Logjikë e verbër apo…
Thuhet se dikur Fishta u lodh aq shumë nga dëshira e pamundur për ta parë Shqipërinë Zojë të Randë, saqë, në një çast dëshpërimi, u shpreh se nuk ishte më shqiptar. Konica, më vonë, tepër i zhgënjyer, duke kujtuar se tërë përpjekjet dhe përkushtimi i tij prej atdhetari po i shkonin dëm në këtë atdhe që nuk ecte me hapat e përparimit perëndimor, shfryu tërë tërbim: Shqipëri të kamë dhjerë!…
Dhe firaunët dashakeqës, bashkëpronarë të padeklaruar me faraonët e Faraonisë Shqipëri, duartrokitën, duartrokasin e do të vazhdojnë të duartrokasin, po qe se apologjetët e mençurisë shqiptare nuk do të ngrihen dikur kundër përjetësisë së tyre. Firaunët (avokatët e qoftëlargut), pambarimisht keqdashës, thanë, thonë e do të thonë: Ja, o bashkatdhetarë, sa na e dashkan Shqipërinë të famshmit si Fishta, Konica e të tjerë tribunë të mendimit shqiptar! Kthejuni shpinën atyre dhe lutuni për amëshimin e idhujve tuaj politikanë. Lutuni për racën e shtetarëve që administrojnë fatet e fëmijëve tuaj e të fëmijëve të fëmijëve brez pas brezi!…
Ju i besoni psalmet e firaunëve?!… Unë për vete nuk e besoj dot faktin se të tilla shprehje kundër Shqipërisë, që u ngjajnë më shumë lajthitjeve të çasteve të dëshpëruara, mund të mbajnë autorësinë e shqiptarëve të mëdhenj, Fishta e Konica. Mendoj e arsyetoj se ndoshta janë fryt i zemërimit popullor, jo ndaj mëmëdheut, Shqipërisë, por ndaj administratorëve të saj, pushtetaro-zyrtaro-shtetarëve, të cilët, në mot të moteve, mbase qysh kur ka lindur jeta, ia kanë shaluar kësaj toke të bekuar dhe e përdhunojnë në mënyrën më djallëzore, aq sa herë-herë të krijohet ideja se ky vend është vetë Ferri. Dhe Ferri dihet se të stërmundon e të skllavëron aq sa ndihesh rehat si pjesë e mizerjes së tij, po të jesh pa tru dhe të zemëron, të dëshpëron e të rebelon, po të jesh i mençur, aq sa të shtyn të përplasesh me padronët e tij ose të arratisesh nga sytë këmbët po të mundesh. Në pamundësi për t’u rebeluar, Ferri të çmend, edhe më të urtin ndonjëherë e shtyn të humbasë logjikën… Pra, ose Fishta e Konica janë dëshpëruar aq sa u janë errur sytë në ndonjë çast dhe kanë shpërthyer si zëdhënës të zemërimit popullor, ose zemërimi i urtësisë popullore ka kushtruar verbërisht në emër të prijësve të vet intelektualë…
E bekuar apo…
Besoj me gjithë shpirt se Shqipëria, Ati dhe Mëma jonë, është tokë e bekuar nga Zoti, sepse, duam s’duam ne, është një nga vendbanimet më të hershme të Jetës, e vendosur në mes të qytetërimeve më të lashta, në Mesdhe (Mesi i Dheut, i Botës, i Globit-Mediterranean). Pra, njëlloj qendre e zanafillës së njerëzimit. Dhe dihet se Mesdheu është Parajsa e kësaj bote, ka klimën më të mrekullueshme, si të ishte vetë Mitra e Jetës. A nuk ka dhe Shqipëria një klimë me mbi treqind ditë diell, në një hapësirë pesëdhjetë kilometra? Fjala vjen, në hapësirën Tiranë-Durrës, gjen malin, fushën, lumin dhe detin ku harliset jeta në të gjitha format e saj. A nuk është ky imazhi i ëndrrës së njerëzimit? Po të kesh dy pare mend në kokë këtë e kupton menjëherë dhe mund të thërrasësh me të madhe gjer në kupë të qiellit: Shqipëria është Parajsa!… Është vend i bekuar nga Zoti!…
