Zoti, Adami dhe Eva personazhet e parë letrarë
Në fillim ishte Zoti.
Ai krijoi Universin, Tokën, krijoi edhe Njeriun, Adamin.
Dhe Zoti u tha engjëjve:
– Njeriu është krijesa Ime më e përkryer, më e mençur. I dhashë mend nga mendja Ime, i dhashë dritë nga drita Ime.
Dhe engjëjt iu përulën madhështisë së Zotit.
Dhe Zoti vazhdoi:
– Vendosa ta caktoj Njeriun, si më të dijshmin edhe nga ju, engjëjt, mëkëmbësin tim në Tokë.
Dhe engjëjt iu përulën largpamësisë së Zotit.
Dhe Zoti tha:
– Përuljuni dhe atij, Njeriut, mëkëmbësit tim në Tokë!
Dhe engjëjt ju përulën Njeriut plot respekt. Vetëm Satanai nuk pranoi, por iu drejtua Zotit:
– Unë jam një krijesë prej zjarri, prej nuri, nuk i përulem një krijese prej balte! – shfryu ai.
Dhe Zoti e urdhëroi:
– Përulju Njeriut, se është krijesë më e dijshme se ti!
– Nuk dua t’i përulem! – kundërshtoi Satanai.
– Bindju Autoritetit Tim! Përulju Njeriut, ndryshe do të ndëshkohesh! – gjëmoi Zoti.
– Nuk i përulem as Autoritetit Tënd! Le të ndëshkohem! – u rebelua Satanai.
Dhe Zoti bubulloi:
– Qofsh i mallkuar në jetë të jetëve, Satana! Edhe në Ferr do të të ndjekë ndëshkimi Im!
Dhe Zoti i flakëriu përsipër rrufetë (ndërkaq projektoi dhe vendosi të krijonte edhe Ferrin si ndëshkim për tërë të pabindurit, si Satanai).
Dhe vrapoi Satanai, rebeli i parë i Universit, nga sytë këmbët për t’u fshehur në Ferr i përcëlluar e i përndjekur nga rrufetë e zemërimit të Zotit.
Ndërkaq, Njeriu, Adami, kjo krijesë e privilegjuar e Zotit, u ndie si zotëri në Parajsën që i dhuroi Krijuesi. Dhe i shijoi Adami gjithë të mirat e Parajsës. Thonë se edhe qumësht dallëndysheje kishte, por shumë shpejt u vel prej asaj begatie.
0Seç ndiente një lloj boshllëku në shpirt. E mërziste jashtë mase vetmia.
Dhe iu drejtua Zotit:
– Qofsh i lavdëruar, o Zot, për tërë të mirat që më ke dhuruar! Jam mes dhuratash të pafundme, por as vetë s’e di pse ndihem kaq i vetmuar. Nuk di, seç më mungon këtu përbrenda në shpirt.
Dhe Zoti qeshi me gjithë zemër prej naivitetit të Adamit.
Dhe e vuri Njeriun në gjumë, i hoqi një brinjë dhe prej saj krijoi një kopje njerëzore pak a shumë të njëjtë me Adamin. Pastaj e tundi lehtas dhe e zgjoi, i sigurt se do ta pëlqente dhuratën e re.
Adami, sapo u zgjua, pa një qenie që ngjasonte me veten e tij si dy pika uji. Nuk u besonte dot syve teksa e kqyrte me habi kopjen e vet njerëzore që flinte e qetë aty përbri.
– Adam, është Eva, shembëlltyra jote femër, bashkëshortja jote, nëna e fëmijëve të tu të ardhshëm, – tha Zoti.
– Eva ime?! – lëshoi Adami një britmë gëzimi dhe ndjeu se u mrekullua i tëri prej asaj krijese sa e ngjajshme dhe e magjishme.
Dhe boshllëku i shpirtit i ishte mbushur sakaq me një ndjenjë të ëmbël sa e gjithë Parajsa bashkë.
Dhe Adami iu përul fuqisë së Zotit me një mijë e një lavdërime për atë mrekulli që i kishte dhuruar.
Adami e Eva, dashuria e parë njerëzore
Dhe Zoti i këshilloi:
– Adam, duaje Evën! Edhe ti, Eva, duaje Adamin! Ju krijova për njëri-tjetrin, të duheni ashtu siç doni dhe Parajsën. E tërë Parajsa është juaja. Tanimë e keni edhe në shpirt Parajsën. E kam krijuar vetëm për dashurinë tuaj. Provoni çdo frut të saj. Ju ndaloj vetëm një frut: Mollën e Dijes! Mos guxoni ta ngacmoni frutin e Mollës së Dijes! Më premtoni për këtë dhe do të jetoni, do të duheni e do të trashëgoheni pafundësisht në Paqen e Parajsës!
