Politika, kjo kurvë e krehur…
Politika është veprimtari kolektive për mirëqeverisjen e një populli, e një shteti, pra, është art i mirëdrejtimit, i qeverisjes së shoqërisë njerëzore. Ajo prodhon pushtet dhe pushteti mirëpërdoret në dobi të gjithë shoqërisë nga individë dhe grupe individësh të prirur nga idealet demokratike ose keqpërdoret nga individë të papërgjegjshëm, egoistë që shndërrohen në diktatorë. Pra, politika si në formë edhe në përmbajtje është një lloj arti, si aktrimi skenik, me të vetmin ndryshim se aktorët e politikës luajnë në skenën e jetës së përditshme të një populli. Më saktë loja e politikës zhvillohet në kurriz të popullit dhe ecuria e saj përcaktohet nga prirjet e personazheve-politikanë. Nëse ata janë njerëzorë në shpirt si populli që i ka lindur atëherë edhe drama e jetës tenton drejt fundeve të lumtura, në të kundërt mjerë vendlindja e tyre, e cila përjeton ngjarje nga më të frikshmet me funde nga më tragjiket. Ju kujtoj për një moment Hitlerin dhe “Mein kampf”, veprën e tij të urryer. Pra, ai dhe klasa politike që e nxori si lider, luajtën lojën e luftës në kurriz të Gjermanisë dhe dihet fundi i bëmave të tij diktatoriale. Dihet tragjedia që përjetoi edhe mbarë bota nga keqpërdorimi i pushtetit prej politikës luftënxitëse hitleriane.
Në vende të vogla si Shqipëria politika shfaqet edhe si fryma e klaneve të kohës për të dominuar shoqërinë njerëzore. Politika keqpërdoret nga udhëheqësit kryesorë të klaneve. Politika e keqpërdorur prodhon pushtet. Pushteti u jep fytyrën e vet strukturave shtetërore. Pra, shteti bëhet vegël, makinë e sofistikuar në shërbim të një politike të caktuar klanore. Politika krijon statukuo për të jetuar sa më gjatë, pra, krijon struktura solide, të blinduara që frenojnë ndryshimin, zhvillimin e qytetërimit dhe i zgjat jetën pushtetit diktatorial të politikanëve. Gjithçka korruptohet. Të katër pushtetet: Legjislativi, Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Media. Gjithçka vihet në shërbim të politikës për të mbijetuar… Pikërisht kjo po ndodh edhe në vendin tonë të dashur, në Shqipëri, gjatë këtyre njëzet vjetëve gjoja demokraci. Politika neokomuniste shqiptare, e majtë ose e djathtë në formë, gjë pa rëndësi, më e moderuar dhe më e sofistikuar në dukje se ish-politika komuniste, për të paraqitur një maskë sa më njerëzore në sytë e botës perëndimore, ka uzurpuar shtetin me pushtetin e vet dhe luan në kurriz të shqiptarëve një potpuri dramash me funde sa komike dhe tragjike. Pra, në thelb politika shqiptare është po ajo e baballarëve komunistë, me të vetmin ndryshim se bijtë neokomunistë me kostume perëndimore, ia marrin shpirtin popullit pak e nga pak me metoda të reja. Në fillim e korruptojnë dhe e korruptojnë si veten, pastaj e varfërojnë dhe e varfërojë deri sa ai asfiksohet e jep shpirt vetë. Nuk ke ç’të thuash tjetër veçse janë politikanë hajdutë të zgjuar. Nuk i vrasin njerëzit e shkretë, si dikur baballarët e tyre, por i çojnë me lezet drejt vetëvrasjes dhe kur vetëvriten shqiptarët e varfër i thonë botës me keqardhje se këto janë pasojat e tranzicionit të vështirë që jeton Shqipëria, se bota nuk ka ndihmuar sa duhet e të tjera broçkulla të kësaj natyre që diplomacia perëndimore i ha me dëshirë ose pa dëshirë. Dhe na mbetet të themi me keqardhje edhe ne: Nuk ke ç’i bën, kjo është Shqipëria, e mallkuar!… Në fakt të mallkuar janë ata që e drejtojnë…
Letërsia, heretike e përjetshme