Dhe kështu duhet të ishte, por në realitetin shqiptar nuk ndodh kështu. Çuditërisht shqiptarët dembabadem kanë qenë dhe janë (mos qofshin kurrë më!) mesdhetarët më të varfër, më të përbuzur, më të skllavëruar, më të traumatizuar, aq sa Parajsa që u ka falur Zoti, u duket vetë Ferri i Mallkuar dhe ëndërrojnë përjetësisht si e si të gjejnë mundësitë të emigrojnë e të krijojnë një jetesë, një atdhe tjetër, larg sa më larg Shqipërisë. Pra, në realitet Shqipëria shfaqet si vend i mallkuar. Dhe kjo është një dukje vrastare që të gënjen, të mashtron, të çmend e të shtyn të sajosh lloj-lloj legjendash urbane që lartësojnë lloj-lloj idhujsh të rremë në kurriz të varfërisë së shqiptarëve. Të shtyn në udhë pakrye, në lajthitje pas lajthitjesh që, tekefundit, amëshojnë pushtetin e politikano-faraonëve tanë…
O Zot! Po përse kaq fat i keq për shqiptarët e gjorë? Përse Shqipëria jonë nuk mund t’i ngjajë Greqisë e Italisë, të bëhet shtet modern, strehë e ëmbël për shtetasit e vet (jo vetëm për shtetarët!)? Mor po edhe xhelatët e saj, Serbia e Maqedonia (pseudoshtet), po ecin me hapa europianë, kurse Shqipëria është katandisur si xhungël banditësh, ku shtetarët-shushunja majmen me gjakun e skllavo-shqiptarëve të përjetshëm!…
Vota jonë – Pushteti i idhujve të rremë
Nuk ju besohet?! Kujtoni se po e teproj, se po hiperbolizoj apo po mbaj qëndrime groteske ndaj politikës shqiptare? Më besoni, po e keni ndjerë sesi na trajtojnë politikanët, si serë votash (na vijnë me aq përulësi prej gjoja shenjtorësh e na i kërkojnë me aq ëmbëlsi prej idhujsh e na i marrin me aq lehtësi për t’i përdorur pastaj djallëzisht si shkopinj në kurrizin tonë! Ne, dimër e verë, kultivojmë e rrisim vota në qenien tonë për të ushqyer politikën faraonike. Nuk më besoni?!… Nuk më besoni dot vetëm në se nuk jeni robtuar në ferrnajën që mbjell politika shqiptare në At-Mëmëdheun tonë Shqipëri, pasi nginjet me votat tona… Nuk më besoni dot edhe nëse jeni shurdhmemecë të verbër, ose pjesë e pushtetit të të tillë idhujve të rremë…
E kam thënë dikur (në një shkrim tjetër, ishalla në një jetë tjetër!) dhe po e përsëris se Politika shqiptare ka zgjedhur modelin faraonik të qeverisjes të marrë nga Egjypti i Lashtë, me të vetmin ndryshim se dikur aty qeveriste një Faraon, kurse në Shqipëri qeverisin njëherësh shumë faraonë të drejtuar (formalisht) nga Kryefaraoni. Dhe ky model është zgjedhur me konsensusin e plotë të Pozitës dhe Opozitës (kujtoni konsensuset e famshme të politikës sonë në çastet e sa e sa krizave që ka kaluar vendi ynë në epokën e postkomunizmit, pas vitit 1990).
Për të qenë më i saktë po e zgjeroj hapësirën kohore të qeverisjes faraonike me togfjalëshin: në jetë të jetëve (ende nuk po shoh mundësi përmbysjeje të Faraonisë shqiptare!). Dhe, nëse juve nuk ju mbetet hatri, po shtoj edhe faktin se tashmë po na qeverisin edhe ca faraonica! Dhe politika mashkullore u ka premtuar jo pak: mbi tridhjetë për qind të pushtetit! Po të mos harrojmë edhe pushtetin e joshjes që faraonicat ngrejnë mbi faraonët (përfytyroni pak atë pushtet që turrin gomaricat mbi gomarët) së bashku do të kuptojmë se jemi përballë një Pushteti Absolut që synon amëshimin e Shkretëtirës Faraoni me emrin Shqipëri. Dhe ne mbjellim vota në shpirtin tonë dhe faraonë e firaunë e faraonica ushqehen e fuqizohen pakufishëm me votat e shpirtrat tanë.
