E dëgjoja me vërejtje se më dukej interesant në mllefin e tij të pamatë ndaj grave.
Në vend të përshëndetjes për ta ngacmuar, i thosha:
– Pranë burrave të mëdhenj gjenden gjithmonë gra të mëdha.
Dhe ai acarohej e shpërthente:
– Po, mor po, gjenden të përdalat më të mëdha!…
– Ore po, ende nuk mësove t’i respektosh?!… Një fjalë e urtë thotë se gratë janë mësuese për burrat e rinj, janë shoqe për moshën e mesme dhe infermiere për pleqtë, – replikoja me të jo vetëm për ta ngacmuar, por dhe i çuditur se përse ai djalosh e kishte shpallur veten “Armiku i grave”…
– Po mor, po, – ma preu ai, – nuk i njihke aq mirë me sa duket!…
– I njoh! – e kundërshtova.
Ai heshti idhnak.
– Te femra gjithçka është zemër, bile edhe koka, – theksova.
Ai vazhdonte të heshtëte me atë pamjen sa idhnak dhe ironik.
– Gruaja është mbretëresha e botës…
– Po, mor po, por është dhe skllavja e dëshirave! – ma preu ai me tallje.
– Kush nuk i njeh prostitutat, nuk mund t’i kuptojë gratë deri në fund, or mik. Pra dhe ato e kanë vlerën e tyre në botë, – vazhdova unë në avazin tim.
Ai rrudhi hundët dhe tha:
– Gruaja ime s’do të qante kurrë për mua, nuk do të interesohej kurrë për mua, po të kisha fatin e Kenedit, largqoftë. Njëlloj si Xheki, gruaja e Kenedit, që nuk deshi t’ia dinte për të vërtetën e tij, për idealin e tij, për vdekjen e tij, por u martua. U martua me grekun Onasis, pasardhësin e të pabesit Odise…
– Aaa, e paske inatin me gruan tënde, besoj…
– Jo, mor, jo!… Gruaja ime është e zakonshme dhe nuk ia vlen t’i mbash inat për tekat e saj femërore, – qeshi ai.
E përqesha me majën e gjuhës.
Ai si të mos ndikohej fare nga prania ime luftarake, vazhdoi:
– Besoj e mban mend. Edhe Mandelën e la gruaja, nuk pyeti për idealin dhe sakrificat e tij, për 30 vjet burg që i privuan lirinë me etiketimin si person i rrezikshëm për pushtetin e Pretorias. Nuk pyeti as për madhështinë e tij, por i ktheu shpinën për epshet mashkullore të dikujt tjetër.
– Ouuu, e paske inatin me tërë gratë e botës, or mik! – shpërtheva unë si njeri i gatshëm për duelet e tipit mesjetar.
– Jo, mor trim, nuk e kam inatin me gjithë gratë, por për ato të përdalat më të mëdha që ua kanë nxirë jetën burrave të mëdhenj që kanë bërë histori, – tha ai duke e lëvizur krahun si shpatë që donte të priste kundërshtimet e mia.
– Ouuu, tani na habite fare! – e përqesha unë.
Ai, me sytë diku tej në humbëtirën e horizontit, vazhdoi:
– Po kështu u soll edhe gruaja e Berluskonit, politikanit gjeni, arkitektit të Italisë Moderne. Nuk ka rëndësi se si i bëri paratë ai (bota ka njohur edhe shumë e shumë milionerë të tjerë), por fakti se si doli në krye të Italisë, se si i doli zot të ardhmes së saj, si një udhëheqës madhështor. Megjithatë gruaja e la, nuk deshi t’ia dinte për madhështinë e tij, por për shumën e parave që do të siguronte nëpërmjet divorcit, për gjysmëm e pasurisë së tij, pavarësisht se ishte askush, se e lidhte me të vetëm një copë letër, dokumenti ligjor i celebrimit (ndoshta ishte ndonjë grua tjetër ajo që e meritonte më shumë pasurinë e tij për hatër të dashurisë që mund t’i ketë falur dhe nuk e pati kurrë këtë mundësi për shkak të mungesës së asaj cope letre). Ia mori pasurinë pa dhënë as kontributin më të vogël, vetëm duke shfrytëzuar epërsinë dhe përparësinë e të qenit e para grua e tij, epërsinë e të pasurit të asaj cope letre si gruaja e tij, pavarësisht se dashurinë e vërtetë mund t’ia ketë dhënë ndonjë grua tjetër që nuk pati kurrë asnjë avantazh ligjor përballë tij. Pra, gruaja e vodhi ligjërisht, pa as vrasjen më të vogël të ndërgjegjes se ishte askushi dhe se përfitoi në kurriz të tjetrit diçka që kurrë nuk do ta realizonte me forcat e saj. Pra, ka gra dhe gra, ka fate dhe fate, por më së shumti fati u buzëqesh atyre grave që nuk meritojnë asgjë, u buzëqesh pabesisë së tyre dhe jo dashurisë… Ec e merre vesh se ku qëndron morali i kësaj fabule me gra intrigante që thurrin intriga në kurriz të dashurisë së vërtetë…
Shtanga një copëherë përballë arsyetimit të tjetrit.
Ai vazhdoi të thoshte:
– Mjerë burrat me të tilla gra që janë si djajtë dhe i kthejnë shpinën edhe Zotit, Krijuesit të gjithçkaje!…
– Megjithatë, mos harro, përkrah burrave të mëdhenj që bëjnë historinë e njerëzimit, gjenden edhe gra të mëdha, si Hillary Clinton, fjala vjen, për krah Presidentit Amerikan Bill Clinton, – kundërshtova unë…
Ai ma preu shkurt:
– Më dëgjo mua, sipas përvojave të mia, përkrah burrave të mëdhenj më shpesh gjenden të përdala të mëdha…
– Ti të çmend, o mik! – ia preva unë i revoltuar.
Ai lëvizi dorën si erashkë përballë fytyrës së vet apo si i bezdisur prej ndonjë mize dhe më drejtoi gishtin:
– Për mendimin tim femrat ndahen në tri kategori: kurva, të poshtra dhe të mërzithshme. Kurva është ajo që ua jep të gjithëve. E poshtra është ajo që ua jep të gjithëve, veç teje. E mërzitshmja është ajo që ta jep ty, vetëm ty, e gjithnjë ty, – theksoi ai dhe gishti i tij sa s’më shpoi si majë shpate.
– Megjithatë gratë mbeten gra, mëmat e njerëzimit! – e përmbylla unë bisedën dhe i ktheva shpinën arsyetimit të tij stërmundues…
Dr. Shefki Hysa