Politika dominon duke shkretuar jetën. Dhe populli durimpasosur duron e duron deri sa jep shpirt. Por jo të gjithë bijtë e tij durojnë gjatë. Disa rebelohen, dikush me heshtje, dikush me fjalë e dikush me shkrime. Dhe kështu, midis asaj rrjedhe pakënaqësie, dalëngadalë zë fill edhe oponenca artistike e politikës, letërsia. Përballë politikës zë e ngrihet një kundërshtar inteligjent. Pra, merr jetë letërsia. Kjo është pasqyra artistike e frymës rebele e kryengritëse të kohës. Letërsia, kjo rebele e qytetëruar, gjen momentin dhe hyn në skenë si kundërshtare e politikës, e frymës së saj të mosndryshimit. Dhe dita-ditës zëri i saj denoncon, jehona e saj bëhet e rrezikshme për çdo regjim. Dhe pushteti zemërohet. Pushteti zë e shfryn kundër shkrimtarëve, intelektualë që krijojnë një letërsi rebele, kundërshtare, të mallkuar, luftëtare. Letërsia e tyre është herezi dhe ata shpallen heretikë. Politika kundërpërgjigjet. Poshtë letërsia heretike!…
Klanet politike shqiptare janë të dominuar nga figura karizmatike, si dikur baba Enveri, i cili e zotëronte i vetëm skenën shqiptare; sot aktrojnë bijtë e tij aktorë-politikanë në role faraonësh që lexojnë tekstet e këshilltarëve të vet, firaunëve. Rreth tyre grumbullohen më të paaftët për të qenë sadopak njerëzorë, servilët, të djallëzuarit, spiunët, më saktë klanet e firaunëve (avokatët e djallit) që nuk i shohin dot me sy elitat e inteligjencës, të cilat ngrenë zërin kundër frymës së mosndryshimit, që pengon rrjedhën e ujërave të kohës. Frenimi i procesit të ndryshimit e shndërron jetën e gjallë në një kënetë të qelbur, krijon kudo atmosferë mbytëse, helmuese dhe prodhon vdekje për shoqërinë njerëzore. Kjo gjendje paralize, agonie u intereson klaneve faraonike dhe apologjetëve të tyre – firaunëve , kundërshtarëve më të egër të elitave intelektuale, veçanërisht shkrimtarëve, recensuesve artistikë të bëmave të këqija të pushteteve të korruptuara. Firaunët marrin në dorë situatën, u fryjnë në vesh faraonëve dhe drejtojnë politikat në çdo fushë. Mundohen të dominojnë edhe në letërsi që u paraprin arteve të tjera, sepse komunikon me fjalën, pra, me një mjet më të drejtpërdrejtë, më të kuptueshëm për shoqërinë njerëzore se sa mjetet që përdorin artet e tjera si skulptura, piktura, karikatura, muzika e tipit të Bethovenit, etj. Letërsia, me frymë gazetarie moderne, investigative, hyn më lehtë në zemrat e njerëzve, u zgjon emocione me artin e saj, me elementet liriko-epike, me patosin rebel, pra, me formën e larmishme që përdor. Kjo është letërsia e vërtetë, që i zgjon e i rebelon njerëzit kundër frymës të mosndryshimit, frymës kënetore që dikton politikën keqdashëse mbi shoqërinë njerëzore.
Ndërkaq, përballë inteligjencës së shkrimtarëve, politika nxjerr censorët e vet, avokatët e djallit, firaunët e fushës së artit, kritikët e mirëpaguar, grafomanët, të cilët mundohen të krijojnë tymnajë, mundohen ta devijojnë frymën e letërsisë oponente, rebele, duke e anatemuar atë, duke goditur krijuesit e saj, duke krijuar teori të sofistikuara që e keqinterpretojnë letërsinë, që e çojnë drejt kënetëzimit edhe atë. Ata thonë se letërsia është ndjesi personale, krijim individual, i zhveshur nga çdo lloj ideologjie, e zhveshur nga tensionet politike, pra, përsiatje perverse personale. E kujt i hyjnë në punë ditarë perversë, lajthitjet psikike të individëve të çorientuar?!… Të lexosh grafomanitë e tyre në një kohë që shoqëria lëngon prej politikave faraonike, është budallallëk që përmblidhet me shprehjen popullore: “Stambolli digjet, kurva krihet. Pra, kjo do të thotë që njerëzve në flakë t’u ofrosh retorikat e kurvave që krihen, këtë na thonë pseudoletrarët e të gjitha kohërave, ata që janë kundër letërsisë oponente. Pallavra. Veprime të qëllimta, të mirorganizuara nga të gjitha llojet e regjimeve në të gjitha kohërat.
