Një përfaqësi e zgjedhur e Nihilandit e ftoi Fakirin të kandidonte për kryetar bashkie në qytetin e tyre, sepse donin një përfaqësues ndryshe.
Boll më me llojin e vet!…
Donin dikë që nuk dinte ç’ishte mjalti i korrupsionit dhe i hajdutllëkut!…
Fakiri qeshi aq shumë me këtë kërkesë saqë përpak u mek, u fik dhe sakaq i vetëtiu në sy ajo drita e bardhë fosforeshente e botës së përtej-vdekjes.
Megjithatë e mblodhi veten, u mbush me frymë dhe tha:
– Shikoni, unë ju njoh mirë, ju nuk jeni kënaqur kurrë me ata hajvanët shpirtzinj të llojit tuaj e jo të zini karar me një fakir fukara si puna ime që nuk e ka mbushur kurrë barkun me bukë. Ju e dini mirë se lloji im, me demek proletarët, e drejtuan për pesëdhjetë vjet Shqipërinë dhe sollën vetëm dajak dhe varfëri. Akoma nuk jeni ngopur me kohën e Enverit?!…
– Më mirë prapë koha e Enverit, të paktën vuanim të gjithë njëlloj dhe, ashtu të vuajtur, ne, shumica, ia shalonim qafës së pakicës, se sa koha e Salës dhe e Edit, ku pakica e pasur ia shalon shumicës së varfër.
Fakiri mbuloi fytyrën me duar dhe, pasi u mendua pak, tha me përulje:
– Ju lutem, më jepni ca kohë më shumë të mendohem!…
– Mendohu sot sa të duash, nesër duam përgjigje! – ia preu përfaqësia e Nihilandit.
– OK! – ngriti gishtin Fakiri i zënë në hall.
Ai e dinte mirë se ishte e pamundur të drejtoje Nihilandin.
Historia kishte treguar se të gjithë udhëheqësit e këtij qyteti, këtu e më shumë se dymijë vjet të shkuara, kishin dështuar.
Po përse?!…
Thuhej se Nihilandi ishte qytet i mallkuar…
Shumë të tjerë pretendonin se ishin të mallkuar banorët e Nihilandit…
Po cila ishte e vërteta askush nuk e kishte gjetur gjer më sot…
Po kush ishte Nihilandi, ky qytet kaq i fantaksur, ku ishte ulur Djalli Dora Vet këmbëkryq dhe e kishte shndërruar në ferr?!…
Nihilandi është një nga qytetet më të mëdhenj të Shqipërisë, qytet me shumicën e banorëve nihilistë të tipit militantë provincialë skeptikë, kritizerë, ziliqarë, zullumqarë, cmirëzinj, intrigantë, thashethemexhinj, spiunë, dembelë, hajdutë, me një fjalë dallkaukë fodullë si puna e dhisë së zgjebosur me bishtin përpjetë.
Në këtë qytet mbizotëronte ngjyra gri dhe e zezë, ose më saktë kështu u dukej banorëve, të cilët vuanin nga mania e lashtë e persekutimit prej Autoritetit Hyjnor. Banorët njëzëri shpreheshin se ishin kundër ligjeve të Zotit dhe të Njeriut dhe bënin të pamundurën për t’i shkelur ato me të gjitha fuqitë që u jepte Djalli, thënë shqip Qoftëlargu.
Pra, Fakiri e dinte mirë se mjafton që ta vendoste kandidaturën dhe do ta fitonte menjëherë të drejtën për ta qeverisur Nihilandin, por sapo të shpallej kryetar bashkie të nesërmen do t’i mbinit telashet në derë. Zgjedhësit e tij, në vend ta përkrahnin për nismat që do të ndërmerrte për të ndryshuar gjendjen bardhë e zi, për ta mbushur me gjithë ngyrat e jetës, me gjithë ngjyrat e katër stinëve shqiptare, do të fillonin ta qortonin edhe për mënyrën se si merrte frymë dhe do ta denigronin aq shumë sa që ai nuk do ta njihte më veten si Fakir Fukari, por si Konti Drakula Dora Vet…
Megjithatë e pranoi detyrën me mendimin se ndoshta Zoti kishte ndërruar opinion për të dhe po ia jepte edhe njëherë thesin e dhuratave. Dhe kësaj here Fakiri nuk do të gabonte. Do të zgjidhte dhuratën më të mirë për inat të banorëve të Nihilandit. Nuk do t’i mbetej më në dorë vetëm ai miku, siç i kishte ndodhur shpesh në jetë.
Fakiri kandidoi dhe fitoi. U shpall kryetar i Bashkisë Nihiland!
Të nesërmen e fitores ndodhi siç e kishte përfitiruar: sondazhet tregonin se ai, Fakiri, Qytetari i Parë i Nihilandit ishte njeriu më i padëshiruar në atë qytet.
Të gjithë, ata që e votuan dhe ata që nuk e votuan, e shanin dhe bërtisnin se Fakiri duhej shpallur Person Nongrata për Nihilandin. Mirëpo ishte tepër vonë,
Fakiri tanimë qeshte e lumturohej se ua kishte shaluar qafat jo për pak ditë, por për katër vjet radhaz banorëve nihilistë të Nihilandit.
Dr. Shefki Hysa