Dashuria është e mrekullueshme, Mrekulli!… Dashuria është Lumturi!… Dashuria është Mall, Pasion, Eros, por mos harroni se është edhe Përkushtim e Sakrificë!…
Stop, një moment!… Keni bythë për përkushtim e sakrifica?!… Po qe se keni le të vazhdojmë përpara nëpër betejat e Dashurisë….
Në realitet Dashuria, sado e Magjishme, Hyjnore, etj., etj., nuk arrihet pa përpjekje e stërmundime. Ja që vajzat janë nazetare dhe ta plasin shpirtin para se të të shpien në burim. Dhe kanë të drejtë, se po të jepeshin lehtë, djemë do të mendonin se aha kjo apo ajo na qenka një kokërr k…, etj., etj…
Pra, na delka se Dashuria është dhe një luftë e gjatë plot beteja. Beteja të pafundme për një grimë Dashuri, për një grimë Lumturi!… Se mirë u dashurove, po eja e mbushua mendjen mamit e babit tënd, mamit e babit të partnerit, pa le pastaj po të llogaritësh motrat e vëllezërit, xhajallarët e dajallarët, tezet e hallat, ndonjëherë edhe mendjet e komshinjve. Ore, kini parasysh se ndonjëherë edhe ata duan pyetur… E kanë edhe ata të drejtën e fjalës…
Pra, Dashuria është Luftë!… Thuhet se në Dashuri dhe në Luftë lejohet gjithçka.
Kështu thonë, por unë nuk mendoj kështu. Fjala vjen, në luftërat moderne nuk lejohet gjithçka. Nëse vret civilë të pafajshëm dikur do të përfundosh i akuzuar si kriminel lufte në gjykatat ndërkombëtare. Kini parasysh Milosheviçin dhe kriminelët e tjerë serbë rreth tij. Strukturat Ndërkombëtare Antikrim po mundohen të çojnë në gjyqe edhe ish-drejtues të UÇK, vetëm e vetëm se ka thashetheme për veprimtarinë e tyre gjatë luftës Serbi-Kosovë.
Pra, mos u rreni nga kjo shprehje që të bëni gjithçka për të realizuar një Dashuri të pamundur, se do të përfundoni në tragjedi si Romeo dhe Zhulieta, ose në ndonjë gjykatë e pastaj burgjeve si kriminelë.
Kjo do të thotë se Dashuria sado Hyjnore nuk motivon asnjë lloj krimi.
Djem e vajza, mos vrisni për dashurinë!… Ju pëfundoni në burg e partneri juaj i lumtur me djalin a vajzën e komshiut… Bëni veprime të arsyeshme brenda logjikës njerëzore. Vetëm kështu mund ta gjeni Dashurinë, një grimë të saj…
Thamë se Dashuria është e madhërishme. Kjo dihet nga të gjithë. Le të arsyetojmë pak për madhështinë e saj:
Në teori Dashuria është vetë jeta në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Pra, ta jetosh jetën teorikisht do të thotë që ta përmbyllësh ciklin e plotë të saj i lumtur, pra të lindësh i lumtur (në fakt lindim duke u qurravitur), të kalosh fëmijërinë i lumtur (mos harroni sa herë ulërijmë kur rrëzohemi e gjakosemi e kur gjakosim shoku-shokun), të jesh adoleshent i lumtur (gjë që vjen ndesh me logjikën adoleshente, sepse kjo moshë grindet edhe me veten e vet), dhe të biesh në dashuri me shpirtin tënd binjak (që zor se e gjeti edhe vetë Paridi te Helena apo Romeoja te Zhulieta). Deri këtu gjithçka duket normale, por në thelb jo! Mund të biesh në Dashuri me shpirtin tënd binjak (kjo u ndodh shumë pak djemve e vajzave, sepse më shpesh biem në dashuri me atë imazh që kemi në mendje, me idealen, se në realitet zhgënjehemi për pak kohë). Ore po nuk gjendet kollaj Dashuria, është si puna e Njëbrirëshit a Pegasit (Kalit me krahë) të legjendave.
Dashuri në të vërtetë do të thotë ta realizosh lidhjen me shpirtin tënd binjak plot romantizëm, pasion e përkushtim (gjë që mua më duket e pamundur, sidomos për shkak të kësaj fjalës së fundit që në fund të fundit do të thotë sakrificë).
