte vjedhur vetë Bankën e Shetit Shqiptar.
– Patjetër, kush ndihmon të moshuarit, vetëkuptohet, është në anën e Zotit, Misionar i Zotit, domethënë Misionar i Paqes! – u hodh Shef Fakiri përpjetë i çliruar befas edhe ai nga barra e rëndë e kërcënimit të kobures së Mafiozit.
– Kam rrasur me kohë dy pleqtë e mi, babë e nanë, në një azile pleqsh… T’u bëj zë atyre të më sjellin faturat… Kam kaq vite që i mbaj me bukë matufët, paguaj për ata dy malukatë që i ka harruar Zoti në kurrizin tim! – brohoriti Zaçja triumfator.
Shef Fakirit i ngeci zëri në fyt.
– Të lutem, Zaçe, pagesat për babë e nanë janë detyrim i çdo fëmije… Janë detyrim para Zotit, jo bamirësi… Je Misionar Paqeje kur ndihmon edhe pleqtë e lagjes, jo vetëm të tutë, – sqaroi Fakiri.
– Ore, Fakir, më duket se ke luajtur menç, ç’punë kam unë të ushqej pleqë e tu dhe tërë të rrjedhurit e lagjes?!… Mos më pandeh gjë budalla?!… Paret e mia i ha vetë dhe jo me ty!… I fitoj me kobure dhe i mbroj me kallash, mor Fakir qeni, që nuk e ke mbushur kurrë barkun me bukë! – hovi përpjetë Zaçe Mafiozi i shpërfytyruar dhe i vuri tytën e koburen në ballë.
– Po ti je Misionar Lufte i lindur, o Zaçe Mafiozi, ç’të duhet titulli Misionar Paqeje, titull për ne fakirët që mezi mbushim barkun me bukë? – buzëqeshi Shef Fakiri, duke u parë sy më sy me koburen.
– E di që nuk e paske keq, ti, Shef Fakiri?!… Zaçe Mafiozi është Ujk e ujku nuk bëhet dot dele, përkundrazi, ushqehet me dele! – u zbut papritur Mafiozi, duke qeshur me sa fuqi kishte.
U bëri zë ushtarëve të tij dhe sakaq u zhduk si një ëndërr e ligë.
Shef Fakiri më në fund u mbush me frymë i lehtësuar me mendimin se ishte përsëri shef në punën e vet, në Selinë e Misionit të Paqes…
Dr. Shefki Hysa