Ora shënonte fiks 12.00, kur Fakiri hyri në zyrat e kompanisë së tij. Sapo kishte përcjellë në aeroport kolegët gjermanë dhe tani ndihej i lirë për ndonjë aventurë gjallëruese.
Në paradhomë e priste në këmbë Sekretarja e tij, Miss Albania, një bionde e llahtarisur që ta hiqte trurin.
Ajo, si me porosi, iu hodh në qafë Fakirit dhe zunë të puthen e të puthen me mall aq ëmbëlsisht saqë ai i gjori i harroi menjëherë telashet e ditëve të shkuara diku në sektorët e hidrocentraleve, diku andej nga malet e Librazhdit.
Ja, kësaj i thonë dashuri, jo llafe, thoshte me vete Fakiri i lumturuar me duart te dy derrkucët që hovnin e hungërinin ëmbëlsisht në kraharorin dekolde të sekretares.
Befas u hap dera dhe hyri me vrull gruaja e Fakirit.
U trondit si gjithë gratë e moshuara nga ajo skenë erotike. Buzëqeshja iu shndërrua në një ngërdheshje të frikshme dhe, aty për aty ulëriti, njëlloj si të ishte përballur me shejtanin dora vet.
Fakiri dhe Sekretarja që as nuk e mendonin atë fat aq të keq, shtangën një hop ashtu të rrokur si dy shtatore dëshpërimi e pamundësie, pastaj u ndanë të tmerruar, secili në një qoshe të paradhomës në pritje të stuhisë.
Gruaja e tërbuar prej asaj pamjeje të shëmtuar tradhëtie, u turr drejt Fakirit dhe filloi t’i binte me çantën e dorës.
– Maskara, tradhtar i ndyrë, i pafytyrë, do të të vras me duart e mia! – bërtiste ajo dhe nuk i ndahej duke e goditur me çantë.
Fakiri kishte vënë duart në kokë dhe mundohej të mbrohej duke u justifikuar se gjërat nuk ishin ashtu siç dukeshin. Ai po përqafohej thjesht si mik me sekretaren, meqë kishin ditë pa u takuar.
– Edhe gënjen, mor idiot, mor maskara, mor qen, kujton se jam gjë grua budallaqe unë?… Divorcin, dua menjëherë divorcin, të ndahemi, më mirë vetëm se sa me një qen si puna jote! – shfryu gruaja dhe u largua duke u qurravitur.
– Po prit njëherë, moj grua, të merremi vesh njëherë, – tha Fakiri dhe e ndoqi me vrap deri poshtë në hyrje të ndërtesës së zyrave, por ajo kishte avulluar.
– O bo bo! Edhe ky skandal më duhej tani, do buçasin gazetat dhe televizionet dhe kompania ime do shkojë për lesh, do falimentojë, – zuri t’i binte kokës i penduar Fakiri, por ishte vonë.
Gruaja sa mbërriti në shtëpi, mblodhi rrobat e saj në një baulle dhe vendosi të shkonte te mamaja e saj.
Doli në oborr të vilës dhe e përlotur ktheu kokën për të parë pasuritë që po linte pas.
Ja, vila trekatëshe ku banonin, pak më tutje edhe dy vila të tjera të lëshuara me qera të huajve, pak më tej hoteli. Në oborrin e secilës vilë disa makina tipi i fundit, vetura e fuoristrada. Po pasuritë e tjera në gjithë Shqipërinë? Po numrat e llogarive në Zvicër?…
– O Zot, të gjitha këto do t’i trashëgojë ajo debilja bukuroshe, sekretarja! – shfryu gruaja me duart në kokë.
Befas e mblodhi veten.
– Po unë budallaqe jam?! T’ia lë pasuritë asaj tjetrës? Mbase ajo do t’i mërzitet ndonjë ditë Fakirit dhe do të shkojë në punën e vet, si gjithë dashnoret. Dihet se sekretaret vijnë e shkojnë, por gratë mbeten, – e ngushëlloi veten gruaja e Fakirit dhe u kthye brenda në shtëpi, duke kuptuar se ideja e divorcit ishte thjesht çmenduri.
Fakiri i mërzitur dhe i trembur prej skandalit, erdhi kuturu rrotull rrugëve të Tiranës, brodhi ca edhe andej nga parku i kodrave të Liqenit dhe kur u err u mblodh në shtëpi i penduar.
Shty derën e vilës.
Suprizë!… Në sallon e priste në këmbë gruaja e qeshur sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
– Grua, po ti nuk ke ikur?! – tha Fakiri dhe u qesh i tëri nga supriza.
– Pse, budallaqe jam unë, mor burrë? Do vë përpara dhjetë a njëqind sekretare, po qe nevoja, dhe mua këtu më ke. Nuk të ndahem sikur ta bësh dhëmbin sa të elefantit, – tha gruaja e vendosur për të mbrojtur pasuritë e veta.
– E po shyqyr Zotit! Shkojmë ta festojmë qëndrimin tënd, grua – tha Fakiri i gëzuar dhe i lehtësuar prej telasheve që mund t’i sillte divorci.
Shkuan në restorantin “Il Gusto”, mbrapa dy kullave binjake në qendër të Tiranës.
Ky restorant model ishte në modë si një ndër më të mirët, i preferuar nga gjithë politikanët, madje dhe nga vetë Kryeministri dhe nga Kryetari i Opozitës.
Zunë Tavolinën më të mirë dhe vetë pronari i restorantit, Iliazi erdhi i përshëndeti dhe u dha porosi kamarierëve të kujdeseshin posaçërisht dhe në mënyrë të veçantë për zonjën.
Gruaja u përkëdhel në sedër jashtë mase prej respektit që iu bë.
Mori një pozë hijerëndë si zonjë e madhe dhe filloi të shikonte rreth e rrotull për të pikasur ndonjë fytyrë të njohur.
– Po ai, me atë kostumin blu, si të Sali Berishës, kush është mor burrë? – pyeti Fakirin me gisht në drejtim të dy tavolinave më tej në të djathtë të tyre?
– Beqiri, moj grua, ai i naftës, kaq shpejt e harrove? – ia ktheu me të qeshur Fakiri dhe i tundi dorën kolegut biznesmen.
– Po ajo brunia në tavonlinë me të? – vazhdoi gruaja.
– Sekretarja e Beqirit, grua, – e sqaroi Fakiri.
– Bo bo, sa e shëmtuar që është mor burrë, kjo brunia e mikut tënd!… I marrtë pleshtat sekretares sonë se nuk vlen as një dollar në krahasim me të. Ajo biondia jonë lë pas edhe sekretaren e Kryeministrit. E zbukuron inventarin e koleksioneve tona prej ari, – tha gruaja me krenari.
– E po ka guston e duhur Fakiri yt, moj shpirti im, di të zgjedhë artikuj me vlera të rralla, di të zgjedhë edhe sekretaret më të mira, – u mburr Fakiri.
– Bravo, burri im i dashur! – e lavdëroi gruaja.
Fakiri u qesh vesh më vesh dhe u mbështet fort pas karriges për të shpirë muskujt.
Befas hapi sytë…
Ishte në ëndërr…
Ndodhej i vetëm dhe i raskapitur prej urisë në një cep të pikës së grumbullimit të plehrave në Bregun e Lumit…
Dr. Shefki Hysa