– Si urdhëron, o Zot! Fjala Juaj nuk bëhet kurrë dy! – u përul e premtoi Adami.
– Edhe unë të premtoj me gjithë shpirt, o Zoti ynë! – u përkul Eva lajkatare.
Dhe Zoti u uroi edhe njëherë dashuri të mbarë dhe u mbyll në amëshimin e vet matanë grilave të kaltra Qiellit.
Adami e Eva, marrëzisht të dashuruar, u rrokën e u rrokullisën gjatë lakuriqthi si një trup i vetëm mbi barin e blertë të lëndinave të Parajsës që ua ngacmonte edhe më shumë dëshirën për njëri-tjetrin me tërë ato aroma erëkëndshme të trëndafilave, karafilave, kanellave e lloj-lloj lulesh nga më të rrallat që ka krijuar mendja e gjithëpushtetshme e Zotit. U deshën, u dëshiruan e u dashuruan pa masë, aq sa nuk mbahet mend ndonjëherë, apo siç thuhet për personazhet e përrallave, aq sa i bënë copë ato të shkretat vegla. Vetëm pasi u copëtuan e u shtrydhën së dashuruari, sikur i zuri paksa turpi prej lakuriqësisë dhe vrapuan dhe e mbuluan me nga një gjethe fiku secili zogun e vet…
Viktimat e para të intrigës së parë
Ndërkaq Satanai, rebeli, kryengritëri dhe revolucionari i parë në Univers, siç do të shpreheshin më vonë apologjetët e doktrinës së Revolucionit Komunist, i stërbetuar që të hakmerrej ndaj Njeriut, Adamit, që i hodhi mbi krye gjëmën e Zotit, la Ferrin dhe fluturoi fshehtas drejt Parajsës. Aty u shndërrua sakaq në një gjarpër pikalosh e bukurosh dhe me atë gjuhën e vet fërshëllyese, si një ninullë joshëse gjumëndjellëse, e yshti Evën të kafshonte Mollën e Ndaluar.
Dhe Eva e lajkatuar, si gjithë pasardhëset e saj, personazhe femra naïve të veprave letrare nëpër shekujt e mëvonshëm, deshi s’deshi, e kafshoi Mollën e Dijes. Dhe mëkatoi. Dhe u bë e para mëkatare në Univers.
Dhe Zoti që e ndjeu sakaq mëkatin, gjëmoi e vetëtiu i zemëruar:
– Ju, njerëz mëkatarë, e shkelët premtimin! Mëkatuat dhe do të ndëshkoheni për mëkatin!
Dhe Zoti u hoqi Parajsën dhe Pavdekësinë Adamit dhe Evës, duke i flakur në stërmundimet e shkretëtirave arabike.
Adami dhe Eva, tanimë të vdekshëm, me nga një mburojë prej gjetheje të tharë fiku, zunë të enden gjithë tmerr pas imazheve të mirazheve të shkretëtirave të pafundme, të përndjekur nga ulërimat shokuese të lloj-lloj bishave të egra dhe përqeshjet e frikshme e tallëse të Satanait, që nuk u ndahej duke u vënë në lojë dobësitë e tyre njerëzore, përballë asaj bote të pabesë, e cila i ngjante pak a shumë Ferrit që i priste pas vdekjes.
E Mira dhe e Keqja përjetësisht në luftë
Kështu, krahas Parajsës, së Mirës, Vyrtitit, pra Vlerave Njerëzore të mishëruara te Hyjnorja në shpirtin e Njeriut, lindi në Univers edhe e Keqja, Rebelimi, Mëkati, Vesi, me një fjalë, Antivlerat Njerëzore të mishëruara te Satanizmi i Satanait dhe i shpirtërave të robëruar prej tij, të cilët Zoti vendosi t’i ndëshkonte ashpër e pa pikë mëshire si përbërës të Ferrit.
Kështu Adami dhe Eva, tërë pasardhësit e tyre, krejt njerëzimi, vetë jeta njerëzore në thelb tanimë do të karakterizohej nga lufta midis së Mirës dhe së Keqes. Pikërisht kjo luftë e përgjakshme me betejat e saj të pafundme brenda racës njerëzore përbën historinë e njerëzimit. Dhe dihet se kjo histori është pasqyruar së pari në mënyrë artistike prej artit dhe letërsisë.
