Shkrimtari dhe publicisti i njohur Shefki Hysa, u lind në qytetin e Ersekës, më 20 korrik 1957, në një familje intelektuale.
Babai i tij, Mazar Hysa, ishte mësues me vllehtë, në atë periudhë dhe ndiqte shtegtimin e tyre baritor; veronte në malet e Gramozit të rrethit të Kolonjës, me qendër Ersekën dhe dimëronte në Sarandë, duke mos iu ndarë shkollimit të fëmijëve çobanë.
Familjarisht banonte në Shalës të Konispolit.
Nëna e Shefkiut, Bahrieja, në pamje të parë një grua e imët, por tejet e zgjuar, e cila e pasuronte çdo ditë mendjen dhe shpirtin me librat e shumtë që i sillte i shoqi, ishte shtëpiake dhe shtegtonte përkrah të zotit të shtëpisë që të kujdesej për familjen e tyre të re.
Shefki Hysa i përket një fisi të vjetër atdhetar të vendosur në Shalës të Konispolit, rreth shekullit të 18-të, ndoshta në periudhën e myslimanizimit të kësaj krahine, sepse cilësohet si një ndër shtatë fiset e para themelues të fshatit Shalës, sipas kujtesës popullore. Vetëkuptohet, ishin fis i pasur, merreshin me blegtori dhe bujqësi, kishin shumë pyje, kullota dhe toka buke, rrjedhimisht do të ishin dhe atdhetarë e do ta mbronin me gjak shtëpinë e tyre, Atdheun-Çamërinë, nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë.
Gjyshi i Shefkiut, atdhetari i njohur Shefki Hoxha (ishin fetarë brez pas brezi, prandaj mbanin edhe mbiemrin “Hoxha”), njihet si një ndër themeluesit e klubeve të parë atdhetarë të Konispolit dhe të Filatit, si financues i shkollave të para shqipe në zonën e Çamërisë (në Konispol, Filat e Gumenicë), si financues i luftës së Vlorës kundër pushtuesit italian më 1920 dhe si kundërshtar i ashpër i të gjitha pushteteve, si me atë turk edhe më vonë me pushtetin mbretëror të Ahmet Zogut.
Në vitet 20-të, Shefki Hoxha u shqua si demokrat, përkrahës i Fan S. Nolit dhe i qeverisë së tij reformiste, pavarësisht nga fakti se mund t’i prekeshin pasuritë e shumta që kishte vënë me mund e djersë gjithë ato vite. Ishte kjo një nga arsyet që u burgos nga mbreti Ahmet Zogu, në burgun e Lezhës. Madje për këtë arsye, poeti popullor i zonës, këndonte:
“Telegramet venë e vinë,/ të ngrenë xhandarmërinë,/ thonë për një rebelim,/ Çamëria s’iu bindka Mbretit,/ Naltmadhnisë së Tij Ahmetit./ Në Shalës muarr Shefkinë,/ në Konispol Maze Haminë/ dhe Xhafo Pandalejmoninë”…
Shefki Hoxha u sëmur në burgun e Lezhës dhe vdiq në vitin 1936, si pasojë e lëngatave të burgimit.
Babai i Shefki Hysës, Mazari, u përndoq si antikomunist nga diktatura, pavarësisht se shtëpia e tyre në Shalës ishte mbështetja kryesore e Luftës Antinazifashiste, bazë partizane. Në vitin 1960, Mazar Hysën e larguan nga arsimi, për shkak të vëllait të tij nacionalist, Sadedin Hoxha, të pushkatuar pa gjyq nga komunistët më 13 nëntor të vitit 1943, në spitalin partizan të Theollogos, rrethi i Sarandës.
Pra, më në fund familja e tyre u përfshi nga mekanizmi i verbër i luftës së klasave, gjë që e cënoi rëndë edhe djaloshin ëndërrimtar Shefki Hysa, pas vdekjes së babait, Mazarit, në vitin 1976.
Mazar Hysa, babai i shkrimtarit Shefki Hysa, u nda nga kjo botë me shijen e një jete të hidhur në buzë. Vdiq me dhimbje se nuk mundi ta rregullonte djalin siç kishte ëndërruar gjatë periudhës së persekucionit prej regjimit komunist. Megjithatë Shefki Hysa, i biri i Mazarit, arriti të mbijetonte, falë genit që trashëgonte nga të parët e fisit.