Ju lutem shumë, djem e vajza, më thoni se cili nga ju do të bënte gjithë jetën sakrifica për partnerin? Po për tekat e tij?… Një shembull real: Ajo tjetra i tha tjetrit se nëse ti më do, shko futu në kafaz të luanëve të egër dhe merr dorashkën time. Dhe fap e hodhi dorashkën në hundët e tufës së luanëve. Po edhe vetë Helena e Trojës të ishte kjo vajzë, apo sikur të ishte edhe vetë Zhulieta e tragjedisë, nuk ma do mendja se për këtë kokëshkrepje, as Paridi e as Romeoja nuk do të sakrifikonin që të shqyheshin nga luanët e uritur!…
Dashuria midis dy qenieve njerëzore thamë se është Magji, Romantizëm, Mall, Eros, Pasion, Bashkimi Fizik, pra, është realisht produkt Hyjnor! Dhe nuk del kush ta shajë deri këtu…
Por ec e gjeje Dahurinë në këtë dreq realiteti shqiptar!…
Mos më thoni se e ka gjetur kush thjesht pasi i ka dalë gjumi dhe ka bërë një xhiro andej nga shkollat, nga universitetet apo nga bulevardet ku djemtë e vajzat joshen e gjenden me shumicë. Pra, na delka se Dashuria është Fitore e vështirë. Fitore si e Piros së Epirit. Dakord, po kjo nuk do të thotë as që t’ua lemë të tjerëve ta peshkojnë Dashurinë dhe ne të bëjmë sehir.
Ka egzistuar një mendim sipas te cilit Dashuria është subjekt i kufizuar me të cilin duhet të merren vetëm poetët dhe autorët e këngëve, se ajo nuk vrojtohet dot shkencërisht dhe kjo përbën një vështirësi metodologjike për studiuesit.
Na marrçin pleshtat (që nuk i kemi) poetët me atë gjoja zotësinë e tyre për ta patur Dashurinë pronë të vet, po ashtu dhe shkencëtarët me paaftësinë për ta studiuar këtë fenomen. Si duket këta të fundit janë paksa impotentë, më saktë anëtarë të kushedi ç’lloj shoqatave…
Thuhet se psikologët supozojnë se çdo sjellje njerëzore, përfshirë dhe Dashurinë Romantike, janë objekte studimi të psikologjisë, meqenëse të qenurit i dashuruar ndikon në jetën sociale të njeriut, në marredhëniet intime, në martesë, divorc, etj.
Të më falni se ndoshta e kam gabim, po për mua këta psikologët duhet të jenë ndonjë lloj race idiotësh. Pretendojnë paturpësisht pronësi mbi Dashurinë!… Dhe na përmendin dhe divorcin!… Ore po ku ha arsyetim Dashuria?!… A nuk thuhet se në shumicën e rasteve ajo shfaqet e Verbër?… Dhe ç’punë kanë me një të verbër psikologët që shtjellin e shtjellin pambarimisht lëmshe fjalësh?!… Mund të merrej ndonjë Okulist me Dashurinë e verbër, por edhe një i tillë është harruar aq shumë mbas studimeve, saqë ma do mendja t’ia vësh në hundë aromën e Dashurisë mund t’i duket ndonjë virus i rrezikshëm.
Sipas poetëve Dashuria është ndjenjë romantike, ndjenjë e fuqishme, si pasojë e një shigjete të Erosit, ndjenjë e thellë që të verbon e të shtyn të lidhesh ngushtë me dikë që të bën ta duash me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, duke mos kursyer asgjë tënden për të, me demek edhe jetën.
Të mos kursesh as jetën në kafazin e luanëve të uritur?!… Mendojeni mirë njëherë!…
Dashuria është e kundërta e Urrejtjes, vazhdojnë poetët. Këtë të fundit e di dhe bufi, se atje ku të gjuajnë me gurë nuk ka fara për ty…
Dashuri, nevoja për të qenë bashkë për jetë, të pandashëm, pretendojnë ata të rrjedhurit-poetë. Stop, këtu!… Po si kështu, verbërisht, vetëm pse një shigjetë e hedhur kuturu nga Erosi, që nuk dihet se ekziston dhe se paska aq shumë shigjeta, të godet në prapanicë dhe ti duhet të lidhesh përjetësisht me dikë? Larg qoftë, po nëse ai Djali, ose ajo Vajza, janë vrasës me pagesë?… Si do të mund të jetoni në harmoni?!… Po nëse kanë marrë dhe ndonjë shuk me para dhe foton tuaj për t’ju hequr qafe, se kështu i ka shkrepur në kokë të bijës a të birit të komshiut?!… Ruajna Zot nga të tilla Dashuri!…
Të dashurohesh me të vërtetë do të thotë të hysh në një dimension tjetër, të ndryshosh planet, pretendojnë idiotët poetë. Më thoni ju lutem, ku të shkojnë të dashuruarit e gjorë, në hënë me skafandra astronautësh apo në Mars, ku nuk të digjet vetëm bytha, por digjesh i gjithi?!… Hajde, rekomandime, hajde!…
Të dashurosh do të thotë të largosh qendrën e botës tënde e ta drejtosh në një pikë të re referimi, ngulin këmbë poetët. Ore, po kanë lajthitur ata, me këto përkufizime për Dashurinë?!… U rekomandojnë të dashuruarve të bëhen aktorë cirku, ekuilibristë e më the të thashë dhe të bëjnë dashuri majë shtyllave e telave, ku nuk bëjnë dot as zogjtë, të bëjnë dashuri në mjedise anijesh kozmike, jashtë ndikimeve gravitacionale, të papeshë, etj. E pse gjithë këto lloj peripecish, sikur nuk mjaftojnë tekat e nazet vajzërore në Dashuri?!…
Dritat e mendjes sonë ndriçojnë në një imazh të vetëm. E gjithë pjesa tjetër mbetet një sfond i bardhë, supozojnë poetët…
Ju thashë se janë çmendur nga dashuritë platonike përjetësisht të parealizuara nga paguximshmëria e tyre!… Ore, vetëm për një ditë, ai sfondi i bardhë nusëror, velloja, e marrë me qera kushton të paktën treqind mijë lekë të vjetra!… Po ngjyrat e tjera të jetës ku përfundojnë? Djem e vajza, ka ikur koha e televizorëve bardhë e zi. Dashuria është shumësi ngjyrash, kijeni parasysh këtë thënie timen.
