Një ditë Fakiri u lodh aq shumë nga të papriturat stërmunduese të kësaj jete mizerje, saqë u ul në mes të rrugës me dëshirën për të mos lëvizur më, me dëshirën për të vdekur.
Le të vdiste!… Punë e madhe se vdiq ai!… E kujt do t’i plaste prej vdekjes së tij?!…
More të bëhej si të bëhej dhe ai të vdiste!…
Le të vdiste, megjithëse dëshira për të vdekur është rebelim ndaj Jetës, Dhuratë e Zotit për Njeriun, Rebelim ndaj vetë Zotit!…
– Tundu vendit, Fakir!… Tundu vendit e me Zotin mos e prish!… Të paktën të përfitosh Parajsën e Botës matanë Vdekjes!… – i tha vetes.
– Vdis, o Trap, vdis ti, që i trembesh Zotit! – i bubulloi një zë në veshë…
Ishte zë i njohur.
E kishte dëgjuar sa herë i gjori Fakir këtë zë…
– Po rri rehat, o Satana, merru me ato pisllëqet e tua, se ta kam pirë lëngun me kohë, unë! – iu gërmush Fakiri zërit.
– Vazhdo, vazhdo duaje Zotin, se si qen i ngordhur do përfundosh! – iu hakërrua Satanai.
Po Fakiri ishte në atë buzë-gremine të jetës, saqë nuk u trëmbej më kërcënimeve të Djallit.
More, si kishte ardhur puna, Fakiri nuk i druhet më as Zotit vetë.
Tekefundit do të bënte Grevë Urie, do të rebelohej qoftë edhe ndaj Zotit.
Kështu mbase shpëtonte njëherë e mirë nga të ligat e botës njerëzore.
– Fakir! – dëgjoi befas një zë gjëmues që nuk e kishte dëgjuar kurrë më parë.
U drodh i tëri.
Me sa duket ishte Zoti.
Dhe me Zotin nuk bëhet shaka.
U pendua në çast që e kishte lëshuar veten aq shumë në mes të rrugës.
Si do t’ia shpjegonte Zotit këtë lajthitje?!…
Mendoi se mbase do t’ia largonte vëmendjen nga kjo lloj çmendurie e radhës, duke i bërë ndonjë kërkesë.
– Fakir, po mendon të ma hedhësh?! – bubulloi zëri i Zotit dhe tutje Mali i Dajtit u trondit i tëri nga një rrufe gjigande.
– Mos, o Zot!… Një lajthitje, një gabim njerëzor, kjo stërlodhja ime… Më fal o Zot, se të gabosh është njerëzore, të falësh është gjest hyjnor, – u mblodh kruspull Fakiri i lemerisur.
– Fakir, të kam falur, po më thuaj si e ke hallin?! – e urdhëroi Zoti.
– E po ja, o Zot, jam katandisur gati si barbon, largqoftë, pa nënë e babë, pa të afërm, pa grua, domethënë pa prokopi… Natë e ditë ëndërroj atë thesin me gjithë ato të mirat e botës…
– Fakir, thesi i të mirave të ka dalë disa herë para, por ti gjithmonë nxiton e zgjedh atë më të keqen, midis të mirave. Fakir, fatin e tij e bën vetë njeriu me zgjedhjet e tij! – e ndërpreu Zoti.
– Ashtu është, o i Madhi Zot, gjithmonë më erren sytë para të mirave e nuk di pse nxitohem dhe për fat të keq më mbetet në dorë vetëm ky, kopili im…
– Fakir, provoje edhe njëherë Thesin e të Mirave, por ta dish se është hera e fundit që të jepet e drejta e zgjedhjes, – tha Zoti dhe bum i hodhi para këmbëve një thes plot e përplot me dhurata.
Fakiri i gjorë fërkoi duart, mbylli sytë dhe pa u menduar dy herë u hodh me kokë
në thes.
Më në fund e kishte mbërthyer një dhuratë.
Hapi sytë dhe pa i tmerruar se kishte kapur përsëri për qafe atë kopilin e tij.
– O Zot, ky është mallkim, më iku jeta me duart te kjo palo vegla ime! – u qurravit Fakiri me sytë drejt qiellit.
– Fakir, të thashë mos u nxito në zgjedhje!… Fati yt është vegla jote. Edhe me atë vegël do të arrish ta ndërtosh jetën, po të dish e të punosh si duhet. Dikur do ta gjesh edhe ti Evën tënde dhe ashtu si Adami do të krijosh pasardhësit e tu me atë vegël… Boll u qurravite, Fakir!… Tundu vendit e puno! – e urdhëroi Zoti dhe ia përcëlloi flokët me një rrufe.
Fakiri i llahtarisur ia dha vrapit nga sytë këmbët, duke e shtërnguar fort veglën e punës…
U ndal në Bregun e Lumit.
Nuhati aromën përqark dhe iu duk se e gjithë Tirana, jo vetëm Bregu i Lumit, mbante erë jashtëqitjeje.
Edhe ai vetë ndihej sikur sapo i kishte mbushur brekët.
U përkul dhe hapi sytë fort për të parë më mirë.
I hapi edhe më fort sytë.
Shyqyr Zotit, kuptoi se ishte në ëndërr!…
Dhe aty për aty iu lut Zotit që të mos përfundonte i zhytur gjer në grykë në ato jashtëqitjet e veta.
I mjaftonte vegla që mbante për qafe gjatë gjithë kohës…
Dr. Shefki Hysa