Erdhën këta burrat nga Amerika, Billi, Mjalti dhe Princi, dy diplomatë dhe tjetri këshilltar biznesesh (me një fjalë, kapitalist), dhe më sollën ca dhurata.
Më sollën një medalje si Qytetar i Shquar i Oregonit, një medalje si Nderi i Paqes Globale dhe një mirënjohje nga Unioni i Tregtisë Amerikane për ndihmën që u kam dhënë bizneseve amerikane në Ballkan.
U falemnderit këtyre burrave të huaj që për habi më duan kaq shumë!…
Besoj se janë personalitete botërore që dinë se ç’bëjnë në shërbim të Paqes Globale.
M’i sollën dhuratat si shqiptar i mirë që punoj për Paqen në Glob.
Ashtu e gjykuan. Dhe nuk e lot as topi gjykimin e tyre!… Nuk e lot se janë përfaqësues të strukturave publike të Perandorisë së Madhe, Amerikës, që është Mëkëmbësi i Zotit në Glob.
Amerika, or miq, kjo perandori e madhe demokratike, model i qytetërimit në Glob, është ndërtuar sipas parimeve të Perandorisë Antike të Romës, që dikur në lashtësi ndërtoi një qytetërim të mrekullueshëm në Europë, në Afrikë e Azi, kudo që dominoi.
Kur Roma e Lashtë vendoste dhe ndërtonte Butrintin, Durrësin Antik, Rrugën Egnatia, këtë arterie të qytetërimit antik, etj., ne, shqiptarët, grindeshim njëlloj si sot, për mustaqet e politikanëve që edhe dymijë vjet më parë, edhe sot vazhdojnë ta vjedhin, ta shesin dhe ta zhbëjnë këtë vend…
Dikur ekzistoi Shqipëria (Iliria) se deshi Roma (mos e harroni këtë!)…
Njëqind vjet të shkuara dhe sot vazhdon dhe ekziston Shqipëria dhe shqiptarët (sado që jemi hyjnorët e këtyre trojeve) se do Amerika (US) (mos e harroni kurrë këtë!), se të ishte për politikanët shqiptarë do të na kishin konvertuar me kohë në serbë, grekë, maqedonas a ku di unë në ç’lloj robsh, vetëm e vetëm të zbatonin urdhërat e padronëve të tyre antishqiptarë e antiamerikanë dhe të mbushnin xhepat e tyre…
Konkluzioni:
Zoti e Bekoftë Amerikën!…
Zoti u dhëntë mend shqiptarëve ta duan Amerikën!…
Vetëm kështu do të mbijetojmë ne shqiptarët, duke dashur Amerikën, njëlloj si Zotin në Qiell!…
Unë e di mirë këtë, prandaj krenohem: Jam Shqiptar me zemër Amerikane!…
Dr. Shefki Hysa