Besoj se ne fillojmë të dashurojmë atëherë kur njohim dikë edhe në detajet më të vogla, në intimitetin e tij. Kur ne arrijmë të kuptojmë se çdo të bënte në një situatë e se si do të sillej në një situatë tjetër, i bien legenit poetët. Ore, po më parë na thanë se Dashuria është e verbër dhe tani na thonë se ajo studion çdo detaj?!… Pra, Dashuria, sipas tyre, një i verbër që u kushton vëmendje detajeve!… Absurd i madh, rrenë me bisht, por le ta marrim të mirëqenë për momentin. Po me hundën pak të shtrembër të partnerit, si i bëhet, po me ato vragat e plagëve të fëmijërisë në trup, kokë e fytyrë?!… O burra për operacione plastike që të zbukurohemi e t’i hyjmë në zemër Dashurisë së Verbër, të na marrë me sy të mirë, megjithëse nuk shikon fare!… Hej, bela, po paratë ku do gjenden?!… A të sjell para Dashuria?!… Vetëkuptohet, jo, vetëm po qe se ka prona e llogari bankare të trashëguara, ose të vetët emigrantë në Angli!…
Kur dashurohesh, me një shikim të vetëm arrin t’i komunikosh partnerit çdo gjë që kishe për t’i thënë…
E besoni ju këtë shprehje poetësh?! Dale, njëherë, se përvoja ka treguar se kalon një jetë të tërë e vetëm në fund të pleqërisë merren vesh tradhtitë që i kanë bërë partnerët njëri-tjetrit. Edhe ato rrëfehen pas një konsensusi e kompromisi të gjatë…
E ç’është bota në krahasim me personin e zemrës?!… Nuk mund të matet me asgjë Mrekullia e Tetë e Botës, ajo që quhet Dashuri, ia fusin kot poetët…
E thamë, janë të lajthitur, të gjorët… Pra, fillimisht pranojnë shtatë mrekullitë, pastaj kujtohen dhe për Dashurinë. Pra, e teta në radhë. Broçkulla poetësh.
Ja si shprehet një femër poete: Ta përkufizosh dashurinë nuk është e lehtë, por do të më pëlqente ta perifrazoja me një shprehje të të dashurit tim: Vetëm unë dhe ti, të gjithë të tjerët janë asgjë! Je gjithçka, gjithçka tjetër është asgjë. Je ti që i jep kuptim jetës sime…
Ju lutem: No Coment!… Kuptojeni vetë mashtrimin e radhës të partnerit ndaj partneres!…
Miq të mi, të gjithë ju që jeni objekt i të së Mrekullueshmes Dashuri, merreni jetën si t’ju vijë, mos jetoni me ëndrra e iluzione, se dikur Dashuria do të bëhet një nga pronat tuaja… Harrojeni!… Dashuria nuk është pronë e askujt në këtë botë!… Mos ushqeni shpresa të kota: Dashuria është Produkt Hyjnor që ne na jepet me pikatore, vetëm e vetëm për të na mbajtur gjallë në këtë botë të vdekshme tejet të vështirë. Pra, tek e fundit, është ilaçi që na mban gjallë për të shijuar sadopak udhëtimin e vështirë nga lindja në vdekje.
Jetojeni dhe gëzojeni realisht me këmbë në tokë Aventurën – Jetë!… Dhe dikur Zoti do t’ju çojë në Parajsë, ku besoj se gjendet Dashuria, ashtu siç pretendojnë idealistët tokësorë që fluturojnë me presh.
Dr. Shefki Hysa
Shkrimtar