Adami e Eva dhe tërë pasardhësit me bëmat dhe pësimet e jetës së tyre janë pasqyruar hap pas hapi sa nëpër krijimet naïve të periudhave primitive si Eposi i Gilgameshit e këngët e Nibelungeve, deri dhe në letërsinë moderne të kohës sonë si romani “Kodi Davinçi”. Pra, këto dëshmi artistike të ecurisë njerëzore janë bërë lënda e parë për aedët, rapsodët e parë të njerëzimit dhe për gjithë rapsodët popullorë dhe krijuesit e më vonshëm si Homeri e Shekspiri apo për krijuesit modernë, shkrimtarët e kohës sonë. Me një fjalë, tërësia e veprave të krijuesve letrarë, ajo krijimtari që mori emrin letërsi, që në fillimet e saj, duke shfrytëzuar elementet e së magjishmes dhe të së mrekullueshmes që e vënë në lëvizje imagjinatën dhe fantazinë e njeriut, mori përsipër misionin për të qenë kronikë artistike e zhvillimeve njerëzore, pra një histori artistike e njerëzimit. Bëmat njerëzore janë pasqyruar edhe nga historia dokumetare që do të krijohej si shkencë e veçantë shumë kohë më vonë dhe do të ecte e do të zhvillohej krahas letërsisë, një lloj paralele saj, sa e ndryshme dhe e pavarur, megjithëse janë subjekte të të njëjtit objekt.
Letërsia dhe Historia dy subjekte paralele të të njëjtit objekt
Adami e Eva, pra, Njeriu si qenia me arsye e Universit, duke u përballur me realitetin e vështirë të Tokës ku u gjend papritur, nëpërmjet botës së tij shpirtërore ka zhvilluar aftësinë për të ëndërruar e dëshiruar atë Parajsë që Zoti ia dha dhe ia hoqi që në fëmijërinë e hershme, kur u shndërrua në qenie mëkatare. Ëndrrat, imagjinata, fantazia e nxisin Njeriun të mos u nënshtrohet vuajtjeve dhe vështirësive të jetës, por të përpiqet e ta ndryshojë territorin ku jeton. Pra, përpiqet me mish e shpirt që ta mbrojë veten dhe vlerat që krijon prej së keqes dhe antivlerave që i servir Satanai.
Adami e Eva u shokuan fillimisht prej sfidave që u bënin shkretëtirat, por Zoti u kishte dhënë mençurinë për t’i shmangur të papriturat dhe ata filluan të vënë në lëvizje jo vetëm instiktet biologjike, por edhe mendjen. Pra, filluan të reagonin në shumë mënyra për të mbijetuar. Dhe mbijetuan duke zhvilluar aftësitë e tyre biologjike e shpirtërore. Zhvilluan mendimin dhe ndjenjat, botën mendore, trurin, dhe atë ndjesore, shpirtin, ndërgjegjen.
Zoti krijoi fillimisht Adamin, pra krijoi individin, i cili, duke pasur në vetvete dhunti të mençurisë së Zotit, kërkoi të mos jetonte i vetëm, pra, si të thuash, kërkoi shoqërinë e një individi tjetër. Zoti e shoqëroi me Evën e ky shoqërim me një individ gjenetikisht të ngjajshëm, me të vetmin dallim se ishte një kopje-femër e Adamit, solli si pasojë krijimin e familjes si celula e parë e shoqërisë së ardhshme njerëzore.