Shkollën fillore dhe tetëvjeçare, Shefki Hysa i kreu në fshatin Shalës të zonës së Konispolit.
Shkollën e mesme bujqësore e filloi më 1972 dhe e përfundoi më 1976, në qytetin Konispol të krahinës së Çamërisë. (Pushteti komunist i asaj kohe e dërgoi me detyrim në shkollën bujqësore, jo në gjimnaz, për shkak të biografisë së “keqe”, si fis me origjinë prej shtresave klasore të pasura antikomuniste dhe për faktin e xhaxhait të tij, Sadedin Hoxhës, nacionalist, i pushkatuar politik).
Pas dhjetë vjetësh përpjekjesh xheklondoniane, në vitin 1985, djaloshi i talentuar Shefki Hysa arriti të siguronte një të drejtë studimi për letërsi në Univeristetin e Tiranës. Ishte këmbëngulja e shkrimtarit të shquar Dritëro Agolli, i cili nga pozitat e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e ndihmoi këtë talent të ri. Dritëro Agolli, si dhe në disa raste të tjera me talente që vinin nga shtresat antikomuniste të shoqërisë shqiptare, si edhe në rastin kur i hoqën të drejtën e botimit poetit Namik Mane, iu imponua strukturave të pushtetit totalitar për të rishikuar biografinë e prozatorit Shefki Hysa. Dhe atij iu dha e drejta e mohuar për të studiuar në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 1989, ai u diplomua për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë vazhdonte të shkruante dhe botonte tregime dhe publicistikë.
Pra, më në fund të riut Shefki Hysa i ishte vlerësuar talenti prej prozatori me individualitet krijues të spikatur, siç shprehej kritika për tregimet e tij të para lirike, të mirëpritura nga opinioni letrar dhe lexuesit.
“Tregimtari im i dashur, me vrojtime të çuditshme dhe ndjenja të holla; shkrimtar i çmuar gjithmonë, nga unë e të tjerët”, – kështu shprehej Dritëro Agolli, entuziast për të ardhmen letrare të shkrimtarit Shefki Hysa dhe nuk do të zhgënjehej. Me kalimin e viteve emri i tij spikaste në gazeta e revista, si një shkrimtar me individualitet të veçantë, me krijimtari që i përmbahej çështjes kombëtare shqiptare.
Gjatë viteve 1991-1997, Shefki Hysa ka punuar si gazetar në gazetën “Çamëria” dhe kryeredaktor në gazetat “Kombi” e “Dielli”. Ndërkaq ai ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë, botimeve dhe të marrëdhënieve publike e ndërkombëtare.
Që nga viti 1997 e në vazhdim, Shefki Hysa punoi në Administratën e Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Komunitetin Kulturor të Çamërisë (Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”) dhe Shtëpinë Botuese “Bilal Xhaferri”.
Shkrimtari Shefki Hysa është sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ai është një ndër krijuesit më prodhimtarë të periudhës postkomuniste, pra, pas vitit 1990, kur u shemb sistemi komunist në Shqipëri.
Prozatori Shefki Hysa ka botuar disa libra si: “Turtullesha dhe djalli”, tregime (1992), botim i Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”; “Robër të paqes”, roman (1994), botim i Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”; “Parajsa e mallkuar”, roman (1997), botim i Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”; “Rrëfimet e një hajduti”, tregime (1999), botim i Shtëpisë Botuese “Arbëria”; “Aromë Çamërie”, tregime (2004), botim i Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”, ISBN 99927-960-1-4; “Mrekullitë e rreme”, tregime (2005), botim i Shtëpisë Botuese “Bilal Xhaferri”, ISBN 99927-960-0-6;
“Diplonacia e vetëmohimit”, publicistikë (2005), botim i Shtëpisë Botuese “Kristalina KH”, ISBN 976 99956-650-3 etj.
Shkrimtari Shefki Hysa është marrë shpesh edhe me përkthime dhe redaktime të librave të autorëve të tjerë.
