Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, përveçëse në Ballkan, tanimë shtrihet edhe në shumë vende të Europës. Konkretisht, në Gjermani Ai përfaqësohet me Bekim Shalën, shtetasin gjerman me origjinë nga Kosova. Bekimi; dikur emigrant ekonomik i ardhur nga Klina e Kosovës dhe sot biznesmen i integruar, njëlloj si qytetarët gjermanë në këtë shtet që ka mbi 80 milionë banorë. Ai është i pari Misionar Paqeje, në këtë shtet të madh dhe njëkohësish edhe përfaqësues i këtij misioni, mision i regjistruar në OKB, SHBA, NATO, BE… si dhe vetë shoqërisë civile gjermane, në shërbim të Paqes Sociale Globale.
Gjatë ceremonisë së nderimit të Bekim Shalës, Guvernatori i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet Dr. Shefki Hysa, theksoi: “Paqja sot është e rrezikuar në tërë globin më shumë se kurrë, veçanërisht nga terrorizmi. Në këtë situatë DMPP me shumë organizata partnere dhe miq ndërkombëtarë e vendorë po punojnë për të promovuar Paqen si e vetmja zgjidhje për të jetuar në komunitete pa urrejtje e ndarje sociale, por me frymën e ndërsjellë të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndëretnike, ndërfetare e ndërklasore. I nderuar Bekim, ju jeni një nga figurat që po i bashkohet sot këtij misioni fisnik, tani prezent edhe në Gjermani, dhe me vlerat tuaja të spikatura individuale dhe familjare, po rreshtoheni në radhët e luftëtarëve të Paqes që sakrifikojnë përditë në shërbim të komuniteteve ku jetojnë, po dhe në shërbim të Paqes Sociale Globale. Për figurën tuaj sot nuk flet vetëm DMPP, por flet e gjithë bota paqësore. Juve sot ju kanë vlerësuar institucionet më prestigjioze përtej oqeanit, siç është Akademia e Paqes Botërore Universale me qendër në Nju Jork, Trupa Diplomatike Shën Gabrieli, Misioni Diplomatik Amerikan për Paqen Botërore, Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, etj. Ju, Bekim Shala, sot e tutje jeni zyrtarisht Misionar Paqeje, një titull i miratuar unanimisht për vlerat tuaja si njeri i sakrificave që i keni shërbyer një jetë Kosovës dhe prej më shumë se dhjetë vjetësh po i shërbeni me përkushtim Gjermaninë. Ju jeni Misionar Paqeje i lindur dhe ne thjesht ju përzgjodhëm dhe ju çertifikuam si përfaqësues të denjë të Gjermanisë”…
Ndërsa Dr. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), tha: “Është kënaqësi kur një biznesmen nga Kosova, si Bekim Shala, vlerësohet nga institucione të larta ndërkombëtare me titullin Misionar i Paqes, një titull me domethënie kaq të madhe për punën dhe jetën e një njeriu. DMPP ka vlerësuar edhe më parë personalitete nga Kosova për kontributin e tyre të shquar në shërbim të komuniteteve ku punojnë dhe jetojnë, po ky vlerësim i një personaliteti që jeton e punon në Gjermani është modeli i urave të miqësisë që ndërtohen midis komuniteteve dhe vendeve të integruara të Europës me ato të Ballkanit që pret të integroahet si pjesë e BE. Shqiptarët sot në diasporë nuk janë thjesht punëtorë krahu, por janë të integruar në të gjitha strukturat shtetformuese administrative, ekonomike, sociale dhe diplomatike. Për Kosovën është nder i madh që një bashkëkombës yni, si Bekim Shala, çertifikohet sot me këtë titull kaq të lartë, titulli Misionar Paqeje. Ky vlerësim e imponon individin që ta rritë edhe më shumë autoritetin dhe përgjegjësinë e vet në shërbim të komunitetit për gjatë gjithë jetës. Familja Shala është e njohur për kontributin e dhënë në kauzën kombëtare dhe luftën e drejtë të viteve ’99 për lirinë e Kosovës. Kjo familje, sot model në Gjermani, e ka ndihmuar kauzën e Paqes në Kosovë edhe me kapital financiar, edhe me sakrifica e gjak”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në fjalën e vet theksoi: “Kam ardhur me kënaqësi të ndjek këtë ceremoni solemne për bashkëkombësin dhe bashkëqytetarin tim Bekim Shala dhe jam i entuziazmuar për këtë vlerësim kaq të lartë që i bëhet nga institucionet botërore të paqes. Kjo ceremoni, padyshim nderon familjen Shala, nderon gjithë Kosovën, por në veçanti Komunën e Klinës, ku Bekimi ka lindur”.
Misionari i Paqes Bekim Shala, pas ceremonisë së çertifikimit, u shpreh me shumë emocione para pjesëmarrësve, mbi 150 miq dhe dashamirës të tij gjermanë, shqiptarë, francezë, zviceranë, etj.
Ai, pasi i falenderoi të ftuarit, organizatërët e ceremonisë dhe institucionet vlerësuese si DMPP, tha:
“Jeni ju ata që më ndihmuat gjatë karrierës sime dhe nuk më latë asnjëherë vetëm në punën time dhe në sakrificat e mia për të ruajtur Paqen në familje e në komunitet si dhe në përkushtimin tim në shërbim të kombin tim. Sot zotohem para jush dhe familjes sime se do të vazhdoj të punoj më shumë për mirëqenien e komuniteteve dhe për Paqen, jo vetëm në Gjermani e në Kosovë, po në të gjithë vendet ku ka ndërtuar punën e vet DMPP. Tani e tutje jam një qytetar gjerman i angazhuar në shërbim të Paqes Sociale Globale”.
Dhe nuk ke si të mos ndihesh krenar për këtë njëri model që në themel të gjenezës së vet ka humanizmin dhe sakrificën, ka familjen dhe kombin; ky pra është Bekim Shala, djaloshi model që e mundi Gjermanë me Paqe
Dr. Shefki Hysa