Ne, të mashtruarit e përjetshëm…
Ende nuk më besoni?!… Atëherë po ju rrëfej diçka më konkretisht për raportet e mia me politikën… Qysh i vogël, ende qurrash, nuk e di pse ëndërroja të bëhesha shkrimtar. Lexoja e lexoja dhe humbesha i tëri në atë botën e magjishme të librave dhe shkrimtarët më ngjasonin me ca magjistarë të mëdhenj që zbrisnin në tokë prej botës së yjeve dhe bënin mrekullira për njerëzit e thjeshtë. Më dukej se po të bëhesha shkrimtar do t’i përkisja një race të zgjedhur dhe me forcën e magjinë e fjalës mund të pastroja edhe rrugicat e fshatit tim prej gurëve që gjakosnin këmbët e zbathura të miat dhe të bashkëmoshatarëve të mi, mund të ngopja me bukë e gjellë nga më të shijshmet tërë fshatarët barktharë që punonin natë e ditë në fushat me grurë e mezi mundnin të gjenin ndonjë kafshatë buke misri të mykur… Mendoja se po të bëhesha shkrimtar, me magjinë e fjalës do të vrisja tërë kuçedrat dhe përbindshat e botës e do të bëja sa e sa çudira… Dhe dikur u bëra shkrimtar… Dhe që në fillim u ndesha me ca lloj firaunësh që zunë të më këshillonin se si duhej të shkruaja për të mos rrezikuar fatet e atdheut (të pushtetit faraonik) dhe të ardhmen time. Duhej t’u përmbahesha rregullave që diktonin ata (atëherë ishin të kuq e quheshin komunistë, tani janë blu e mbahen për demokratë), ndryshe, e dija vetë, përfundoja në litar (sot i papunë në rrugë të madhe). Besoj e dini, se këta firaunë që mbrojnë përjetësisht pushtetin faraonik, quhen censorë. Dhe unë ose duhet t’u thurrja lavde pushtetit të tyre, kështu do të mirëpaguhesha si shumë grafomanë, ose do t’u këndoja shpirtrave të lënduar të shqiptarëve që ëndërrojnë nëpër shekuj e shekuj një Shqipëri të qytetëruar si shtetet fqinjë, strehë e aspiratave njerëzore, për të pësuar fatin e keq të shumë shkrimtarëve disidentë të përjetshëm me politikat faraonike. Dhe unë zgjodha t’u këndoja shpirtrave të lirë, t’i pasuroja ata me virtytet e tërë botës… Dhe, për fat të mirë a të keq, më qëlloi të jem vazhdimisht nën dhunën e firauno-censorëve… Megjithatë nuk jam penduar… Udhëhiqem vazhdimisht nga shpirtrat e Homerëve, me mendimin se i përkas një race hyjnore që dikur do të arrijë t’i mposhtë padrejtësitë që sajon politika faraonike në kurriz të shqiptarëve… Besoj në idealet e shiptarëve të mëdhenj të rebeluar ndaj tiranive… Besoj, prandaj edhe mashtrohem si gjithë shqiptarët e ndershëm…
A i duan votat e mia dhe të miqve të mi faraonët? Patjetër! Prandaj i mbajnë firaunët! Ata janë të mirëpaguar e stërvitur për të mbledhur votat tona me kulaç e kërbaç… Kulaçi?!… Mos t’ju rrejë mendja se do ta hani vërtet kulaçin e tyre. Nuk e hani dot as ju e as unë, sado që mbahem si burrë i zgjuar. Ata e njohin mirë dobësinë tonë njerëzore dhe luajnë si macja me miun me të. Dhe ne, në vend të kulaçit që na premtojnë, hamë rrenat dhe kërbaçin, pasi na marrin votat si përherë… Pra, ne gjithmonë mashtrohemi, dobësi njerëzore e njerëzve të ndershëm, ata gjithmonë fitojnë dhe na pijnë gjakun, fuqi djallëzore e prijësve të pandershëm…