Bilal Xhaferri, shkrimtari disident i viteve 60-80, fjala vjen, e kuptoi mirë kënetëzimin e letërsisë së kohës. Ai, si largpamës, si intelektual me shpirt rebeli, vuri në punë mençurinë dhe talentin e vet dhe e orientoi krijimtarinë e tij me shumë zgjuarsi drejt frymës së Rilindjes Kombëtare. Pra, u bë një rilindës i vonë, shumë më i përparuar, e zhveshi krijimtarinë nga fryma e romantizmit, krijoi një model të vetin, letërsinë rilindëse – realiste. Pra, ishte një rilindës realist, i cili krijoi vlera të vërteta shqiptare përkundër shkrimtarëve socialistë që krijuan modele të tipit të Lej Fenit kinez, krijuan njeriun e ri, Lej Fenin shqiptar, të huajtur nga politika internacionaliste komuniste shqiptare prej letërsisë kineze. Përfytyroni një Lej Fen kinez që mblidhte gozhdët e ndryshkura dhe vidat e hedhura për të ndërtuar makinerinë gjigante të botës gjigante kineze. Groteske! Absurde e tejet qesharake. Kina e murit të madh kinez, një ndër mrekullitë e botës, në duart e një Lej Feni dështak!…
Bilal Xhaferri nuk mund të gëlltiste dot karremin e Lej Fenëve të komunizmit, apologjetëve të njeriu të ri, të letërsisë kolektiviste, kooperativiste e lloj-lloj isteve të tjera të diktuara nga Metoda e Realizmit Socialist.
Bilal Xhaferri nuk mund të bëhej dot Lej Fen, nuk mund të pranonte dot as faktin se njeriu shqiptar duhej lejuar e nxitur të transformohej në Lej Fen. Prandaj ai iu drejtua së kaluarës shqiptare, një lloj rilindësit. Bilal Xhaferri solli në skenën e kohës etninë, heronjtë e saj, por jo në mënyrë evazive, romanticiste. Ai, me idealizëm, krijoi figura të gjalla, heronj të gjallë prijësish ilirë si Batua, por edhe luftëtarë të zakonshëm me pamje njerëzore si Ergysi, që përfaqësonin njeriun e thjeshtë ilir që ngrihej e luftonte si hero përkrah komandantit për të mbrojtur vendin e tij. Krijoi edhe vajza, si Amarda, të dashuruara me luftëtarët që mbronin atdheun. Pra, solli në skenën e kohës njerëz të gjallë, realë, si modele të gjalla, për t’u thënë shqiptarëve: ja, këta janë stërgjyshërit tuaj, ata kanë dashuruar dhe kanë luftuar për atdheun.
Modelet e heronjve të Bilal Xhaferrit zgjonin në shpirtin e bashkëkohësve nostalgjinë për të kaluarën dhe ua neverisnin njerëzve Lej Fenët e kohës.
Bilal Xhaferri solli në skenë Skënderbeun, heroin legjendar shqiptar,por edhe figurën e luftëtarëve të tij, officerë e ushtarë të kohës. Të gjallë. Strez Piroli i dashuruar, stoik, luftëtar I vërtetë, përballë vajzës së zemrës, princeshës Ajkuna.
Letërsia – binom, dashuri dhe urrjetje
Dashuri dhe qëndresë. Dashuri për të kaluarën, qëndresë dhe urrejtje ndaj lejfenizimit të shoqërisë shqiptare. Kjo ishte letërsia realiste e Bilal Xhaferrit, këtij Rilindësi Realist të vonuar në vazhdën e traditës së Nolit e Kutelit, por më i përparuar, më largpamës, më i organizuar, më modern dhe më njerëzor në krijimtarinë e vet. Prandaj u pranua dhe u pëlqye nga bashkëkohësit. Bilal Xhaferri, ky Rilindës Realist liriko-epik, me poezi të mrekullueshme si “Balada çame”, megjithatë i vetëdijshëm se nuk mund të shkruante ashtu, se nuk mund të ishte aq i drejtpërdrejtë kundër politikës së kohës. Tregimet e tij, proza poetike, po ashtu dhe romani I tij, Krastakraus – dashuri dhe qëndresë, dokument artistiko-historik i kohës së Skënderbeut, nuk u botua. Godo dhe Kadare u pranuan, romani i tij jo! Nuk u pranua se ishte ndryshe. Skënderbeu i tij ndryshonte nga Skënderbeu që paraqisnin Godo e Kadare. Krastakraus paraqiste skena të vërteta, të rralla, të mrekullueshme që shpalosnin pamje homerike të betejave të Skënderbeut. Ishte një letërsi që të linte pa mend, të bënte t’i doje me gjithë shpirt stërgjyshat, të rebeloheshe kundër modeleve të lejfenëve shqiptarë të tufëzuar nga censura komuniste. Ishte krijimtari e një krijuesi jashtëzakonisht të talentuar.