Midis të tjerash, ai është redaktor i novelës “Lavirja e denjë për respekt”, (1992), e shkrimtarit Zhan Pol Sartri; redaktor i romancës “Dashuri fatale”, (1992), e shkrimtarit Alfred de Myse; redaktor i romancës “Dashuri e përgjakur (Përtej largësive)”, (1992), e shkrimtarit Bilal Xhaferri; redaktor i romanit “Krasta Kraus (Ra Berati)”, (1993), i shkrimtarit Bilal Xhaferri; redaktor i novelës “Kur dynden vikingët”, (1993), e shkrimtarit Pjetër Arbnori; redaktor i romancës “Bukuroshja me hijen”, (1994), e shkrimtarit Pjetër Arbnori; redaktor i vëllimit poetik “Pjergulla e lotëve”, (1995), i poetit Namik Mane; redaktor i vëllimit me tregime “Një natë e zakonshme”, (2003), i autorit Namik Mane; redaktor i romanit “Me putrat tona shëtitëm botën”, (2007), i shkrimtares Xhulia Xhekaj, etj., etj., botime e redaktime letraro-publicistike të vetat dhe të të tjerëve nga më të larmishmet.
Intelektuali Shefki Hysa, që nga viti 1995 vazhdon të botojë dhe të drejtojë si botues dhe kryeredaktor të përmuajshmen “Krahu i Shqiponjës”, revistë politike, kulturore, letrare dhe shoqërore, e botuar për herë të parë më 1971, në dy gjuhë, shqip e anglisht, si organ i Lidhjes Çame, në Çikago të SHBA.
Themeluesi, botuesi dhe drejtuesi i parë i revistës “Krahu i Shqiponjës” ishte Bilal Xhaferri, poet, prozator dhe publicist i shquar disident, i cili u lind më 2 nëntor 1935, në Ninat të krahinës së Konispolit dhe pas një veprimtarie të madhe letraro-publicistike, vdiq në mërgim (i arratisur nga Shqipëria më 1969-ën, si nacionalist antikomunist) më 14 tetor 1986, në Çikago të SHBA.
Revista “Krahu i Shqiponjës” ishte një tribunë e mendimit të lirë demokratik me prirje thellësisht antikomuniste, antidiktatoriale dhe antienveriste, që synonte bashkimin e tërë forcave politike shqiptare në mërgim, unifikimin e mendimit, programeve dhe qëllimeve të tyre për një Shqipëri të lirë properëndimore.
Në faqet e revistës “Krahu i Shqiponjës” trajtoheshin gjerësisht problemet kombëtare shqiptare, veçanërisht çështja Çamërisë, problemi i Kosovës, i territoreve të tjera të mbetura jashtë trungut amë, Shqipërisë, si dhe problemet e komuniteteve shqiptare nëpër botë e të Diasporës.
Shkrimtari Bilal Xhaferri, arriti të botonte 39 numra të kësaj reviste.
Që në vitin 1995 e në vazhdim, revista “Krahu i Shqiponjës” vazhdon të botohet në Tiranë, si organ i Komunitetit Kulturor të Çamërisë (Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”) organizatë e themeluar dhe e drejtuar prej gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Shefki Hysa, i cili inicoi rikthimin në Shqipëri të eshtrave të disidentit Bilal Xhaferrit, si dhe lartësimin e vlerave të jashtëzakonshme të kësaj figure të rallë të nëpërkëmbur e të flakur në harresë prej ish-diktaturës komuniste shqiptare.
Shkrimtari Shefki Hysa, në cilësinë e botuesit dhe kryeredaktorit të revistës së përmuajshme “Krahu i Shqiponjës”, me kontributet e veta dhe të miqve të tij, ka arritur të nxjerrë më shumë se 100 numra dhe vazhdon me këmbëngulje ta mbajë lart këtë piedestal të mendimit të lirë në vazhdën e idealeve të shkrimtarit të shquar Bilal Xhaferrit.
Ideali i personalitetit Shefki Hysa: Çamëria, Shqipëria etnike, Paqja dhe Prosperiteti në Botë.
Kur e njeh nga afër, por edhe në sytë e lexuesve dhe në opinionin e mediave shqiptare, shkrimtari Shefki Hysa, ky personalitet i njohur i letrave shqipe, nuk mjaftohet kurrë me sukseset dhe arritjet. Ai, si maratonomak, rend gjithmonë në kërkim të risive dhe vlerave të shoqërisë shqiptare dhe të mbarë shoqërisë njerëzore. Shkrimtari Shefki Hysa, gjithmonë i palodhur, si hapi i tij i shpejtë me vrullin e një shpirti djaloshar.
Me nxitjen e mikut të tij të rrallë Ibrahim Rugova, President i Kosovës, shkrimtari Shefki Hysa, vuri në jetë një nga idetë më të bukura të Richard Holbrooke, ambasador amerikan, njeriu që i dha Ballkanit problematik atë formë paqësore që ka sot. Pra, bashkë me disa diplomatë të huaj, miq të ambasadorit Holbrooke, krijuan organizatën ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), e konceptuar në formën e një misioni paqeje, që lobon për Paqe e Prosperitet në Ballkan dhe në Botë, sipas modelit më të mirë që ofron demokracia amerikane për vendet në zhvillim.