Faraonë e firaunë, të fituarit e përjetshëm…
Unë jam me origjinë nga krahina e Çamërisë, Kosova e dytë e shqiptarëve, e vjedhur prej fqinjëve tanë jugorë, grekëve, njëlloj si Kosova e parë, të cilën na e grabitën dikur serbët e na e rikthyen sot amerikanët, drejtësibërësit e kësaj bote përbindshash. Unë besoj se politika shqiptare do të më ndihmojë të rikthehem në Çamëri, në vendlindjen time, ku më janë dhunuar edhe varret e të parëve. Dhe, me shpresë, dobësi e njerëzve të mirë edhe kjo, zë e negocioj me politikën. Unë dua Çamërinë e ata votat e çamëve. Politikanët, të PD, PS, LSI apo të çdo partie e ngjyre qofshin, të Pozitës e Opozitës, çdo prag zgjedhjesh, më dërgojnë kasnecët, domethënë firaunët, dhe më premtojnë çudirat e përrallave të njëmijë e një netëve në këmbim të votave të miqve të mi çamë. Dhe unë, i mashtruari i përjetshëm, me shpresën se mos ndodh vërtet ndonjë çudi, i vë në rresht miqtë (vetëkuptohet ata më besojnë dhe unë paturpësisht shfrytëzoj besimin e tyre dhe humanizmin e shpirtit tim) dhe ua mbushim thasët me dhurata votash tërë politikanëve (çudi vetëm për faraonë e firaunë paska babagjysh të vitit të ri!), i sjellim në pushtet që të na kthejnë shpinën e të na rrahin për katër vjet me radhë, në se guxojmë të rebelohemi kundër tyre, dhe të na rimashtrojnë e të na rimarrin votat pafundësisht sa herë do t’u duhet të riorganizojnë zgjedhjet e së ardhmes së tyre të lumtur.
Po fundi ku është?!…
Fundi i lumtur, happy end, u rezervohet gjithmonë vetëm të fuqishmëve. Pra, Faraono-firaunëve! Ç’t’i bësh, ata dinë se si të sillen si të fuqishmit e Shqipërisë, duke na gënjyer e mashtruar ne, të pafuqishmëve, duke tradhtuar e shitur idealet kombëtare shqiptare te fqinjët tanë, shovinistë të përjetshëm që e duan Shqipërinë si rezervat të epsheve të tyre nacionaliste… Po Evropa, do thoni ju?!… E padrejtë edhe ajo si gjithë të fuqishmit që ulen në tryeza vetëm me të fuqishmit. Cili xhelat e ka respektuar ndonjëherë viktimën e vet, përveçse e ka shfrytëzuar për kënaqësitë e veta perverse?… Evropa, mike e xhelatëve serbë e maqedonas, vetëkuptohet do t’u hapë portat atyre, e jo viktimës Shqipëri, njëherësh edhe viktimë e tradhëtive të faraono-firaunëve të saj!… Pra, nuk ka fund të lumtur për ne, shqiptarët, deri sa të jemi skllevër të përjetshëm të votës sonë…
Apeli im: Duhet të bëhemi të fuqishëm edhe ne dhe i fortë bëhesh edhe duke abstenuar. Të mos japim më asnjë votë për këtë klasë politike. Të mos dalim fare në votime… Dhe ata kështu kurrë nuk do të arrijnë t’i mbushin kutitë vetëm me votat e pasuesve të tyre… Dhe atëherë do të mbetet politika e dhjerë para Shqipërisë… Dhe bota do ta kuptojë se diçka po ndryshon edhe në Shqipëri… Ku i dihet?… Në botë ka edhe të fuqishëm, drejtësibërës si amerikanët, të cilët patjetër do ta vërejnë abstenimin tonë masiv dhe do t’i imponojnë ndryshime kësaj politike mosmirënjohëse ndaj popullit të vet, në shpinën e të cilit është përkundur e rritur…
Shefki Hysa