Zoti fillimisht krijoi Parajsën, pastaj Adamin.
Dhe i thirri Krijesës së vet:
– Adam, gëzoje Parajsën! Dhe më lavdëro Mua, Krijuesin Tënd!…
Adami u rrotullua rreth vetes dhe u çudit me gjithë ato bukuri magjepsëse.
Parajsa ishte kaq e bukur sa që Adami mbeti gojëhapur si guak për ca kohë. I erdhi rreth e qark dhe u mrekullua nga mrekullitë e saj.
Pastaj befas ndjeu një lloj boshllëku diku në zemër, një lloj zbrazëtie diku brenda vetes. Erdhi ca rrotull si i hutuar dhe e kuptoi se atë boshllëk që nuk ia mbushnin dot as mrekullitë e Parajsës e kishte nga Vetmia. Ndjeu se ishte shtypëse kjo Vetmia. Ndjeu se ishte i Vetëm. I Vetëm në Parajsë. Po a e dini se ç’do të thotë të jetosh i Vetëm në Parajsë?!… Njëlloj si të jetosh në Ferr nën kamzhikët e djajve, megjithëse Adami ende nuk e kishte konceptin e Ferrit.
Zoti ende nuk e kishte krijuar Ferrin, se ende nuk kishte kë të çonte në Ferr…
Megjithatë Adamin po e mundonte Vetmia, pak a shumë si Ferri, megjithëse edhe Vetmia ishte një ndjenjë e panjohur më parë prej tij, një ndjenjë e re dhe stërmunduese…
Ngriti kokën dhe iu lut Zotit:
– Të lutem, o Zot, jam i Vetëm në këtë Botë kaq të Mrekullueshme!…
Dhe Zoti qeshi.
Dhe si e vuri në gjumë Adamin, Zoti i shkuli një copë brinje dhe me të krijoi një kopje të përafërt të Adamit.
Dhe e zgjoi Adamin.
Dhe e urdhëroi:
– Adam, njihu dhe shoqërohu me kopjen tënde!…
Dhe Adami hapi sytë dhe iu duk se pa veten në pasqyrat e ujërave të kristalta të Parajsës.
Dhe u mrekullua rishtas. Në Parajsë tani ishin dy Adamë.
E vështroi me kureshtje veten dhe befas dalloi se Adami përballë ishte paksa ndryshe. Vështroi me vërejtje dhe kuptoi se ishte flokëgjatë, kishte dy kodra të vogla tepër magjepsëse në kraharor dhe një vatër zjarri midis këmbëve, ndryshe nga bishtuku i tij.
Dhe u shtang. Ajo vatër zjarri midis këmbëve të Adamit përballë sikur donte ta përthithte të tërin… Sikur donte t’ia merrte ëmbëlsisht frymën…
Oh, sa ëmbëlsisht, aq sa Adami instiktivisht u turr drejt pamjes përballë!…
U turr përpara duke thirrur:
– Të falënderoj, o Zot, për Adamin tjetër që solle në Parajsë!…
Zoti qeshi e bubulliu:
– Adam, or hajvan, është Eva, gruaja jote, jo një Adam tjetër!… Duaje, gëzoju, bashkohuni dhe lindni sa më shumë fëmijë!…
Dhe megjithë nazet e shumta të Evës, Adami ia gjeti anën dhe u bashkuan.
Oh, ç’lumturi!… Ishte Akti i Parë i Dashurisë së Parë… Një Dashuri e mrekullueshme, aq sa dhe disa engjëj u bënë ziliqarë e xhelozë.
Kur Zoti e krijoi Evën ishte në ditën e gjashtë të krijimeve të Tij të mrekullueshme. Dhe vazhdonte ende të harxhonte kohën e vet të vyer në përsosjen e saj…
Ngrihet një engjëll, Satanai, dhe i drejtohet Zotit:
– Si kështu, o Zot, harxhove kaq shumë kohë me këtë gjërin e çuditshëm, Evën?!…
Dhe Zoti i përgjigjet:
– A e ke parë projektin tim për Evën?
Satanai ngriti supet, i paditur…
– Eva duhet të jetë tepër e paraqitshme, joshëse, e lëvizshme, e gjallë, prej mishi e kockash e prej gjaku. Ka më shumë se dyqind pjesë të lëvizshme, të gjitha energjike dhe muskuloze që do të funksionojnë plotësisht përpara çdo vështirësie.
