Nëpunësi i Kabinetit të Presidentit, Floriri, më i vogli në detyrë, në moshë dhe në shtat, ndryshe nga herët e tjera, hyri në territorin e Selisë Presidenciale pa ia kthyer përshëndetjen askujt nga njerëzit e shërbimit të Gardës së Republikës, as ushtarëve e oficerëve me uniformë te porta e jashtme e as atyre me veshje civile nëpër mjediset e brendshme. Me atë pamje fytyre të vrejtur dhe tejet serioze, ia ngriu fjalën në buzë edhe oficerit më të vjetër, më hokatarit, i cili merrte ndonjëherë guximin e bënte shaka.
Ia preu shkurt:
– Gjysh, më ler rehat sot, po nuk dëshiron ndonjë dush…
– Po ç’të kam bërë, mor Flori, që ma trash zërin e më trajton si gabelin e lagjes, akoma pa e hapur gojën për të të thënë as mirëmëgjes. Nuk kam faj unë që ty të kanë mbetur maunet matanë traut të doganës… ta dish gjobës nuk i shpëton…, – ia ktheu tjetri ankueshëm.
– Më duket se të paralajmërova, Gjysh, mos më ngacmo që të biesh nga shiu në breshër, – iu kthye edhe njëherë ashpër dhe rrotulloi çelësin në bravën e derës për të hyë në zyrë, duke e lënë gojëhapur thinjoshin shtatlartë.
– Flori, të ka rrëshqitur për duarsh ndonjë sekretare që turfullon kaq shumë sot?! – ndjeu brinjas zërin ngacmues të Sekretarit të Përgjithshëm, që vinte përgjatë korridorit.
– T’i kam lënë ty sekretaret, Shef, nuk e mbuloj unë atë sektor, – ia ktheu gjithë mllef Nëpunësit të Lartë dhe hapi vrulltas derën e zyrës.
U ul përballë telefonave që xingëronin papushim mbi tryezën e punës, duke e acaruar edhe më shumë. E padurueshme ajo xingërimë. Pas një periudhe ngurimi vendosi të ngrejë receptorin e telefonit të brendshëm.
– Urdhëro! – shqiptoi me një bezdi të ndjeshme në timbrin e zërit.
– Ka një orë që të kërkon Presidenti! – i angulliu zëri i sekretares në vesh.
– T’i kishe rënë celularit, po i duhesha urgjent!… Numrin përpara e ke, – shfryu Floriri.
Zëri i sekretares heshti një hop, pastaj u dëgjua rishtas cingëritës e urdhërues në receptor:
– Sidoqoftë të paralajmërova, të kërkon Presidenti!…
– Moj, zonjëz, e mora vesh, po ti mësohu e bëj rolin e sekretares kur flet me mua. Rolin e Presidentit bëje kur të flasësh me ata të kopesë, me servilët e tu… Unë jam Shtetar dhe jo Nënshtetas gomar! – ia preu shkurt Floriri dhe mbylli telefonin, duke përfytyruar se si po i shtrembëronte e po i shëmtonte turinjtë sekretarja e pamësuar me kundërshtime të kësaj natyre…
Qeshi me vete pas një takimi mëngjesor me ca nëpunës të përulur të Kryeministrisë, të cilët dinë t’u thonë shefave “urdhëro e si urdhëron”, edhe kur ata pjerdhin, dhe trimërohen e u gërthasin si gjela histerikë vartësve të tyre.
Me të tillët sekretarja bukuroshe sillej harbute si vetë Presidenti, por as asaj e as nëpunësve më të lartë të Presidencës nuk u ecte me atë, shtetarin zyrtar më të vogël të perandorisë neokomuniste shqiptare…
Madje edhe vetë Presidenti sillej me maturi me atë, Floririn e vogël… Si duket e dinte që ishte flori 24 karat dhe donte s’donte e vlerësonte…
Pra, Floriri ishte shtetar dinjitoz dhe i tillë do të mbetej, pavarësisht se çdo ditë rrezikonte vendin e punës me kundërshtimet e tij ndaj eprorëve dhe me dëshirën iluzive për të patur sa më shumë kolegë kuaj pune rreth vetes e jo gomarë me lëkurë luani, të cilët hasen me shumicë në administratën publike shqiptare.
– Unë jam Shtetar dhe i tillë do të vdes, jo Nështetas qurranjos! – i gërthiti vetes Floriri dhe u ngrit për të shkuar në zyrën e Presidentit me mendimin se edhe vetë atë do të kundërshtonte, po t’i jepte ndonjë urdhër të jashtëligjshëm…
Heshti një hop.
Pastaj shfryu e tha:
– Shtetari lind, rritet dhe vdes Shtetar!… Ai kurrë nuk duhet të përfshihet në histori me trarë doganash, etj., etj…
Dhe në fund pyeti veten:
– Po a ka sot shtetarë të tillë në Shqipëri?!…
Psherëtiu dhe iu përgjigj vetes:
– Pak për të mos thënë aspak në Shqipëri… Besoj se vetëm në Amerikë mund të ketë shtetarë të tillë…
Dr. Shefki Hysa
Shkrimtar