Adami e Eva u dashuruan që në vështrimin e parë dhe më vonë, në të mirë e në të keqe, kuptuan sesa të nevojshëm e të domosdoshëm ishin për njëri-tjetrin dhe deshën s’deshën, u bënë e para familje në botë. Prej saj lindën shumë fëmijë dhe familja u zmadhua e u zmadhua dhe prej pasardhësve të saj u krijuan të tjera e të tjera familje, të cilat u shtuan në të tjera familje që u grupuan në fise. Pra, prej disa familjeve të një gjaku, që rridhnin prej familjes Adam e Eva, u krijuan fiset e para. Ato u vendosën në qendra të vogla baritore e bujëqsore, në fshatrat e parë prej të cilëve më vonë lindën qendrat zejtare e qytet-shtetet e parë, që drejtoheshin nga prijësit e fiseve më të fuqishëm. Marrëdhëniet farefisnore e ndërfarefisnore krijuan familje dhe fise të reja. Nëse lidhjet e gjakut ishin të fuqishme brenda familjes dhe fisit, me kalimin e kohës ato filluan të dobësohen midis fiseve, që sa vinin e largoheshin prej njëri-tjetrit në mënyrën e të jetuarit dhe prej territoreve të reja që zaptonin nëpër Tokë. Marrëdhëniet e lidhjet e ndërsjella të shumë fiseve sollën krijimin e krahinave. Popullatat e disa krahinave, me të njëjtat karakteristika gjaku e gjuhe, sollën kombet, prej të cilëve lindën edhe shtetet modernë që trashëgojmë sot. Dihet se kombet dalloheshin nga njëri-tjetri prej gjakut e gjuhës, por edhe prej kulturës, traditave e zakoneve që kishin krijuar ndryshe, nëpër shekuj e shekuj. Dhe pikërisht këto karakteristika individuale e shoqërore që ndryshonin nga një komb në tjetrin, që e bënin dikë më inferior e dikë më superior përballë mjedisit dhe përballë njëri-tjetrit, e thelluan edhe më shumë luftën midis së Mirës dhe së Keqes.
Kështu kombet do t’i turreshin njëri-tjerit për jetë a vdekje si hordhi barbare për ta gllabëruar e asimiluar çdo vlerë qytetërimi. Dhe kjo luftë e pasosur, e cila përcaktoi edhe lindjen e ulje-ngritjet e rendeve klasore dhe sistemeve shoqërore, u bë objekt pasqyrimi prej letërsisë dhe prej historisë, të cilat janë dy subjekte që ecin e zhvillohen më shpesh paralelisht, pavarësisht ndonjë pikëtakimi dhe misionit pak a shumë të njëjtë që kanë.
Letërsia-mjet për të rifituar Parajsën
Pikërisht kjo përplasje e vazhdueshme ndërnjerëzore ka shërbyer si lëndë e parë për tekstet e shkruara të historisë dokumentare, si dhe për fabulat e letërsisë artistike. Veprat letrare, ndryshe nga tekstet dokumentare historike, e kanë pasqyruar emocionalisht historinë e mbijetesës së njeriut, pra janë një kronikë artistike e zhvillimeve njerëzore, kronikë e mbarsur me elemente shpirtërore e ndiesore, të ushqyera prej imagjinatës e fantazisë, nuk janë thjesht radhitje faktesh, arsyetim e deduksion i mendimit të kronikanit. Pra, kronikani historian merret thjesht me përshkrimin e bëmave e pësimeve njerëzore, rendit, numëron e dokumenton kronologjikisht fakte, data e argumente, kurse kronikani artist e përpunon lëndën e parë, duke e kaluar nëpër filtrat e ndjenjave dhe nëpër pasqyrat, prizmat, teleskopët e tejkqyrat e imagjinatës e fantazisë, e pasqyron duke e pasuruar, e krijon dhe e rikrijon gjithçka sheh e dëgjon. Në këtë mënyrë kronika artistike ndryshon shumë nga kronika dokumentare e jetës njerëzore, megjithëse i referohen dhe pasqyrojnë të njëjtin objekt.
Historia është arkiv, magazinë, inventar dokumentar, që ka vetëm një mision: të na informojë e të na njohë me të kaluarën tonë. Në dallim nga historia, letërsia është misionare shumëplanëshe, jo vetëm na njeh se si janë zhvilluar ngjarjet nga njëra kohë në tjetrën, nga antikiteti në modernitet, por edhe ndikon, na jep kënaqësi estetike e na mençuron, na josh e na thërret, na nxit e na frymëzon, na kushtron e na shtyn përpara për ta ndryshuar botën që na rrethon. Dhe njeriu këtë ka synuar që në çastin që humbi Parajsën, të ndryshojë statuskuonë, ta përmirësojë botën ku jeton nën shembëlltyrën e parajsës së humbur, të përmirësojë edhe veten për të rifituar të drejtën për të qenë i përkëdheluri i Zotit, Krijuesit, si dhe për ta merituar dhuratën e Tij, Parajsën.
Në këtë këndvështrim, do të thosha: letërsia ka edhe një rol tjetër, shërben si mjet, si një lloj arme në rrugën e mundimshme për të rifituar Parajsën e humbur.
Dr. Shefki Hysa
Shkrimtar