Misionari Shefki Hysa, guvernator i kësaj organizate lobimi, me punën e tij demonstroi edhe një herë tjetër, se çdo nismë e tij ka si shpërblim vetëm suksesin në dobi të Paqes dhe Prosperitetit.
Ishte pikërisht kjo sipërmarrje e re, që do ta fokusonte edhe më shumë shkrimtarin Shefki Hysa në punën e misionarit të palodhur për Paqe e Prosperitet. Si Misionar i Paqes, ai zuri të krijonte edhe shumë lidhje të reja me botën intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në sajë të punës së vazhdueshme e plot suksese emri dhe biografia e tij janë përfshirë në shumë enciklopedi prestigjioze të botës.
Vizionari Shefki Hysa, me punë dhe vullnetin e paepur si lider-misionar, me aftësitë dhe profesionalizmin për të bashkëpunuar me personalitete të tjerë si: Dr. Madhu Krishan, themelues dhe kryetar i AUGP, Dr. Mohamed Barhoumi, Ambassador of Human Rights Organization, Dr. William Weiss, Ambassador Sovereign Military Order of Malta, Dr. Haissam Bou Said, Ambassador of IHRC, Dr. Muhammad Shahid Amin Khan, Word Chairman of IHRC, Jesus Gary Domingo, Minister and Consul General at Philippine Mission to the UN, Ryszard Cwikla, Chairman of I-SUN-VV, etj., të cilët lobojnë për paqen në botë, në një kohë të shkurtër, arriti të zgjerojë rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe partnerëve në shumë vende, në disa kontinente.
Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) tani bashkëpunon me shumë organizata analoge të OKB-së, midis të tjerash me Academy of Universal Global Peace (AUGP), United Nations University For Global Peace (UNUGP), American Diplomatic Mission For World Peace (ADMWP), American Diplomatic Mission For International Relations (ADMIR), Amnesty International, Human Right Watch, International Service for Human Rights, Human Rights Foundation, Freedom House, People to People International, Helsinki Committee for Human Rights, Greenpeace, Diplomatic Society of St. Gabriel (Knights of Saint Gabriel), International Alliance of Catholic Knights, International Human Rights Commission, Planet Diplomat, Academy of American Poets, American National Standards Institute etj…
Drejtuesi Shefki Hysa është nderuar nga AUGP (Academy of Universal Global Peace) me titullin Doktor për Diplomaci Ndërkombëtare (Honoris Causa) dhe bën pjesë në bordin e drejtorëve të kësaj organizate.
Dr. Shefki Hysa është një model i një njeriu të virtytshëm, i gatshëm të sakrifikojë për Paqen dhe prosperitetin. Ai është një luftëtar i paqes në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
Dr Hysa është gjithashtu Rektor Nderi Ndërkombëtar i Universitetit Logos, Miami, Florida; Doktor i Letërsisë, Universiteti Amerikan “Vox Dei”, Florida, SHBA; Doktor Honoris Causa i Diplomacisë Ndërkombëtare, Universiteti Katolik Papnor, Amerikan, Florida, SHBA; Doktor Nderi i Marrëdhënieve Njerëzore, Logos University, Miami, Florida; Profesor Nderi, Universiteti Katolik Papnor, Amerikan, Florida, SHBA; Doktor Honoris Causa i Filozofisë në Diplomacinë Ndërkombëtare, Akademia e Paqes Globale Universale; Guvernatori Ndërkombëtar në Shqipëri i Akademisë së Paqes Globale Universale etj.
Për kontributin e tij në fushën e Paqes dhe Prosperitetit, për vendosjen e Paqes rajonale në Ballkan dhe Evropë, për punën e tij vullnetare ai është nderuar dy herë nga Shtëpia e Bardhë me titullin: “Lifetime Achievement Award” nga Presidenti Barack Obama dhe nga Presidenti Donald Trump.
Ai ka marrë gjithashtu titujt “Kolonel i Kentucky” nga Guvernatori Steven L. Beshear i shtetit Kentaki, USA, dhe Arkansas Traveler, Ambasadori i Vullnetit të Mirë të Arkansas, USA, etj.
Dr. Haim Reitan