Politika dhe censura e kohës nuk mund ta pranonin letërsinë e tij heretike, këtë lloj qëndrimi disident të Bilalit. Iu kundërvunë. Dhe e detyruan të arratisej nga Shqipëria e të mërgonte në dhe të huaj.
Kritika naive, e qëllimtë, i ka minimizuar vlerat e vërteta të krijimtarisë dhe të figurës së Bilal Xhaferrit. Në vitet ’60-të, ai ishte I vetmi që u thoshte shqiptarëve: Boll më me lejfenizimin e shoqërisë sonë!… Shikoni stërgjyshërit tuaj dhe ndiqni shembullin e tyre!…
Si Anteu…
Mitologjia thotë se titani Ante, i biri i Poseidonit, zotit të detit dhe hyjneshës së Tokës, Gea, ishte një gjigant me fuqi të papërballueshme. Në çdo dyluftim ai e mundte me lehtësi kundërshtarin në sajë të një fuqie të çuditshme. Thonë se sekreti i fuqisë së Anteut qëndronte te lidhjet e tij me Tokën, nënën e tij. Pra, fuqia i buronte nga toka mëmë. Dhe vërtet sa herë ai shkëputej nga toka, ndiente se dobësohej dhe i humbiste fuqia. Anteu për ta rimarrë veten ngjitej fort, gati ngurtësohej pas tokës, dhe fuqia i kthehej sërish. Pra, ishte dashuria për nënën e tij sekreti i fuqisë së Anteut…
Njëlloj Anteu ishte dhe Bilal Xhaferri dhe shumë poetë e shkrimtarë të tjerë që u detyruan të arratiseshin nga Shqipëria për të shpëtuar nga përndjekjet vrastare të strukturave komuniste.
Ai e donte aq shumë atdheun saqë larg tij, dashur padashur herë-herë shndërrohej në një njeri të zakonshëm të mposhtur nga trishtimi, si një fëmijë anemik që vuante tmerrësisht mungesën e qumështit të gjirit të nënës. Pra, pak a shumë ishte si Anteu që nuk bënte dot pa kontaktin me truallin amë. Në emigracion, në SHBA, Çikago, Bilali i torturuar nga malli për vendlindjen, e humbi frymëzimin, magjinë e letërsisë së tij që buronte e ushqehej nga dashuria. Ai shumicën e kohës thjesht u mor me gazetari dhe publicistikë që mbushnin faqet e revistës periodike “Krahu i shqiponjës” që e botonte për të mbajtur gjallë revoltën e shpirtit të tij dhe të emigrantëve shqiptarë ndaj ish-diktaturës komuniste me shpresën se dikur ajo do të përmbysej dhe ai do të mund të rikthehej në atdhe.
Pra, ndjenja e dashurisë që dominonte krijimtarinë e tij i zëvendësua nga urrejtja për ata që kishin uzurpuar liritë e tokës shqiptare, për ata që përdhosën dhe e zhbënë çdo vlerë njerëzore të Shqipërisë amë, që e bënë vdekjen padrone të jetës.
Censorët e diktaturës, si duket, siç dinin sekretin e Anteut, e dinin mirë sekretin e çdo krijuesi shqiptar antikomunist që nuk mbijetonte e krijonte dot larg atdheut. Dhe ia merrnin lirinë: ose e burgosnin, ose e pushkatonin, ose e detyronin të arratisej. Këtë fat të keq, emigrimin e detyruar, e pësuan shumë krijues si Ernest Koliqi, Martin Camaj, etj… E pësoi dhe Bilal Xhaferri. Pak a shumë të njëjtin fat patën gjithë krijuesit e arratisur nga Shqipëria, fatin e Anteut që dobësohet e zhbëhet larg tokës mëmë.
Mirëpo, ndryshe nga titani Ante që nuk i mbijetoi shkëputjes nga toka mëmë, krijuesit e arratisur, Bilal Xhaferri, etj., e gjetën zgjidhjen, i mbajti gjallë revolta, urrejtja, ana tjetër e medaljes së dashurisë. Krijimtaria e tyre u frymëzua nga urrejtja për ata që u grabitën liritë dhe dashuritë që u ushqente toka mëmë, nga urrejtja për diktatorë, faraonë e firaunë që e shndërruan në pronë të vet Shqipërinë, stërmbesën e Pellazgjisë…
Dhe ishte magjia e kësaj mbijetese artistike mbinjerëzore, kjo forcë rebelimi e urrejtjeje që me dallgët e veta rrënoi kalatë e komunizmit të ngritura mbi viktimat e lufftës së klasave.
Shefki Hysa