– Më e gjallë dhe e lëvizshme se vetë Adami?! – u habit Satanai…
– Patjetër! Prandaj është dhe Adami femër! Eva, ndryshe nga Adami do të ketë një puthje që mund të të lerë pa mend, po ta shijosh, një puthje që do të shërojë çdo zemër të copëtuar, çdo shpirt të brengosur, çdo trup të plagosur e të sakatuar…
Kjo është Eva, Femra Adam. Eva do të bëjë magji vetëm me dy buzët dhe me dy duart e saj. Trupi i saj një Parajsë tjetër për Adamin…
Dhe Satanai u mrekullua nga pamja nazetare e Evës. Sikur u magjeps edhe ai prej ledhave të saj me duar e buzë mbi trupin e Adamit. Eva vërtet po bënte çudira vetëm me dy duar dhe me dy buzë mbi Adamin…
– O Zot! Kjo më duket e pamundur dhe e pamerituar!… Një Dhuratë shumë e madhe për një Budalla prej balte, si Adami…
– Dhe ende nuk e kam përfunduar! – qeshi e bubulliu Zoti.
– Po pse lodhesh më kot, o Zot?!… Ç’lodhu dhe mendohu, mbase Adami nuk e meriton përsosmërinë e Evës?!… Shumë punë e madhe, shumë kohë e harxhuar … Një ditë e tërë vetëm për Evën?!…
– Duro deri nesër që ta përfundoj njëherë projektin Eva, pastaj diskutojmë, – tha Zoti me një shprehje enigmatike.
– Jo, në asnjë mënyrë! Edhe kaq dhe Eva është bërë e papërballueshme! – protestoi Satanai.
– Jam shume afër mbarimit të këtij krijimi, të kësaj krijese, ku po vendos një pjesë të mirë të cilësive të Mia Hyjnore, prandaj boll më çave veshët! – bubulliu Zoti dhe lëshoi kuturu një rrufe zemërimi.
Satanai u mblodh grusht për një moment, por ligësia nuk po e linte të qetë.
– Eva do të jetë nëna e njerëzimit, – vazhdoi Zoti, – do të punojë mbi 18 orë në ditë për të rritur e ushqyer fëmijët, se Adami vetëm sa do të dredhë zinxhirin, domethënë do vërdalliset më kot…
Satanai foli përsëri:
– Por Evën e ke bërë kaq të brishtë, o Zot, në krahasim me Adamin… Si do t’i përballojë ajo vështirësitë e vetme?
– Është në dukje e brishtë, por e kam krijuar të fuqishme në shpirt. Nuk e ke idenë se çfarë vështirësish është ne gjendje të durojë Eva!…
– A do të jetë e vetëdijshme për vuajtjet që do t’i shkaktojë Adami? A do të jetë në gjendje të arsyetojë për jetën e vet të mundimshme dhe për plagët që do t’i shkaktojë Adami dhe fëmijët? A do t’i dojë pas gjithë atyre vuajtjeve që do t’i shkaktojnë?! – pyeti Satanai i habitur.
Zoti bubulloi së qeshuri:
– Mos u merakos kaq shumë, Satana! Eva jo vetëm që do të jetë në gjendje të mendojë, të gjykojë dhe të arsyetojë, por do të jetë aq e fortë saqë dikur do të hakmerret edhe ndaj teje për ato që ke në mendje t’i punosh dhe vetëkuptohet që do t’ia punosh se nuk të lë të qetë ligësia. Eva do të jetë aq e mençur sa që ty dikur do të të mbyllë në shishe.
Satanai gati sa nuk shpërtheu nga zemërimi prej paaftësisë për t’ia fshehur mendimet e veta Zotit. Megjithatë, më shumë për t’ju shmangur ndonjë rrufeje të papritur, vazhdoi me një pamje të qetë në dukje:
– Një Mrekulli e madhe, kjo Eva, o Zot, për një hajvan si Adami…
– Po rri rehat, o Satana, se kaq ta pret ty, boll m’i çave veshët për sot! – tha Zoti dhe e degdisi diku tutje një tjetër rrufe.
Satanai si gjithmonë i paduruar, shtriu krahun e vet hyjnor dhe, teksa prekte mollëzat e faqeve të Evës, e cila vazhdonte të puthte me etje Adamin, ndjeu pak lagështi në gishta.
– Zot i Madh, po seç paska një lloj humbjeje, si lagështirë, si pika shiu, ky modeli i Evës që po krijoni! – brofi përpjetë i habitur Satanai.
– Të thashë edhe më parë, O Satana, po ku dëgjon nga veshët ti?… Shumë nga sjelljet dhe veprimet e Evës do të jenë nga më të pakuptueshmet dhe më të çuditshmet për Adamin dhe për cilindo që do t’i vijë rrotull asaj. Nga më të pashpjegueshmet do të jenë edhe për ty sjelljet e Evës. Të thashë se dikur ti do ta mashtrosh atë me djallëzinë tënde, por e shumfishtë do të jetë hakmarrja e saj. Besomë, Eva do të të mbyllë në shishe!…
Satanai që ziente nga zemërimi, përsëri nuk e lëshoi veten. Ishte më e fortë kureshtja e tij për të mësuar dobësitë e Evës…
– Zot, po ç’është kjo pikë shiu që pikon nga sytë e Evës?!…
– Nuk është as humbje dhe as pikë shiu, mor Satan Hajvani!… Është pikë loti, – e korrigjoi Zoti.
