Miku im, Shefki Hysa! Ju më ngjani me Prometeun që ua mori zjarrin perëndive dhe ua dha njerëzve. Ju më ngjasoni me Gorkin e madh. Në jetën e në krijimtarinë tuaj i gjen të mëshiruara më së miri këto cilësi. Me prozën tuaj, në tregime e romane, personazhet pozitive janë njerëz të thjeshtë, punëtorë e intelektualë të ndershëm, njerëz si vetë ju; patriotë, që e duan punën, kulturën, jetën e atdheun dhe dalin fitimtarë mbi figura të tjera të errëta që ja vështirësojnë jetën këtij populli. Në fakt, tek ju nuk gjen vetëm shkrimtarin e talentuar. Ju mbi të gjitha jeni një njeri me një familje të shkëlqyer, me një moral që shkëlqen si kristali, me një fisnikëri të rrallë. Ju e keni edhe mendjen të ndritur, por edhe duart e arta dhe krahët alltan. Me inteligjencën tuaj të hollë ju dini të hyni në hallet dhe shqetësimet e njerëzve dhe bëheni miku, shoku e vëllai i tyre.
Duke qenë një njeri i papërtuar në punën tuaj, Shefki Hysa, ju jeni njëherazi edhe njeri politik. U bë gati një dekadë që ju punoni me përkushtim për ngritjen e infrastrukturës letrare për talentet e reja. Ju zhvarrosët figurën dhe veprën e Bilal Xhaferrit. Por veç kësaj, me shoqatën tuaj që mban emrin e shkrimtarit disident ju krijuat një vatër kulturore ku ngroh një diell i madh. Me revistën “Krahu i Shqiponjës”, ju, Shefki Hysa, u dhatë krahë e zemër pëllumbave të paqes: poetëve, shkrimtarëve e gazetarëve të ardhshëm, prandaj meritoni mirënjohje dhe respekt të pakufishëm nga njerëzit e afërm dhe simpatizantët e Bilal Xhaferrit, nga dashamirësit e letërsisë e kulturës.
Njerëzit e mëdhenj talentin dhe punën e tyre ia kushtojnë njerëzimit, por njerëzimit në tërësi nuk u shkon mendja se çpo bëjnë të mëdhenjtë për të. Prandaj vetëm talentet mund t’u japin dorën talenteve. Në këtë mënyrë ata ia kanë dhënë dorën kombit dhe e kanë ngritur në këmbë atë. Pjergulla nuk i prodhon rrushtë që t’i hajë vetë, prandaj kur është e rrëzuar në tokë ajo duhet ngritur në këmbë, por këto pjergulla duhen ngritur në këmbë jo vetëm kur janë me rrush, por edhe kur janë filiza të njomë. Po kush mund të bëjë këtë?
Këtë mund ta bëjë një mjeshtër i hollë, vreshtin mund ta ngrejë një vreshtar i ndjeshëm, me merak të cilit i qan zemra dhe i lotojnë sytë kur e shikon hardhinë të rrëzuar përtokë. Rrushin e rrëzuar e ngre vetëm vreshtari i mirë, ndërsa shkrimtarin e talentet e reja i ngre vetëm shkrimtari i mirë, i talentuar, shkrimtari i madh, por edhe me një zemër të madhe, si ju i nderuar Shefki Hysa. Një talent të ri nuk mund ta ndihmojë një shkrimtar me shpirt prej liliputi, as dhe një politikan mediokër. Me punën tuaj krijuese dhe me veprimtarinë tuaj në mbështetje të talenteve të reja, ju e keni treguar veten që jeni jo vetëm një shkrimtar i talentuar, por edhe një njeri i madh. Për të kuptuar ndjenjat e tua miqësore i duhet hedhur një vështrim i shkurtër vendlindjes tuaj.
Rrethi ku u lindët ju, miku im Shefki Hysa, Saranda, është një nga perlat e atdheut tonë, Shqipërisë. Fshati ku ju u lindët, Konispoli, është një fshat malor por afër detit e afër diellit. Konispolasit janë heronj, punë¬torë me mendje të ndritura. Ata dhe ju jeni të ashpër si shkëmbi e të ndjeshëm si bleta, të lashtë sa ulliri e paqësorë si pëllumbi. Ritmi dhe gjallëria e kësaj jete ndihet edhe në krijimtarinë tuaj: “… Më vjen ndër mend se si në fëmini, – shkruani ju, – sapo ngrohej moti e deri vonë në vjeshtë, do ta gjeje sa në njërin breg në tjetrin, sa në sipërfaqe dhe në fund të ujrave të detit. I zhveshur, i nxirë nga dielli…, s’pyeste as për rërën përvëluese, as për shkëmbinjte e ashpër që i gjakosnin këmbët e zbathura. Zgjidhte me sy ato copa deti që nxinin dhe zhytej në humnerat poshtë tyre…”
Ju u lindët në Shqipëri, por duke qenë në një fshat kufitar që kufizohet me Greqinë, ju u përkundët edhe nën klimën e gjuhës e kulturës greke.
Në hapësirën ku takohen dy ngjyra krijohet një nuancë e re. Po kështu. edhe në kufijtë njerëzorë ku takohen banorët e malit me të fushës, popullsitë e dy kombeve, ku takohen folësit e dy gjuhëve, bartësit e dy kulturave të ndryshme, krijohet një shtresë popullsie, rriten e edukohen njerëz që i njohin kulturat e të dy niveleve, ose të dy kombeve. Rriten e edukohen njerëz si ju i nderuar Shefki Hysa, me kulturë të gjerë e me zemër të madhe që e njohin edhe fushorin, edhe malësorin, edhe qytetarin, që dinë të miqësohen edhe me njerëz të kombeve të tjerë, që dinë të mbyllin konflikte midis vëllezërve, midis krahinave, por edhe midis kombeve.
Njerëz me një kulturë të kristalizuar si ju, miku im Shefki Hysa, dinë t’ia jap-in dorën edhe të njohurit, edhe të panjohurit, edhe kombit tuaj, por edhe kombeve të tjerë sepse jeni bir i një populli martir, të vrarë, të prerë e copëtuar, të persekutuar për shekuj me radhë, por që e do paqen se e ka në ADN-në e vet.
Ju jeni shembëlltyrë e këtij populli martir, një personalitet i aftë ta përfaqësoni me dinjitet Shqipërinë në çdo tryezë ku flitet për Paqen, në çdo mjedis ku i këndohet Paqes, se vetë jeta juaj është një himn për miqësinë dhe Paqen.
SHPËRNDAJE