– E përse shërben kjo pikë loti? – pyeti Satanai, sa i habitur dhe i djallëzuar.
Dhe Zoti tha:
– Lotët janë mënyra e Evës për të shprehur dashurinë, lumturinë dhe gëzimin e jetës, pra, për të shprehur tërë kompleksin e ndjenjave të bukura që përjeton.
Loti do të jetë edhe shprehje e dhimbjes së shpirtit të saj, e urrejtjes, vetmisë, vuajtjes dhe krenarisë së saj që kurrë nuk do të thyhet sado ta stërmundojë jeta.
– Jeni Gjeniu i Krijimit të Botëve që na rrethojnë, o Zot! – u shpreh Satanai sa lajkatar dhe i mrekulluar nga kompleksiteti femëror, sa unik dhe i papërsëritshëm i femrës me emrin Eva. – O Zot, i keni menduar, projektuar dhe realizuar kaq bukur të gjitha cilësitë femërore te Eva!… Femra është me të vërtetë Krijesa më e Mrekullueshme midis gjallesave…
– Ashtu është! Jo vetëm Eva, po gjithë femrat pasardhëse të saj do të kenë aq shumë energji, saqë do t’i mrekullojnë meshkujt.
Ato do të përballen me shumë vështirësi, do të mbajnë mbi supe pesha të rënda që mund të shembin edhe kullat prej guri, megjithatë do të jenë edhe burim dashurie, lumturie, dhe gëzimi për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Femrat do të qeshin kur duhet të bërtisnin prej djallëzive që do t’i rrethojnë, do të këndojnë kur duhet të qanin, do të qajnë kur janë të lumtura dhe do të qeshin e buzëqeshin kur do të jenë në hall e nervoze.
Satana, më beso, femrën e përgatita të luftojë për gjithçka që ajo do të besojë. Femra do të jetë model për të ngritur krye ndaj padrejtësive në botë.
Bijat e Evës nuk do të pranojnë fjalën “jo” si përgjigje kur besojnë se ka një zgjidhje më të mirë para tyre. Bijat e Evës do të jenë gati dhe të sakrifikohen që të mbajnë gjallë e të trashëgohet gjeni i familjes së tyre.
Mos harro, Satana, bijat e Evës dashurojnë pa kushte, por edhe urrejnë si askush në këtë botë.
Ato qajnë kur fëmijët e vet kanë sukses dhe u urojnë të njëjtin fat miqve për pasardhësit e tyre. Bijat e Evës do ndjehen të lumtura kur do dëgjojnë të flitet për fejesa, martesa e lindje fëmijësh. Zemrat e tyre do të vuajnë e plagosen kur do dëgjojnë për vdekjen e të njohurve. Ato do të vuajnë pambarimisht për humbjen e njerëzve të tyre të dashur…
Dhe këto cilësi nuk i ka askush nga krijesat e Mia të gjertanishme, Satan. Nuk i ke as ti, përveç djallëzisë që të karakterizon…
Pra, pa asnjë dyshim, Eva është shumë e forta, pavarësisht nga brishtësia e saj në dukje. Eva do të jetë në gjendje të mbijetojë edhe atëherë kur prej lodhjes do mendojë se i ka shteruar e tërë energjia…
– O Zot, shikoje Evën, shikoje sesa me pasion po e puth atë, Budallanë, Adamin!…
– Ashtu është, e dashuron marrëzisht!… Eva është e vetëdijshme se një puthje e një përqafim i saj e lenë pa mend atë, Adam Budallanë, që do ta tradhtojë sa e sa herë në të ardhmen… Eva instiktivisht e kupton se mund ta ndihmojë e ta kurojë budallallëkun e Adamit, atë budallallëk që do t’i ushqesh ti me djallëzitë e tua. Ajo do t’ia shërojë sa herë zemrën e copëtuar nga kotësitë e sjelljeve dhe veprimeve të tij mashkullore…
Pa dyshim se Eva sa e zgjuar është, ka dhe një të metë: Ajo kurrë nuk do t’ia njohë vlerat vetes së saj…
Dhe do të përlotet shpesh për gjithçka dhe për asgjë…
Dhe Loti i Evës në thelb është simboli i lumturisë dhe fatkeqësisë që do t’i sjellë jeta…
Dhe Loti i Evës është ilaçi femëror që mban në këmbë ngrehinën e Parajsës…
Dhe Loti është një Sekret Hyjnor i mbijetesës së saj, i mbijetesës njerëzore…
Kështu tha Zoti dhe nuk harroi ta gjuante me Rrufe Satanin dredharak, që po përgatitej ta shkatërronte Evën e magjishme dhe Parajsën që i fali Zoti për të joshur pafundësisht atë, Adamin, Budallanë e saj të përjetëm…
Dr. Shefki Hysa
Shkrimtar